Tregtimi i mishit jashtë standardeve, AKU shmang përgjegjësitë

Elona Tereziu

Siguria ushqimore dhe cilësia e produkteve që konsumojmë është vënë shpesh herë në pikëpyetje ndërkohë që nuk kanë munguar as rastet kur janë konstatuar probleme serioze.

Një shqetësim që gazeta “Shëndet +” e ka ngritur herë pas here është cilësia dhe siguria e produkteve të mishit që qytetarët konsumojnë.

Pas një denoncimi të mbërritur në redaksinë tonë lidhur mbi tregtimin e mishit  jashtë çdo standardi (jo në kushte frigoriferike  dhe ambiente të hapura) pranë tregut të ish- Uzinës Dinamo, “Shëndet +” iu drejtua AKU-së (Agjencia Kombëtare e Ushqimit) me një shkresë zyrtare, ku u kërkua të bëhej e ditur (bazuar mbi planin e kontrolleve zyrtare) se kur ishte monitoruar ky treg për herë të fundit.

Megjithëse kërkesa u refuzua duke u kërkuar një takim i drejtpërdrejtë me gazetarët, përsëri AKU nuk dha asnjë sqarim lidhur mbi këtë çështje, duke deklaruar se është mjaft e zënë me punë në terren dhe nuk ka kohë të merret me mediat, dhe se as një ligj mbi të drejtën e informimit nuk e detyron të përgjigjet.

Duke marrë në konsideratë shmangien e përgjegjësive nga AKU, “Shëndet +” iu drejtua mjekëve infeksionist lidhur mbi këtë çështje duke kërkuar një sensibilizim qytetar për rrezikun shëndetësor që u kanoset konsumatorëve në këtë rast.

Alma Hoxha, infeksioniste në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë tregon se tregtimi i mishit në kushte të tilla (jo frigoriferike, me proces ngrirje-shkrirje dhe në ambiente të hapura) bëhet terren i përshtatshëm jo vetëm për zhvillimin e salmonelës, por dhe një sërë infeksionesh të tjera.

“Tregtimi i mishit në kushte të hapura, siç shihet në foto (sidomos ai i pulës) dhe me një proces ngrirje-shkrirje disa herë, është terren shumë i përshtatshëm për zhvillimin e salmonelës por nuk përjashtohen edhe infeksionet e tjera bakteriale. Pra, mundësia për të marrë infeksione në këtë rast është shumë e lartë.

Salmonela është një nga sëmundjet më të rëndësishme të traktit tretës e cila zhvillohet në kushte jo të mira sanitare. Shoqërohet me temperaturë të lartë, ethe dhe diarre, pra hyn tek sëmundjet e rënda.

“Ka disa kushte higjieno-sanitare që duhen zbatuar  gjatë ruajtjes dhe tregtimit të produkteve ushqimore për ruajtjen e shëndetit të popullatës, e aq më tepër kur bëhet fjalë për produktet e  mishit që e ka të detyruar. Ne rekomandojmë që edhe thikën në shtëpi, nëse  e kemi përdorur për të prerë mish, ta lajmë para se ta përdorim përsëri për të prerë diçka tjetër, për shkak të infeksioneve që mund të sjellë. Jo më në kushte të tilla, ku minimumi mishi duhet të ruhet në kushte të mbyllura, frigoriferike, shitësja të përdori doreza dhe të ketë një lavaman me ujë të rrjedhshëm për të larë duart herë pas here.

Shitësja duke kapur mishin, kap edhe produkte të tjera dhe mund të na e transmetojë salmonelën edhe tek produktet e tjera ushqimore. Për të mos folur pastaj për mushkonjat, mizat apo qentë e rrugës, që mblidhen zakonisht në këto raste.

E vetmja gjë që i mbetet  konsumatorit në këtë rast është që të jetë i kujdesshëm dhe kur blen, të blejë shëndetin në radhë të parë.”

Ndërkohë që sipas ligjit për therjen dhe tregtimin e mishit të kafshëve, neni 9, 10 dhe 12 sanksionon se ndalohet rreptësisht tregtimi i tij në ambiente të hapura, rrugë kombëtare apo lokale ndërkohë që ruajtja frigoriferike duhet bërë në temperaturë 7-12 gradë. Në rast shkelje AKU merr masa nga gjobë deri në bllokim të aktivitetit.

E megjithatë, pavarësisht se gazeta “Shëndet +” e ndau këtë shqetësim të denoncuar pranë redaksisë tonë me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, në një monitorim të dytë, pas më shumë se 20 ditësh, situata vazhdon të mbetet e njëjtë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*