Rrjeti i Qytetarisë Aktive organizon sot edicionin e 11-të të Ditës Evropiane të të Drejtave të Pacientëve me një konferencë ndërkufitare që mbahet në Bruksel.
Shqipëria përfaqësohet nga koordinatorja e projekteve tek shoqata “Together for life” dhe kryeredaktorja e gazetës ‘Shëndet+”, Arlinda Gjypi.
Qëllimi i kësaj konference është të diskutohet, informohet dhe sugjerohen objektiva të reja në sistemet rregullatore mjekësore aktuale, evropiane dhe kombëtare, për menaxhim më të mirë të qasjes në inovacion.
Eventi do të jetë një mundësi për të informuar, diskutuar dhe angazhuar në respektimin e të drejtave të pacientëve dhe përfshirjen e tyre në marrjen e vendimeve dhe proceset rregullatore në nivel kombëtar dhe evropian.
Legjislacioni evropian ka siguruar disa mjete për të lehtësuar sigurimin në kohë të terapive. Megjithatë, në shumë raste procedurat e gjata kombëtare për rimbursim mund t’i vonojnë ato.
Për shkak të çmimeve të ndryshme, kohës së autorizimit, sigurimit të informacionit dhe kritereve në shpërndarje, sidomos në ilaçet e reja, vazhdojnë pabarazitë mes pacientëve, madje janë përkeqësuar edhe më shumë me adoptimin e masave ashpërsuese dhe reduktimin e shpenzimeve në kujdesin shëndetësore në shumë Shtete Anëtare që nga viti 2009.
Autoritetet rregullatore evropiane dhe kombëtare, shoqatat e pacientëve dhe kompanitë duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer barrierat dhe pabarazitë.
Prandaj, hapi i parë që duhet të ndërmerret është të bëhet një përcaktim i saktë dhe i njëjtë për inovacionin, si dhe procedurat aktuale dhe transparenca e tyre, për autorizimin, çmimet dhe rimbursimin, dhe kapërcimin e boshllëkut të krijuar si nga mungesa e informacionit ashtu edhe përfshirja e pacientëve në këto procese.
Pavarësisht diferencave, çdo Sistem Shëndetësor Kombëtar i Shteteve Anëtare në Bashkimin Evropian duhet të garantojë të njëjtat të drejta tek pacientët dhe njerëzit në përgjithësi.
Temat që do të trajtohen
Modeli aktual i sistemit rregullator në Evropë dhe pikëpamja e shoqatave civile apo të pacientëve.
- Si të sigurohet një qasje e barabartë, në kohë dhe e përshtatshme në inovacion?
- A duhet të rritet roli i Agjencisë Mjekësore Evropiane?
Eksperienca kombëtare në menaxhimin e risive
- Sukseset dhe dështimet e produkteve mjekësore në shtete të ndryshme evropiane (për shembull, hepatiti c) dhe eksperienca të tjera (për shembull, pajisje mjekësore).
Përfshirja e shoqatave të pacientëve në procesin rregullator
- Ndarja e eksperiencave në përfshirjen e shoqatave të pacientëve tek Agjencia Mjekësore Evropiane dhe angazhimet e pacientëve në proceset e agjencive mjekësore kombëtare.