Denisa Canameti
Rasti i 16 vjeçares që ndërroi jetë nga një ndërhyrje në një nga spitalet private të kryeqytetit, mori sot vëmendjen e të gjitha mediave. Të afërmit e të ndjerës në shenjë revolte dhe dhimbje akuzuan spitalin për këtë ngjarje fatale. Sipas tyre, shkak ka qenë një temperaturë e lartë pas operacionit (shpjegim ky i dhënë nga mjekët).
Menjëherë pas ngjarjes, kanë qenë të shumtë qytetarët e thjeshtë por edhe mjekët të cilët kanë komentuar në rrjete sociale. Edhe pse ende nuk është dhënë versioni përfundimtar nga mjekësia ligjore, kryetari i shoqatës së Anestezi-Reanimacionit, Tritan Shehu, konfirmon se shkaku ka qenë një komplikacion anestetik i rëndë e me mortalitet shumë të lartë kudo në botë, hipertermi malinje.
Ai sqaron se ky ndërlikim është pothuaj i pamundur të paradiagnostikohet e të parandalohet; ai vjen nga nje çlirim masiv energjish termike nga muskujt, si pasojë e aplikimit të substancave të anestezisë.
I kontaktuar nga Pro Pacientit, mjeku me iniciale A.S shpjegon se: “Hipertermia malinje ka antidot vetëm dantrolene (“antihelm” nëse e quajmë) dhe me rregullore të OBSH-së duhet që çdo sallë operatore të ketë në gjendje 36 flakon 24/24. Vdekje të tilla kanë ndodhur fatkeqësisht të paktën 6 në 4 vitet e fundit. Vazhdon të jetë i paregjistruar nga Ministria dhe nuk ka asnjë protokoll për përballimin e kësaj situate. Medikamentet anestetike janë helme dhe kanë antihelmet e tyre. Dantrolene vazhdohet për një javë, minimumi 3 ditë. Pra, nuk mjafton 1 ampulë apo flakon, por është antidot që merret 24 orë non-stop në venë për të paktën 3-7 ditë. Sepse hipertermia malinje është helmim” shprehet mjeku me iniciale A.S për Pro Pacientit.
Ky nuk do të ishte rasti i parë që do të ndërronte jetë për shkak të mungesës së Dantrolenit në sallën e operacionit. Hipertemia malinje është efekt i padëshirueshëm dhe i paparashikueshëm i anestezisë (narkozës) që duhet konsideruar si helmim./ ProPacientit.com