Thirrje për gjak në QSUT, bluzat e bardha pjesëmarrje të ulët

Elona Tereziu

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ Tiranë, ka organizuar sot një aktivitet dhurimi vullnetar gjaku. Ky aktivitet, i realizuar në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, synoi t’u vijë në ndihmë pacientëve që e kanë domosdoshmëri jetike transfuzionin, si dhe për të sensibilizuar opinionin publik për rëndësinë e dhurimit vullnetar.

‘Ftohet i gjithë ekipi mjekësor dhe administrativ, që ditën e martë në datën 5 shtator, duke filluar nga ora 10:00 e në vijim, të paraqiten pranë godinës së spitalit të Djegie Plastikës dhe Spitalit Francez (shërbimi ORL) për të dhuruar gjak. Nëse ka familjarë apo individë të ndryshëm që duan t’i bashkohen kësaj nisme, janë të mirëpritur’ thuhej në njoftimin e bërë publik dje në faqen zyrtare të QSUT-së.

Siç ishte lajmëruar, të ndarë në dy qendra dhurimi, personeli mjekësor i Bankës Kombëtare të Gjakut ka pritur përgjatë gjithë ditës së sotme (10-14:30) dhurues vullnetar.

E kontaktuar nga “Shëndet+”, Vjollca Spahiu, mjeke transfuziologe në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut falënderoji administratën dhe personelin që treguan gatishmërinë maksimale për t’iu bashkuar nismës.

Në fjalën e saj, midis të tjerash, Spahiu tha se pritej një pjesëmarrje më e gjerë.

Doktoreshë, si shkoi dita sot, sa është numri i personave/personel që janë ofruar për të dhuruar?

Apeli është bërë për një pjesëmarrje më të gjerë. Por, duke parë dhe aspektet e punës, ne jemi në pritje të personelit mjekësor (meqenëse janë edhe me turne dhe një pjesë janë dhe në punë). Deri tani (13:30) janë bërë 31 dhurime.

Në njoftim thuhej se priten edhe dhurues të jashtëm… A ka patur dhurues nga jashtë QSUT-së?

Përveç personelit mjekësor, për momentin nuk ka patur. Ndoshta nuk kanë dijeni, mund të mos kenë informacion. Pjesa e informacionit është shumë e domosdoshme, si me gojë por dhe me afishe. Njerëzit duke parë posterat ndërgjegjësohen.

A ka një shpërndarje të ekipit edhe në ambiente të tjera, në klinika private?

Sipas njoftimit të nëndrejtoreshës së QSUT-së, kjo iniciativë do të vazhdojë deri në 14:30, këtu jemi. Por mund të rrimë edhe më vonë nëse do ketë fluks. Do të krijojmë ekip që të rrijë edhe pasdite.

A mund të na përmendni disa nga emrat e bluzave të bardha që i janë përgjigjur thirrjes?

I pari ka trokitur doktor Tritan Kalo. Më pas, dr. Arben Ivanaj, dr. Arjan Harxhi, dr. Zamir Kaçi, dr. Arvin Dibra, etj. Ka patur gjithashtu pjesëmarrje të gjerë të infermierëve, sanitareve të cilët janë bashkuar me dëshirë. Ka patur nga ata që pavarësisht dëshirës së madhe nuk janë lejuar të dhurojnë për arsye të ndryshme: dikush po merr mjekim, dikush ka marrë antibiotik etj.

Meqë përmendet rastet e personave që nuk mund të dhurojnë, a mund të përmendni disa kritere përjashtuese. Pra, në cilat raste nuk mund të dhurojmë gjak?

E rëndësishme është që; personi të jetë i shëndetshëm; të mos ketë marrë antibiotik në dyjavëshin e fundit; të mos ketë kryer operacion gjashtëmuajshin e fundit; të mos jetë shtatzënë; të mos ketë bërë abort; të mos jetë përdorues i lëndëve narkotike; të mos ketë bërë tatuazh( ka qenë deri në 6 muaj përjashtimi, tani është deri në 3 muaj meqenëse është futur një aparat i ri dhe ai i dikton më shpejt infeksionet që personi mund të ketë marrë) . Shpresojmë që ata që afrohen për të dhuruar të jenë të përshtatshëm dhe bashkëpunues. Duhet të na tregojnë të vërtetën. Nëse dikush dyshon për veten e tij, më e mira është të mos dhurojë gjak, por të paraqitet për analiza në qendrën e shëndetit publik./ ProPacientit.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*