
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prezantoi standardet specifike për çdo institucion shëndetësor, plotësimi i të cilave do të jetë bazë për akreditimin dhe licencimin e tyre gjatë vitit 2018.
Në një takim të mbajtur me drejtues dhe mjekë të spitaleve publike e private si dhe ekspertë të fushës, ministrja Ogerta Manastirliu tha se gjatë vitit të ardhshëm spitalet dhe qendrat shëndetësore do të certifikohen në bazë të cilësisë, ndërsa qendrat private që nuk plotësojnë kriteret do të pezullohen apo mbyllen plotësisht.
“Çdo shërbim që aksesohet nga qytetarët dhe ofrohet për pacientët kudo në sistemin publik dhe privat, do kërkohet të plotësojë standardet dhe të akreditohet. Gjatë vitit 2018 do të rendisim sipas niveleve të akreditimit të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor, që nga qendrat shëndetësore e deri të spitalet universitare për plotësimin e standardeve bazë në shërbimin publik. Sa i takon strukturave shëndetësore jopublike, të cilat nuk i plotësojnë standardet, bazuar në ligjin e kujdesit spitalor, aktiviteti i tyre do të pezullohet e më pas, do të mbyllet nëse nuk arrijnë të plotësojnë kriteret”, u shpreh Ministrja Manastirliu gjatë konferencës.
Përmes faqes zyrtare të ministrisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se programi i akreditimit do të kalojë në dy faza. Së pari do të bëhet vlerësimi i institucioneve shëndetësore për plotësimin e standardeve bazë dhe më pas do të bëhet vlerësimi i standardeve optimale të të gjitha atyre institucioneve që i kanë plotësuar 100% standardet bazë në fazën e parë mbikëqyrëse.
Janë 258 standarde bazë që do të duhet të plotësojë çdo strukturë universitare për t’u konsideruar e tillë dhe 233 standarde optimale për të garantuar cilësinë maksimale të shërbimit.
Po ashtu janë përcaktuar 186 standarde bazë spitalore dhe 294 standarde optimale, ndërsa sa i takon kujdesit parësor janë parashikuar 33 standarde bazë dhe 58 standarde optimale për ofrimin e shërbimit cilësor për pacientët.
Sipas ministrisë në Shqipëri janë 54 spitale publike dhe jopublike, 415 QSH publike, rreth 1900 pika ambulatore, 122 klinika private, 408 laboratore private, 1416 klinika stomatologjike dhe rreth 1300 farmaci. Nga këto janë vetëm 5 spitale të akredituara publike dhe jopublike si dhe 1 qendër shëndetësore e akredituar. Ndërkohë janë në proces akreditimi 48 qendra shëndetësore dhe 11 klinika private.
Në përfundim të këtij vlerësimit, brenda vitit 2018 sipas ministrisë do të listohen spitalet sipas standardeve që ato do të plotësojnë.

PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve