Varfëria menstruale – një “krizë” e injoruar

Shoqata “Together For Life” u bën thirrje vendimarrësve përgjegjës për heqjen e TVSH-së, për produktet menstruale. 

Rritja e çmimeve i ka prekur të gjithë, sidomos gratë dhe vajzat, të cilat kanë një shpenzim mujor shtesë të pashmangshëm, që vështirë të kursehet. Varfëria menstruale, pra pamundësia e grave dhe vajzave për të përballuar blerjen e  produkteve menstruale (peceta, tampona, kupa, ose qetësues kundër dhimbjeve gjatë menstruacioneve), është një krizë e rëndësishme dhe shpesh e injoruar e shëndetit publik në Shqipëri. Varfëria menstruale është e pranishme në vendin tonë, por ende mbetet një varfëri e heshtur dhe nuk flitet për të. 

Gjatë gjithë jetës menstruale një grua, shpenzon afërsisht në 168,000 lekë. Ndërkohë, kostoja mesatare mujore për produktet bazë menstruale, si pecetat higjenike dhe ilaçet për qetësimin e dhimbjeve, është rreth 350 lekë, me një shumë prej 4200 lekësh në vit. 

 

Edhe pse shifra mund të mos duket aq dramatike për disa, ia vlen të shikohet edhe fakti se gratë në Shqipëri kanë më pak të ardhura se burrat dhe e kanë më të vështirë të gjejnë një punë. 

 “46.2% e grave në Shqipëri u mungon një burim të ardhurash të mjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë, duke përfshirë produktet e higjienës menstruale. Kjo barrë financiare është veçanërisht e rëndë për gratë e reja të moshës 15-24 vjeç, të cilat përballen me një shkallë papunësie prej 29.2%. 

Në vitin 2023, paga minimale në Shqipëri ishte 40,000 lekë/muaj, ndërsa paga mesatare neto ishte 52,700 lekë/muaj. Referuar hendekut gjinor, gratë fitojnë afërsisht 6.2% më pak se burrat, duke përkeqësuar më tej sfidat e tyre financiare”, citohet në hulumtimin e kryer nga TFL. 

Kjo paraqet një goditje për buxhetin e grave, për shkak të menstruacioneve, që nuk janë zgjedhje e tyre, por një proces i natyrshëm.  

Sipas raportit, referuar çështjeve të aksesueshmërisë, shumë gra dhe vajza me të ardhura të ulëta hasin gjithashtu sfida lidhur me përballimin ose aksesimin e produkteve të përshtatshme menstruale dhe mungesën e aksesit në higjenë, duke përfshirë tualetet, ujin e rrjedhshëm dhe menaxhimin e mbeturinave. Kjo ndikon negativisht në shëndetin dhe jetën e tyre të përditshme, duke paraqitur rreziqe të konsiderueshme për shëndetin, veçanërisht për shëndetin riprodhues. 

Sipas mjekëve, “Produktet menstruale duhet të jenë të aksesueshme për të gjithë. Varfëria menstruale mund të çojë në pasoja të shumta, dhe ato mund të jenë fizike, shëndetësore, sociale ose psikologjike. Është e rëndësishme që artikujt e higjienës të ndërrohen rregullisht gjatë menstruacioneve, pasi kjo ruan higjienën personale. Ndaj, kjo varfëri rrit rrezikun për sëmundje të ndryshme, duke rrezikuar kështu shëndetin riprodhues.” 

Ndërsa psikologët thonë se, “varfëria menstruale shpesh i bën vajzat dhe gratë të ndihen jo rehat dhe të stresuara, duke rënduar kështu në shëndetin mendor të tyre. Gjithashtu për shak të pamundësisë në aksesimin e produkteve menstruale shumë vajza bëjnë mungesa në shkollë dhe gratë nuk shkojnë në punë.” 

Për shkak të pamundësisë për të përballuar këto produkte, një numër i konsiderueshëm grash raportojnë se përdorin mjete të improvizuara, letër higjienike, copa, lecka, garza, ose blejnë produkte menstruale me cilësi më të ulët për shkak të çmimit të tyre. 

“Edhe pse jam në punë kostoja për produkte mestruale për mua është shumë e lartë. Nuk bëhet fjalë vetëm për dy pako peceta në muaj, shpesh ne gratë përballemi me infeksione, apo problematika në mitër (si polipet), ndaj duhet të përdorim peceta në bazë ditore dhe të shpenzojmë akoma më shumë për higjenën menstruale. Ndaj shpesh orientohem drejt produkteve me çmime më të lira”, shprehet gruaja me inicialet A.XH. 

Mesatarisht, gratë kanë 13 perioda në vit dhe përdorin dy pako peceta për cikël.  

Një nga shembujt se si të luftohet varfëria menstruale është pikërisht ulja e taksave për këto produkte higjienike, theksojnë ekspertët. 

Disa vende ( Britani e Madhe, Skocia) po zbusin problemin e varfërisë menstruale duke hequr, ose ulur tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) për produktet menstruale, por Shqipëria nuk është në mesin e tyre. 

Ndaj duke iu referuar dhe një analize kosto-përfitim (bazuar në vitin buxhetor 2024), TFL propozon: 

  • Heqjen e TVSH-së për produktet e higjienës menstruale, nga e cila do të përfitonin rreth 650,000 gra dhe vajza, me një kosto minimale prej 185 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit, që përfaqëson vetëm 0.08% të të ardhurave vjetore të TVSH-së.
  • Sigurimin falas të produkteve të higjienës menstruale për rreth 190,000 vajza në arsimin fillor dhe të mesëm do t’i kushtonte Buxhetit të Shtetit 189 milionë lekë, ose 0.03% e shpenzimeve totale. Ky investim i vogël mund të përmirësojë ndjeshëm ndjekjen e shkollës dhe performancën akademike sidomos për vajzat nga zonat rurale.
  • Sigurimin e produkteve të higjienës menstruale falas për rreth 60 gra që vuajnë dënimin në burgje do të kushtonte vetëm 180,000 lekë, ose 0.000024% e buxhetit vjetor të sistemit të burgjeve, duke patur një ndikim të papërfillshëm në Buxhetin e Shtetit, por një ndikim shumë të madh dhe përmirësim të ndjeshëm në dinjitetin dhe shëndetin e këtyre grave.

Të gjithë ne e dimë se sa e rëndësishme është që gratë të jenë të lira dhe të fuqizuara, të mos kenë turp për diçka që është një cikël natyror. Ndaj është e domosdoshme që institucionet dhe shoqëria shqiptare të njohin higjienën menstruale si një e drejtë themelore.  

Është e një rëndësie thelbësore që të avokohet për heqjen e TVSH-së për produktet menstruale dhe zbatimin e politikave që ofrojnë paketa higjienike menstruale falas për gratë/vajzat. Këto masa janë jo vetëm të realizueshme në aspektin financiar, por do të ndikojnë edhe në thyerjen e tabuve rreth menstruacioneve dhe do të jenë thelbësore për mirëqenien dhe fuqizimin e grave/vajzave në Shqipëri drejt një jete dinjitoze. 

Ulja e TVSH-së, është një mesazh simbolik dhe paraqet njohjen e nevojave elementare të grave. Higjena menstruale nuk është luks, por një domosdoshmëri. 

 

Ky artikull, u prodhua si si pjesë e projektit “Reglons les Tabous”, mbështetur nga Ambasada Franceze dhe zbatuar nga Shoqata Together for Life. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*