
(Foto Ilustruese)
Një ndër pikat kryesore të strategjisë 2020 që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lançoi gjatë këtij muaji, është Sistemi i Patronazhimit të Spitaleve. Kjo nismë do të fillojë të zbatohet në janar të vitit të ardhshëm, ndërsa ka si qëllim që spitalet universitare dhe mjekët e tyre të asistojnë në spitale rajonale.
“Sistemi shëndetësor nuk do të shihet si i fragmentuar. Kemi gati planin për spitalet universitare, të cilat do të nisin zbatimin e një modeli të ri patronazhimi dhe bashkëpunimi me spitalet rajonale në vend, duke plotësuar mbi baza ditore nevojat me mjekë specialistë sipas kërkesave që kanë spitalet rajonale”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Tashmë ministria ka ndarë edhe kompetencat e 3 spitaleve universitare. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të asistojë spitalet e Korçës, Elbasanit, Beratit dhe Dibrës. Spitali Universitar i Traumës do të ketë në patronazh spitalet e Gjirokastrës, Vlorës dhe Fierit. Ndërkohë ministria bën me dije se Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” do të shërbejë si institucion mbështetës për spitalet e Lezhës, Kukësit dhe Shkodrës.
Ndërkohë, gjatë daljeve publike, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shpjeguar se kjo nismë do të shërbejë për shmangien e radhëve në spitalet universitare si dhe ofrimin e shërbimit mjekësor më afër pacientëve në rrethe.
“Incentivat financiare dhe bonuset që kemi përcaktuar do të jetë instrumenti që do mundësojë shpërndarjen e mjekësve aty ku është nevoja, pra spitalet universitare do të dërgojnë në ditë të caktuara mjekë specialistë për të dhënë shërbim të specializuar në spitalet rajonale, e për të shmangur kështu mbingarkesën në spitalet e Tiranës, por mbi të gjitha për të afruar shërbimin mjekësor aty ku është nevoja. Asnje spital nuk do të dergoje pacientë direkt në spitalet universitare, pa ndjekur sistemin e brëndshëm referimi dhe pa u konsultuar me mjekët e shërbimit terciar”.
Prej ditësh, ministrja ka nisur edhe prezantimin e drejtuesve të rinj në spitalet e rretheve dhe ata të kryeqytetit, të cilët do të jenë të parët që do të zbatojnë sistemin e patronazhimit në spitalet e vendit. / E.S. Pro Pacientit
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve