Fakte kryesore
- Hepatiti C është një sëmundje e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatitit C.
- Virusi mund të shkaktojë si hepatit akut ashtu edhe hepatit kronik. Hepatiti C mund të shkojë nga një sëmundje e lehtë që zgjat disa javë, deri në një gjendje të rëndë apo të përjetshme, që mund të çojë në cirrozë apo kancer të mëlçisë.

- Virusi i hepatitit C transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar. Mënyrat më të zakonshme të infeksionit janë nëpërmjet praktikave të pasigurta të injektimit, sterilizimit të papërshtatshëm të pajisjeve mjekësore në disa mjedise të kujdesit shëndetësor, si dhe gjakut dhe produkteve të tij të pakontrolluara.
- 130-150 milionë njerëz në nivel global kanë hepatit kronik C. Një numër i konsiderueshëm i atyre me infeksion kronik do të zhvillojnë cirrozë ose kancer të mëlçisë. Në 25% të pacientëve me kancer të mëlçisë, shkaku themelor është hepatiti C.
- 350 000-500 000 njerëz vdesin çdo vit nga sëmundje të mëlçisë të lidhura me hepatitin C.
- Medikamentet antivirale mund të kurojnë hepatitin C, por mundësia për diagnostikim dhe trajtim është e ulët. Trajtimi antiviral është i suksesshëm në 50-90% të personave të trajtuar, në varësi të trajtimit të përdorur, dhe ka treguar se zvogëlon mundësinë e zhvillimit të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë.
- Aktualisht nuk ka vaksinë për hepatitin C, megjithatë, studimet në këtë fushë vazhdojnë.
Infeksioni akut nga virusi i Hepatitit C, zakonisht është pa shenja. Rreth 15-45% e personave të infektuar pastrohen në mënyrë spontane nga virusi, brenda 6 muajve të infektimit pa asnjë lloj trajtimi. Pjesa e mbetur prej 55-85% e tyre zhvillojnë hepatitin C kronik. Nga ata me hepatit C kronik, rreziku i cirrozës së mëlçisë është 15-30% brenda 20 viteve. Hepatiti C është i përhapur në mbarë botën.
Si transmetohet?
Virusi i hepatitit C është një virus që zakonisht transmetohet:
- Duke përdorur droga me injeksion nëpërmjet shkëmbimit të pajisjeve të injektimit.
- Në institucionet shëndetësore për shkak të ripërdorimit apo sterilizimin jo adekuat të pajisjeve mjekësore, sidomos shiringave dhe gjilpërave.
- Nëpërmjet transfuzionit të gjakut dhe produkteve të tij të pakontrolluara.
- Nëpërmjet rrugës seksuale
- apo nga një nënë e infektuar tek bebi i saj.
Hepatiti C nuk përhapet nëpërmjet qumështit të gjirit, ushqimit ose ujit, apo nga kontaktet e përditshme të tilla si puthja, përqafimi apo ngrënia e ushqimit ose pijes me një person të infektuar.
Cilat janë shenjat e hepatitit C?
Infeksioni akut me virusin e hepatitit C është zakonisht asimptomatik. Periudha e inkubacionit për hepatit C është 2 javë deri 6 muaj. Pas infektimit fillestar, përafërsisht 80% e njerëzve nuk shfaqin asnjë simptomë. Ata njerëz që shfaqin shenja mund të kenë ethe, lodhje, rënie të oreksit, të përziera, të vjella, dhimbje barkut, urinë të errët, feçe të çngjyrosura në gri, dhimbje të kyçeve, si dhe zverdhje të lëkurës dhe të bardhës së syve.
Si vendoset diagnoza?
Për shkak të faktit se infeksioni akut me virusin e hepatitit C është zakonisht asimptomatik, diagnoza e hershme të infeksionit është e rrallë. Tek ata njerëz që zhvillojnë infeksionin kronik, infeksioni mund të mbetet i padiagnostikuar deri kur shfaqen dëmtime serioze të mëlçisë.
Infeksioni me virusin e hepatitit C diagnostikohet në 2 hapa:
- Kontrolli për antitrupat antivirus C, me një test serologjik i cili identifikon personat që kanë qenë të infektuar me virusin e hepatitit C.7
- Nëse testi është pozitiv për antitrupat C, një test tjetër (RNA) është i nevojshëm për të konfirmuar infeksionin kronik. Kjo sepse rreth 15-45% e njerëzve të infektuar me virusin e hepatitit C pastrohen spontanisht prej infeksionit nga një përgjigje e fortë imunitare e organizmit, pa pasur nevojë për trajtim. Edhe pse nuk janë më të infektuar, ata ende do të rezultojnë pozitiv për antitrupat antivirus C.
- Përveç kësaj, këta persona duhet të bëjnë një test laboratorik për të identifikuar gjenotipin/llojin e virusit të hepatitit C. Kjo për arsye se a) ka disa (6) gjenotipe të virusit të hepatitit C, b) personat e infektuar reagojnë në mënyra të ndryshme nga trajtimi c) është e mundur që një person të infektohet me më shumë se një gjenotip.
Pasi personi është diagnostikuar me infeksion kronik të hepatitit C, duhet të bëjë një vlerësim të shkallës së dëmtimit të mëlçisë (nëse ka fibrozë apo cirrozë). Kjo mund të bëhet nëpërmjet bërjes së biopsisë së mëlçisë ose nëpërmjet shumë testeve të tjera.
Të dyja së bashku, shkalla e dëmtimit të mëlçisë dhe gjenotipi i virusit përdoren për të marrë vendimet e trajtimit dhe menaxhimit të sëmundjes.
Diagnoza e hershme mund të parandalojë problemet shëndetësore që mund të rezultojnë nga infeksioni, si dhe të parandalojë transmetimin e virusit tek të tjerët./ https://propacientit.al/
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve