“Pamë terror me sy”, gazetarja rrëfen ngjarjen e tmerrshme në Spitalin e Tiranës

Nga Edlira Gjoni, gazetare

Dje u bëra dëshmitare e një ngjarjeje që më mbajti ankth e me gjak të prishur gjatë ditës. Teksa prisja me familjarë të tjerë orarin e vizitave në njërin nga spitalet publike në kryeqytet, një zhurmë e fortë xhamash vjen nga katet sipër. U drodhëm të gjithë. Xhamat e thyer u shoqëruan me zënka, grushte, zëra të lartë, të bërtitura në shumë dialekte. Me hakërrim.

Dikush thërriste: “Merrni policinë. Merrni policinë”. Zhurma e xhamave nuk ndalte. E zbriste poshtë. Një djalë rreth të 20-ave po zbriste shkallëve, me dorën gjak. Pra ky ishte që godiste xhamat e dyerve në çdo kat të spitalit. Kaloi para nesh në kat të dytë. Ishim shumë familjarë te dera. Shtyu njërin anash, dhe me gjithë forcën e inatin që pati, goditi me thembrën e këpucës derën prej xhami. Copat me furi brenda korridorit, ku ishte dhe salla operatore.

Disa infermiere klithën. Dy mjekë dolën të alarmuar. Pacientët i kaploi një terror në sy, se nuk po dinin nga vinte alarmi, e mos kishte lidhje me jetën e tyre. Në koridor na ngriu fryma dhe arsyeja. Mbaja kraharorin me dorë. Zotëria i mërzitur vazhdonte të shqyente ç’gjente përpara. Përfshirë qetësinë tonë.

Më në fund u ngjit shkallëve duke dihatur, roja private që ruan derën e jashtme të godinës. Ai ruan familjarët, po si ta frenonte një furi shpërthyer nga mungesa e qetësisë dhe logjikës?

Djali i futi një të shtyrë dhe rojes jo fort të mbajtur fizikisht, e vijoi i qetë të zbriste shkallët. Në kat të parë nuk kishte xhama, kështu që shkelmoi me sa forcë pati frigoriferin dhe makinetën e kafesë, që u drodh me gjithë ç’pati brenda. Kur erdhi policia, pas 30 e ca minutash, i forti i mërzitur nuk ishte aty. Nuk e di nëse e kanë ndaluar. E lehtë ta gjenin, se dihej për cilën paciente kishte ardhur. Por, ajo që dominoi ditën time dje dhe ndjesinë ende sot, është frika e përdhunimit të hapësirës publike, vendit ku shpëtojmë jetë. Në spital thoshin se zotëria kishte sjellë aty një familjare pasi e kishte mbajtur disa orë në një spital privat, e pasi kishte paguar faturën e kripur, e kishin përcjellë te publiku, “se i kanë shërbimet më të mbledhura”.

Nuk ka rëndësi arsyeja. Familjarja e tij erdhi në gjendje jo të mirë. Vetë i pashë mjekët dhe personelin që lanë ç’kishin në duar dhe u morën me zonjën. Që vetë shpëtoi, ama spitali ka katër kate me dyer të thyera, dhe një mal me familjarë të prekur e trishtuar nga vandalizmi. Por më keq se kaq, dje dëshmova me sytë e mi fytyra mjekësh e infermieresh me sy të dalë, edhe terror, frikë, ngarkesë psikologjike, pikëpyetje të mëdha në vështrim dhe prishje të qetësisë humane e profesionale.

Ndërkohë, një barelë doli nga salla e operacionit, dhe nga vrimat e mëdha të xhamave të shqyer, shiheshin fytyrat e trembura e tê pasigurta të mjekëve që dilnin nga salla. Aq sa pacientja më vonë kishte frikë mos ky shqetësim në sytë e tyre, kishte të bënte me gjendjen e saj. Nga ta shihte kasaphanën e dyerve të thyera?
Miq të dashur: unë jam vetë kritizere pa kompromis. Por dje, dhe sot, jam me mjekët. Situata u krijua nga një familjar, gjaknxehtë, i paditur, i papërgjegjshëm. Vandal!

Po, mjekësia është kthyer në biznes, dhe nuk ka shërbim të denjë pa paguar lekë nën dorë. Por jemi bashkëfajtorë. Sepse ka që ç’ke me të shërbim dhe pa rryshfet. Kam Dr. Arjanën, Dr. Laurën dhe Dr. Kolën që personalisht kam kaluar eksperienca shërbimi pa më kërkuar e pa iu dhënë asnjë lekë. Jeni të lirë të mos e besoni, por kështu është. Plus, spitali dje kishte jo thjesht shërbim mbi të gjitha pritshmëritë, por dhomat, pastërtia dhe rregulli ia kalonin dhe spitaleve private. Kundërshtojeni, por ishte kështu.

Fotoja flet vetë. S’ka më batanije e çarçafë nga shtëpia. Dhe stafi janë ndryshe. Flasin, përgjigjen, ndjejnë frikë. Janë vëllai, motra, kunata, kushërira juaj që punojnë aty. Veshin bluzën e bardhë për të bërë luftë me jetën çdo ditë, dhe bien pre e sjelljeve të atilla ç’njerëzore, viktima të gabimeve që bën një sistem, një shoqëri, një kastë e tërë.
Unë jam falënderuese për çdo sekondê e aspekt shërbimi që pashë dje dhe sot. Dhe jam ende e shokuar nga sjellja harbute e njërit prej nesh, familjarëve që shfryjmë pasiguritë tona plot arrogancë në mjedisin e atyre që po të mos ishin, as do kishim ç’të shkëmbenim tani.
Unë sot jam me mjekët. Boll i linçuam edhe kur nuk kemi të drejtë (dmth më shpesh po sesa jo).

4 comments

  1. Put the idiot in jail for 5 years. And give him 5 more years probation after.
    And that’s how the others will be educated!

  2. Un qe po shkruaj jam mjek. Per te hequr modestine kam ndihmuar shume paciente dhe objektivi im eshte te kem mortalitet 0 te ul ditqendrimin ne spital te pacienteve….por a e mendoni qe ka gati nje vit qe pyes veten duke u nisur nga ngjarje te tilla te here pashershme neper spitale…Valle a ja vlen… qe ne vend te nje mirnjohje me nje falemderit te thjesht qe ti meriton, gjen nje mori fjalesh ku ajo qe te vret eshte: “Hajd se e di un se cfare doni ju,… se ju .. per pare e beni….”
    Me thoni a ja vlen qe te dalesh nga shpia qe nga mengjesi apo jo rralle edhe naten me idene qe sot duhet te ndihmosh ca njerez qe kane nevoje per ndihmen tende, qe te lesh familjen ku edhe femijet kane nevoje per nje prind qe me teper mungon se sa eshte me ta, qe te vesh zemren tende per pak me teper kujdes ndaj pacientit, te mendosh jo vetem kur je ne spital por edhe kur je ne shpi…se si do jete pacienti rende dhe se cfare duhet bere akoma per tja hequr nga thonjte, vdekjes, apo si do duhet tja lehtesosh dhimbjen pacientit apo edhe familjareve….. dhe ne fuuuund te dites degjon u dhunua nje mjek, apo nje infermier, ju be presion atij apo ketij.
    Vall a ja vlen qe njerzit paguajne per taxa ku paguhen POLOTIKAN por paguhen edhe mjek dhe kur me ate pagese ti mendohesh mire se ku do i besh pushimet sepse shtatori te gjen pa asnje lek te kursyer dhe jeta e nje njeriu ka te papritura.
    Mos vall ja vlen qe: po, te marresh rrugen e migrimit per pak kushte me te mira ne pune, per nje pagese me te mire, per nje mirnjohje me te madhe….?
    Po ketyre njerzve tane kush vall do u sherbej?
    A mos vall do vij ndokush nga Azia apo Afrika …per te punuar ketu? E pse te vijne ketu ku shahen e pershahen, kur vkerat ti shumezojne me zero qe nga politika e deri tek populli i thjesh….
    Perseri te mundon kjo pyetje: KUSH DO I SHERBEJ NJEREZVE TANE.
    Si mendoni miq per kete?

    • Te them te drejten nuk ta besoj kete modestine qe thua. Jemi vete neper dyert e spitaleve e po se dhe paren ste hedhin syte. Biles pa dal nga salla me ndane koleget e tu pazaret. Me kane shokuar gjeja me e turpshme qe mund te ndodh. Ka paciente qe skan buke te hane e ju kerkoni si lubi. Mos befshi hajer me lekun e shendetit dhe ju kthefshin tek ata qe doni me shume. Se vetem mjeke smund te quheni. Me vjen keq qe flas me kete gjuhe por eshte vertet fakt dhe te rebelon.

  3. Fenomeni i “mallkimit te mjekeve ” eshte i zakonshem tashme ne Shqiperi. Edhe vete kam qene paciente dhe familjare dhe kam share e mallkuar personelin mjekesor edhe duke qene vete pjese e tij. Por “Kur ske ci ben gomarit , i bie samarit” Se ne jemi njerez te dobet dhe nuk kemi fuqi te ngrihemi per te drejtat tona baze. Ne jemi te gjithe te mallkuar. Mjeket ne rradhe te pare qe kane nxjerre mundin, djersen dhe dinjitetin e tyre ne ankand, ku dhe injoranti te tregon si ta besh punen se te ka blere me lek, je prona e tij. Une si mjeke e re dorezohem para kesaj situate. Nuk i dua ato leke te qelbura, por ketu edhe per specializim duhet te paguash dhe s merr asgje, por as nuk meson asgje se mjeket me shume rrine cepave me familjaret ne pritje te lekut se sa diskutojne gjendjen e pacientit. Nuk ia vlen te qendrosh ne nje vend ku nuk te ka mbetur asnje shembull per tu ndjekur, ku shteti te ka vene litarin ne fyt dhe populli te sheh si armik. Me vjen keq per keta njerez por ne te rinjte jemi dorezuar, nuk vazhdohet me kshu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*