Denisa Canameti
“Në të gjitha qytetet situata është njësoj kaotike dhe nuk mund të bësh diferencime të dukshme, veçse në ndonjë eksperiencë konkrete të cituar”
Janë konsideruar të rrezikshme dhe bombë me sahat për shëndetin e popullatës por pavarësisht kësaj mbetjet spitalore në spitalin e Fierit vazhdojnë të hidhen pa kontroll. Në koshat e plehrave apo në tualetet e pacientëve gjen pa fund mbetje spitalore sa të mbështjella në qese plastike e sa të hedhura në gjendje të hapur. Pavarësisht se ekzistojnë disa kompani të licensuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, të cilat kontraktohen nga spitalet për t’í tërhequr mbetjet në incineratorët e ngritur, situata duket mjaft zhgënjyese.
Gjatë një vazhgimi në terren, janë lehtësisht të evidentueshme mbetjet e hedhura vend e pa vend.
Sipas planit Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve sasi të mëdha mbetjesh spitalore përfshihen në mbetjet urbane në vende ku ka spitale dhe klinika, gjithsesi një pjesë e mbetjeve spitalore të Tiranës digjen në mënyrë të vecuar. Sasia e këtyre mbetjeve do të rritet me zhvillimin e ekonomisë dhe përzjerja e tyre me rrymën e mbetjeve urbane është e papranueshme.
Sa u takon mbetjeve spitalore infektive, në raport thuhet se kjo është një rrymë prioritare mbetjesh dhe menaxhimi i sigurtë i mbetjeve nga sëmundjet infektive është i nevojshëm për të minimizuar risqet për shëndetin e punonjësve, pacientëve dhe publikut të gjerë. Janë bërë përpjekje nga Ministria e Shëndetësisë dhe OBSH-së për përmirësimin e situatës dhe janë siguruar disa paisje për sterilizimin e mbetjeve nga sëmundjet infektive të prodhuara nga spitalet.
Mungesa e menaxhimit të mbetjeve spitalore vazhdon të jetë një problem i madh, pavarësisht se jo rrallë është tërhequr vëmendje për ndryshimin e situatës.
Rrjeti i vigjilencës mjedisore: Situata e mbetjeve, kaotike
Sipas një raporti të bërë publik nga Rrjeti i vigjilencës mjedisore “Një sy për mjedisin” në nëntor të 2014-s mbetjet e kujdesit shëndetësor, përmbajnë mikroorganizma potencialisht të dëmshme të cilat mund të infektojnë pacientët në spital, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe publikun e gjerë. Rreziqe të tjera të mundshme infektive mund të përfshijnë përhapjen e substancave kimike rezistente në mjedis nga djegia e tyre; helmimet nga ndotja që lëshojnë produktet farmaceutike, në veçanti, antibiotikët dhe barna të veçanta; helmimet dhe ndotja përmes ujërave të zeza; helmimet dhe ndotja nga elemente toksike ose komponimet, të tilla si merkuri ose dioksina që çlirohen në ajër gjatë procesit të trajtimit apo asgjësimit të tyre. Në vendet në zhvillim, rreziqet shtesë ndodhin edhe ngatë ushqyerit e bagëtive me mbeturina në vendgrumbullimet e mbetjeve, si dhe nga klasifikimi manual i mbeturinave të rrezikshme nga qendrat e kujdesit shëndetësor.
Në përfundimet e raportit thuhet se:
“Vlerësimi është zhvilluar në 5 qytete me shtrirje gjeografike përfaqësuese në Veri, Jug, Shqipëri e mesme; me zhvillime të ndryshme historike, ekonomike, demografike etj. Pra, në 5 qytete me profile të ndryshme, me supozimin se këto ndryshime do të reflektoheshin diku në rezultatet tona, por jo. Në të gjitha qytetet situata është njësoj kaotike dhe nuk mund të bësh diferencime të dukshme, veçse në ndonjë eksperiencë konkrete të cituar. Kjo na tregon për një ngërç administrimi në nivel kombëtar dhe jo si rezultat i zhvillimeve të caktuara në nivel vendor.
“Në të gjitha hallkat e sektorit ka mungesë transparence dhe informacioni të aksesueshëm për publikun.
“87% e subjekteve prodhuese të mbetjeve spitalore përgjigjen që i njohin detyrimet ligjore që duhet të përmbushin në sektorin ku punojnë, por ndërkohë pjesa më e madhe e tyre nuk i zbatojnë ato. 27% e tyre nuk janë të pajisur me leje mjedisore dhe 64% e tyre nuk i administrojnë, mbetjet spitalore që prodhojnë, por më e keqja e konstatuar është se e gjithë kjo ndodh në të shumtën e rasteve me vullnet dhe dëshirë të plotë. Duhet të përmendim se ka përpjekje sporadike për vullnet të mirë dhe ndërgjegjësim sikundër është rasti i bashkëpunimit me spitalet; apo rasti i subjekteve që kontraktojnë për shërbimin e trajtimit të këtyre mbetjeve edhe pse përfaqësojnë vetëm 32%. Janë 10 subjekte të liçensuar për trajtimin e mbetjeve spitalore në vend prej të cilave 5 janë spitale shtetërore, 1 e atashuar me spitalin privat dhe është investim i këtij të fundit, dhe 4 janë kompani private. Në rastet e spitaleve, pavarësisht spital privat apo publik, ato trajtojnë vetëm një pjesë të kategorive të mbetjeve spitalore ndaj detyrimisht për pjesën tjetër kanë shërbim të kontraktuar me një prej kompanive private. Mbetjet farmaceutike në vend nuk trajtohen nga asnjë nga kompanitë e liçensuara për trajtimin e mbetjeve spitalore. Si rrjedhojë mendojmë që kjo kategori në vend nuk trajtohet fare, ose trajtohet nga subjekte që punojnë jashtë kushteve ligjore”.
Ligji nr. 9537, datë 18. 5. 2006 “ Për administrimin e mbetjeve të rrezikshme”
Ligji ka për qëllim të përcaktojë normat që rregullojnë administrimin e sigurt të mbetjeve të rrezikshme, grumbullimin, transportin, ruajtjen e përkohshme, përpunimin, trajtimin, asgjësimin, importimin dhe eksportimin e tyre.
Sipas këtij ligji, administrimi i mbetjeve të rrezikshme realizohet pa rrezikuar shëndetin e njeriut apo mjedisin dhe pa përdorur procese, të cilat mund të dëmtojnë mjedisin, veçanërisht: nuk paraqesin rrezik për ajrin, ujin, tokën, bimët dhe kafshët; personi që prodhon mbetje të rrezikshme paguan kostot e transportit, të rikuperimit dhe asgjësimit;
nuk shkaktojnë bezdi, me anë të zhurmës apo aromave; nuk ndikojnë negativisht mbi zonën rurale, urbane apo vende të tjera me interes të veçantë.
Mbetjet e rrezikshme nuk lejohen të përzihen me mbetje të tjera, përveçse kur përzierja është e dobishme për përmirësimin e sigurisë gjatë transportit, rikuperimit apo asgjësimit të tyre./ProPacientit
2 comments
Pingback: – Mbetjet spitalore në spitalin e Fierit, jashtë kontrollit. Edhe në tualetet e pacientëve! | GAZETA SHËNDETI
Pingback: Mbetjet spitalore në spitalin e Fierit të përhapura dhe në tualetet e pacientëve | Historia Ime