Denisa Canameti
Nëse për të bërë një vizitë te konsultat e QSUT-së duhet të zësh radhën 3 javë përpara, në Spitalin e Traumës qendra e konsultave rri bosh. Kjo sepse mjekët e shërbimit sekondar nuk kanë të drejtë që të referojnë pacientë në SUT. Mjekët specialistë shprehen se kjo mënyrë e të funksionuari i pengon ata që të jenë në kontakt me pacientët.
“Në SUT janë të gjitha specialitetet. Por Fondi ka kontratë vetëm për ortopedi dhe kirurgji, pasi ky është spital Traume. Ne presim pacientë që dërgon kirurgjia dhe ortopedia.
“Qendra e konsultave është bosh në spitalin e Traumës. Janë të gjitha kabinetet e specialiteteve që rrinë bosh” shprehen mjekët specialist të Qendrës së Konsultave.
Ky shqetësim është ndarë edhe me drejtuesit e spitalit të Traumës, madje disa nga mjekët shprehen se janë konsultuar edhe me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, e megjithatë nuk kanë mundur që të marrin një zgjidhje të kënaqshme.
I kontaktuar nga redaksia e “Pro Pacientit”, drejtori i Spitalit të Traumës Gjovalin Bushi u shpreh se është i njohur me këtë pretendim të mjekëve specialist.
“Po, jam në dijeni të këtij pretendimi të mjekëve specialist. Nuk kam bërë asnjë përpjekje për të ndryshuar diçka në sistemin e referimit. Nuk mund të marr unë përsipër që të trajtoj kancerin, për shembull. Ka spital Onkologjik për atë punë. Mjekët specialist këtu janë në shërbim të pacientëve të Spitalit të Traumës. Nëse do kërkohej një zgjidhje, më mirë që specialistët të shkojnë në QSUT. Sepse këtu nuk kam më ambiente për pacientë të tjerë” u shpreh Bushi./ https://propacientit.al/