Rrjeti i Shoqatave të Pacientëve është një bashkim i shoqatave të pacientëve që synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve, edukimin e popullsisë mbi çështjet shëndetësore, avokimin dhe lobimin për të drejtat e pacientëve.
Rrjeti është një nismë e shoqatës “Together for Life”, e cila synoi me anë të këtij hapi forcimin e mëtejshëm të organizatave të pacientëve në Shqipëri dhe rritjen e ndikimit të tyre në sistemin shëndetësor njësoj si organizatat simotra në të gjithë botën.
Rrjeti i Shoqatave të Pacientëve synon një mbështetje të çdo pacienti i cili përballet me shkelje të të drejtave të tij në sistemin shëndetësor shqiptar dhe ndërhyrjen përmes instrumentave publikë dhe ligjorë për përmirësimin e situatës, por edhe duke bërë propozime për përmirësimin e kuadrit ligjor shëndetësor në Shqipëri.
Deri më tani, shoqata “Together for Life” në bashkëpunim edhe me shoqatat e tjera, si ajo e Diabetit, Dializës, Europa Donna Albania kanë ngritur në nivel kombëtar çështje të ndryshme të shkeljes së të drejtave të pacientëve, duke iu drejtuar edhe sistemit gjyqësor.
Shoqatat e bashkuara aktualisht në këtë rrjet janë:
- Shoqata “Together for Life”, si nismëtare
- Shoqata e Diabetit në Shqipëri
- Shoqata e Pacientëve të Hemodializës
- Shoqata e Pacientëve me Hepatite
- Shoqata e Talasemisë
- Europa Donna Albania
- Shoqata Kombëtare e Kujdesit Paliativ
Të gjitha shoqatat e pacientëve të cilat kanë të njëjtat synime e objektiva dhe që dëshirojnë t’i bashkohen këtij rrjeti janë të mirëpritura të na kontaktojnë në adresën tonë: propacientit@gmail.com