Emanuel Smaka
“Vaksinimi mund të evitojë 2 deri në 3 milion vdekje çdo vit”, vlerëson Organizata Botërore e Shëndetësisë në publikimin e bërë gjatë muajit shkurt të këtij viti. Sipas kësaj organizate, nëse mbulimi me vaksina do të përmirësohej, në botë mund të parandalohen edhe 1.5 milionë vdekje të tjera çdo vit. Mjekët shpjegojnë se vaksinimi është vendimi më i rëndësishëm për të parandaluar shumë sëmundje infektive. Duke folur për Pro Pacientit, mjekja infeksioniste Alma Hoxhaj argumenton se vaksinimi përveç mbrojtjes së vazhdueshme për individin, shmang fatalitetet.
“Qëllimi parësor i vaksinimit është që personi të jetë i mbrojtur nga sëmundjet deri në masën 100%. Në rastin kur fëmija apo i rrituri nuk janë vaksinuar, sëmundjet infektive shfaqin ndërlikime shumë të rënda, të cilat mund të jenë edhe fatale për jetën e pacientit. E kundërta ndodh kur individi është i vaksinuar. Përqindja e vdekjeve nga një sëmundje infektive për të cilën individi është vaksinuar, është pothuajse zero. Mund të themi që masa më e mirë parandaluese është vaksinimi. Sivjet kemi rastin konkret të fruthit. Ne e pamë që nga fruthi u prekën foshnje nën 1 vjeç të pa vaksinuara apo foshnje mbi 1 vjeç, prindërit e të cilëve nuk ua kishin bërë vaksinën kundër fruthit. Këtë vit kishim mjaft raste të vdekjeve foshnjore për shkak të fruthit, por ato ndodhën pikërisht tek të pa vaksinuarit. Këto sëmundje mund të parandalohen pikërisht përmes vaksinimit. Vaksinat e detyrueshme duhet patjetër të bëhen gjatë jetës, por edhe ato fakultative siç është vaksina kundër gripit, mbrojnë nga sëmundjet.”, thotë Hoxhaj.
Në botë ekzistojnë edhe lëvizjet e quajtura “anti vaksinë”, ku prindërit refuzojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre për shkak të frikës nga autizmi. Të tilla raste janë evidentuar edhe në vendin tonë, ku refuzimi i vaksinimit të foshnjeve gjatë vitit të parë të jetës argumentohet si frikë nga sëmundje të tjera. Por mjekja Hoxhaj hedh poshtë të tilla teori.
“Lëvizjet anti-vaksinë janë shumë të dëmshme, pasi praktikisht pa vaksinë individi nuk është i mbrojtur nga sëmundjet. Ka shumë raste që prindërit e lidhin vaksinën e fëmijës së tyre me autizmin. Por studimet shkencore kanë treguar totalisht të kundërtën. Vaksina nuk ka lidhje me autizmin, përkundrazi është mënyra më e mirë për t’i mbrojtur fëmijët nga sëmundjet infektive”, përfundon mjekja.
Qytetarë të rastësishëm të pyetur nga Pro Pacientit pohojnë se i kanë vaksinuar fëmijët e tyre. Por gjithashtu shtojnë se lajmet për lidhje të autizmit me vaksinën i shqetësojnë vazhdimisht.
“Unë për vete i kam vaksinuar fëmijët. Mendoj se duhet të vaksinohemi të gjithë përderisa çdo shtet përcakton se vaksina parandalon sëmundje. Por edhe ne kur shohim lajme në internet apo dëgjojmë nga të tjerët se vaksina shkakton autizëm, shqetësohemi shumë. Prindërit e rinj më tepër e shmangin vaksinimin e foshnjave, por unë mendoj se është diçka që duhet bërë nga të gjithë”, tregon një zonjë rreth të dyzetave.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, “vaksinimi ka për qëllim mbrojtjen e popullatës nga sëmundje si hepatiti, fruthi, difteria, pneumonia, shytat, poliomieliti, kolla e mirë, rubeola, tetanozi, diarrhea nga rotavirusi dhe kanceri i qafës mitrës. Këto sëmundje sipas ISHP-së, “nëse nuk parandalohen nga vaksinat mund të lënë paaftësi e të çojnë deri në vdekje”. Në datat 23-29 prill shënohet Java Evropiane e Vaksinimit. Synimi kryesor gjatë kësaj jave është promovimi i përfitimit që i sjell vaksinimit shëndetit të përgjithshëm publik. / Pro Pacientit