Denisa Canameti
Numri i pacientëve që presin mjekët e urgjencës së spitalit të Traumës janë rreth 150 në ditë. Pra, rreth 1000 pacientë në 7 ditë që ka java. Kjo bën që personeli shëndetësor i këtij spitali të punojë mbi kapacitetet.
Spitali Universitar i Traumës, prej 25 vitesh është një nga spitalet më të rëndësishme të Shqipërisë. Ka shërbyer si qendër trauma në situatat me kritike të vendit. Është i vetmi spital i këtij lloji në Shqipëri. Por, pavarësisht rëndësisë që ka ky spital, thuajse gjithmonë është përmendur për mungesat e shumta në materiale mjekësore. Para dy viteve, në nëntor të 2015-s, përmes një letre drejtuar kryeministrit Rama, mjekët e këtij spitali veç kërkesës për të mos kaluar këtë spital në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, renditën edhe disa problematika që sipas tyre vështirësojnë punën e përditshme.
“Kemi pasur vazhdimisht mungesa në barna dhe materiale mjekësore. Ka pasur vazhdimisht ndërprerje të aktivitetit të sallave të operacionit për shkak të mungesave materiale. Në këtë spital trajtohen rreth 44 000 urgjenca në vit, shtrohen rreth 3600 pacientë dhe nga këto 50% e tyre vijnë nga rrethet” janë shprehur mjekët.
Problem për spitalin e Traumës është numri shumë i lartë i pacientëve. Drejtori i këtij spitali, Gjovalin Bushi, thotë për “Pro Pacientit” se njerëzit vijnë nga të gjitha rrethet edhe për një frakturë krahu.
“Spitali i Traumës është i vetmi spital në Shqipëri dhe mbulon traumën në të gjithë vendin me 100 deri 150 pacientë në ditë. Nuk ka asnjë vend në botë që i kalon 20. Nga Tropoja vjen pacienti vjen këtu, për një frakturë krahu. Në këto kushte është tamam spital lufte. Nuk ka vend për pacientët.
“Pra, me aq trauma në ditë nuk ka asnjë spital në botë me këtë ngarkesë, sepse ata i kanë të shpërndara, po e zë në Pukë ose në Përmet, por të ketë njëqind e ca trauma është goxha. Edhe me gjithë këtë punë, prapë është një spital i cili është lënë pas dore” u shpreh Bushi./ https://propacientit.al/