Denisa Canameti / Elona Tereziu
“Lexojmë çdo ditë lajme, pa burim dhe pa fakte, dhe kjo po cenon rëndë besueshmërinë e njerëzve te gazetaria”. Kështu u shpreh Egla Bardhi, drejtore ekzekutive e shoqatës “Together for life”, në një trajnim me gazetarët, lidhur me korrupsionin në shëndetësi dhe të drejtat e pacientëve.
Me një eksperiencë të gjatë në fushën e gazetarisë, e përqendruar në sektorin e shëndetësisë, Bardhi u ndal veçanërisht te evoluimi i gazetarisë dhe rëndësia e të qenët profesional.
“Ne kemi shumë shpresa tek të rinjtë dhe, siç mund të shikohet, edhe pjesa më e madhe e pjesëmarrësve këtu sot janë të rinj, që punojnë kryesisht në portale.
“Është shumë e rëndësishme që të mësojmë disa koncepte bazë si të raportojmë një lajm. Duhet të jemi të vetëdijshëm që nëpër portale lexojmë shumë lajme të cilat nuk kanë minimum një burim, pra nuk janë të faktuara. Unë do thosha vetëm diçka: saktësia është shumë e rëndësishme për një gazetar që e sheh veten afatgjatë në këtë treg”, tha Bardhi.
Pjesa e parë e këtij aktiviteti u moderua nga gazetarja Ilva Tare, e cila prej 1994-s është një figurë mjaft e suksesshme televizive.
“Cilat janë sfidat e të qenët i saktë, i shpejtë dhe konciz”? Përgjatë gjithë prezantimit të saj Ilva u përqendrua që t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje, duke u nisur që nga të paturit e një blloku shënimesh dhe një stilolapsi (smartphone, IPAD etj) para se të nisesh për te lajmi e deri te rëndësia e konfirmimit të lajmit përmes burimeve.
“Të jesh i suksesshëm është një përpjekje që mund të mos japë rezultatin e duhur, por të bësh gabime jep dëme të parikuperueshme. Profesionist bëhesh duke punuar çdo ditë. Personalisht, kam ndjekur gazetarinë e bazuar te puna dhe integriteti.
“Duke kërkuar të bëjmë më të mirën, duke kërkuar të bëjmë një lajm sa më të sofistikuar, ne i kemi ikur bazikës, i kemi ikur thelbit. Në kronikat televizive mungon A-ja e gazetarisë, mungon Kush, Çfarë, Pse, Ku, kur, dhe kjo në vetvete e ka dëmtuar shumë cilësinë e raportimit dhe besueshmërinë e publikut. Sot shkruhet për një person që nuk është takuar/kontaktuar kurrë. Kjo ka bërë që mediave t’u bie besueshmëria. Aty ku ka sasi, bie cilësia. Në Shqipëri, ndoshta dhe për shkak të ngarkesës, por edhe stafeve të vogla, ndodh që një gazetar të bëjë disa kronika në ditë. Ditën kur lajmi të jetë qytetari, atëherë gazetaria do të vlerësohet”, u shpreh Ilva.
Pjesa e dytë e trajnimit u përqendrua te investigimi dhe dallimi i gazetarisë investigative nga aktualiteti. Arlinda Gjypi, menaxhere projektesh tek shoqata “Together for Life”, tha se gazetaria investigative zbulon çështjet që janë të “fshehura” ose qëllimisht nga dikush me fuqi, ose aksidentalisht pas një mase kaotike faktesh dhe rrethanash dhe analizon dhe ekspozon të gjitha këto fakte për publikun.
Trajnimi u organizua nga Shoqata “Together for Life” me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, me qëllim që gazetarët të aftësohen në gazetarinë investigative për të qenë më të saktë në pasqyrimin e lajmeve, por edhe më profesionalë në publikimin e tyre.
Të drejtat e pacientëve janë të miratuara në Shqipëri që prej vitit 2010, megjithatë njohja dhe respektimi i tyre mbeten një nga sfidat më të mëdha në sistemin shëndetësor, ndikuar në një masë të madhe nga niveli i lartë i korrupsionit në këtë sistem.
Teksa Shqipëria po synon në futjen në BE, zbatimi i ligjit dhe ndjekja e rekomandimeve për sistemin shëndetësor janë shumë të rëndësishme. Trajnimi i gazetarëve dhe rritja e profesionalizmit të tyre do të çojë në rritje të presionit që ushtrohet ndaj qeverisë për të realizuar politika më të mira sociale dhe për të zbatuar më mirë ligjet në fuqi.