Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Shoqata “Together for Life”, Shoqata e Pacientëve të Dializës, Europa Donna Albania, Shoqata e Pacientëve me Hepatite, Shoqata e Diabetit në Shqipëri organizuan sot një aktivitet me në fokus adresimin e problematikave të qytetarëve pas përballjes me sistemin shëndetësor shqiptar. Ky aktivitet përkon edhe me Ditën Botërore të Veshkave.

Pacient duke shkruar ankesat e tij për sistemin shëndetësor
Nën sloganin “Shëndeti është e drejta ime, ndaj dua…” shumë qytetarë iu përgjigjën kërkesës për të shkruar atë të drejtë të parespektuar. Ilaçet e shtrenjta, rimbursimet, check-up-i, koha e gjatë e pritjes për të marrë shërbim shëndetësor, mitmarrja, ishin disa nga problemet që u firmosën nga vetë qytetarët.
“Unë jam pensionist, invalid i përhershëm, jam me tre diagnoza. Ilaçet i marrim me shumë lekë, nuk na rimbursohen. Quhem Bafte Dema, ish-minator në Bulqizë, jam krejtësisht i pakënaqur”.
“Kam 1 muaj që jam vizituar te kardiologu dhe më kanë dhënë rekomandim për EKO. Më kanë thënë që të bëj eko pas dy muajsh kur aty nuk ka asnjë pacient. Rremzi Pira.”
“Të tregohet më shumë kujdes me kontrollin e analizave të check-up-it. Mjekësia të ketë më shumë humanizëm. Andre Dani”.

Pacient duke shkruar ankesat për sistemin shëndetësor
Në përpjekje për të inkurajuar angazhimin e pacientëve, familjarëve, ofruesve të kujdesit shëndetësor, rrjeti i shoqatave të pacientëve vendosi që t’i jepte këtë karakter aktivitetit të ditës së sotme. Kujdesi shëndetësor sot është jashtëzakonisht kompleks, ofrimi i kujdesit të sigurtë ndaj pacientit mund të arrihet më mirë kur pacienti është pjesë e rëndësishme e ekipit dhe kur ai merr një rol aktiv në kujdesin e tij.
Aktiviteti u zhvillua edhe me bashkëpunimin e stafit të Poliklinikës së Specialiteteve numër 3, në Tiranë, të cilët ofruan matje tensioni, si dhe informacion ndërgjegjësues, informues, sensibilizues për të gjithë qytetarët.
Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem në mbarë botën dhe shoqërohen me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë. Gjithashtu, ato janë problem social dhe ekonomik për të sëmurët, familjet e tyre dhe gjithë shoqërinë.
Ky aktivitet u mbështet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.