
Shoqata Together for Life në bashkëpunim me Shoqata e Diabetit në Shqipëri ka realizuar sot një takim me pacientë për të diskutuar rreth nismës, për ndryshimin e sistemit të referimit për pacientët kronikë, me qëllim thjeshtimin e marrjes së mjekimit.
Disa nga problemet dhe ankesat e pacientëve kronikë por edhe mjekëve që u diskutuan në takim kishin të bënin me zbatimin e plotë të sistemit të referimit duke filluar që nga mjeku i familjes; ruajtjen në sistem të të dhënave për rekomandimet apo analizat mjekësore që kryejnë pacientët kronikë, duke shmangur kështu pakënaqësitë apo radhët e shumta për pacientët si dhe koston e punës për mjekët e familjes; mungesën e mjekëve dhe personelit mjekësor çka i detyron pacientët t’i drejtohen shërbimit shëndetësor jopublik, etj

Gjatë Takimit me pacientët kronikë dhe shoqatat e Pacientëve, pjesmarrësit paraqitën vështirësitë e ndeshura në sigurimin e shërbimit shëndetësor përmes sistemit të referimit. Një nga ankesat kishte të bënte me mungesën e shërbimit të pediatrisë për fëmijët me diabet. Prindi i fëmijës, i cili ishte me banim në Tiranë (por të tjerë janë me banim jashtë Tiranës), detyrohej që 1/6 muaj të shkonte në Poliklinikën ku banonte për të marrë një vulë (rekomandim) me qëllim që të mundësonte shërbimin mjekësor pediatrik për fëmijën tek QSU “Nënë Tereza”, Tiranë. Veçanërisht, për fëmijët që kanë sëmundjen e diabetit njëri nga prindërit nuk mund të punojë pasi është i angazhuar me kujdesin ndaj fëmijës.
Në raste të tjera, pacientëve u ofrohet mjekim pa bërë më parë analizat mjekësore. Në raste të tjera, vendoset shtrimi në spital i pacientëve pa qënë nevoja pasi ata këtë mjekim mund ta marrin në mënyrë ambulante. Kjo e ngarkon sistemin në mënyrë të panevojshme, ka kosto si dhe privon ata pacientë që kanë nevojë realisht për trajtim spitalor. Kjo situatë dikton nevojën për mjekim efektiv që në hallkat e para të ofrimit të shërbimit mjekësor.
Një paciente tjetër u ankua pasi i është dashur që analizën e Hemoglobinës ta kryejë në klinikë private kundrejt pagesës, për shkak të planifikimit të afërt të datës së vizitës mjekësore dhe nevojës për ta paraqitur këtë analizë në këtë vizitë. Kjo i ka shkaktuar kosto financiare të ndjeshme madje të panevojshme, duke patur parasysh se ajo kishte të ardhura financuare të kufizuara (pensioniste).
Pacientët shprehën shqetësimin se në Poliklinikën nr. 9 nuk ka mjek pediatër endokrinolog.
Gjatë takimit u sugjerua që, për fëmijët me sëmundjen e diabetit deri në moshën 14 vjeç, të shmanget vizita (tek Poliklinika nr. 9) por nga mjeku i familjes, pacienti të shkojë drejtëpërdrejtë tek QSU “Nënë Tereza”, Tiranë.
Një pacientë u ankua se i duhej të bënte analiza qoftë për vizitën tek mjeku specialist qoftë edhe për vizitën në QSU “Nënë Tereza”, Tiranë.
Një ankesë tjetër kishte të bënte me lehtësirat financiare për kryerjen e analizave për punonjës që kanë punuar në profesione të vështira (si industria kimike, etj).
Një sugjerim tjetër nga pacientët e pranishëm kishte të bënte me nevojën që mjeku i familjes të identifikonte se cilat analiza janë të nevojshme për t’u realizuar psh çdo 3 muaj, sipas një grafiku të planifikuar për kohën e analizave. Kjo do të shmangte zvarritjen dhe kostot financiare të pacientëve.”
Ky aktivitet u realizua në kuadër të Projektit Projektit “Ndryshime në kuadrin ligjor për sistemin e referimit për pacientët me sëmundje kronike”, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve