Shëndetësia, kjo minierë ari. Abuzimet në emër të barnave, shëndetësisë elektronike e tenderave

Denisa Canameti

Edhe pse buxheti për shëndetësinë konsiderohet i pamjaftueshëm për t’i dhënë kësaj të fundit  fytyrën e dëshiruar, drejtuesit nga ana tjetër gjejnë vend aty këtu për të përlyer duart. Në secilin prej raporteve të publikuara ndër vite nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për auditimet e kryera në institucionet shtetërore, shëndetësia zë hapësirën e saj të konsiderueshme.

Kështu, në buletinin e katërt statistikor të vitit 2016, përmblidhen rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë periudhës janar-dhjetor. Në këtë buletin përfshihen: dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara, masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, si dhe kallëzimet penale të përcjellë në Prokurori për auditiet e përfunduara. Për periudhën janar-dhjetor 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer 154 auditime.

Institucionet shëndetësore gjithashtu janë në listën e subjekteve të audituara dhe që rezulton se i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar.

Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor: Dëm ekonomik në vlerën 1,855,227 mijë lekë

Fondi është i vetmi institucion publik i cili menaxhon dhe zhvillon skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, duke synuar të sigurojë fleksibilitet në financimin e shërbimeve shëndetësore, transparencë në administrim dhe besueshmëri maksimale të popullatave, në përputhje me politikat kombëtare të kujdesit shëndetësor.

Sipas të dhënave të bëra publike nga KLSH, duket se ky institucion jo vetëm që nuk ka menaxhuar dhe siguruar fleksibilitet në financimin e shërbimeve shëndetësore, por ka abuzuar me to. Kështu, rezulton se për shkak të mosllogaritjes së saktë të shërbimeve të (mos) kryera nga koncensionari, si pasojë e financimit të padrejtë të spitaleve private, e rritjes së kostos së paketës së hemodializës etj, ky institucion ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik.

Fondi është përmendur disa herë si institucioni i goditur më së shumti nga skandale të mëdha në fushën e rimbursimit të barnave (maj 2015).

Fondi i Sigurimit të Detyruar të Kujdesit Shëndetësor, ka shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 1, 855, 227 mijë lekë, nga e cila:

  • 50, 133 mijë lekë si pasojë e mosllogaritjes së saktë të shërbimeve të pakryer gjatë 8 muajve të vitit 2015 në zbatim të kontratës me koncensionarin për CHECK-UP-in;
  • 52,262 mijë lekë si pasojë e financimit të padrejtë të spitaleve private për kryerjen e shërbimit të angiografisë (koronagrafie) dhe angioplastikës koronare gjatë vitit 2015, duke përdorur pa efektivitet fondet buxhetore;
  • 13, 337 mijë lekë si pasojë e rritjes së kostos së shërbimeve paketë të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë nga mos rishikimi çmimeve të këtyre paketave;
  • 995 mijë lekë si pasojë e rritjes së kostos së paketës së hemodializës nga rishikimi I çmimeve të kësaj pakete
  • 500 mijë lekë për shkak se depot improtuese/ distributore, të cilat kanë kontratë me FSDKSH, për barnat e rimbursueshme me të cilat kanë furnizuar depot e barnave dhe rrjetin e hapur farmaceutik kanë deklaruar më shumë shitje se sa ato vetë kanë.

QSUT: Dëm ekonomik në vlerën 266, 144 mijë lekë

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është institucioni shëndetësor më i madh në Shqipëri, duke u klasifikuar si e vetmja qendër shëndetësore terciare shqiptare. Si i tillë, ky institucion përfiton përqindjen më të lartë të buxhetit për shërbim spitalor në Republikën e Shqipërisë.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Open Data Albania, buxheti i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në vitin 2015 ishte 5.4 miliardë lekë, pra 34% e buxhetit total për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë. Ky buxhet ka të bëjë me shpenzime për investime, paga, kosto medikamentesh, shërbime, mirëmbajtje, rimbursim ilaçesh, etj.

Sipas të dhënave të raportuara nga KLSH, QSUT-ja ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik si pasojë e keqmenaxhimit.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në vlerën 266, 144 mijë lekë, nga e cila:

  • 79,560 mijë lekë si pasojë e shtesave në kosto për mirëmbajtjen e dy pajisjeve skaner dhe akselerator, në kontratën e shërbimit të mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore, në kundërshtim me nenin 20 “Trajtimi” dhe Aneksin C të kontratës së lidhur nga Ministria e Shëndetësisë me X fitues;
  • 13, 869 mijë lekë si pasojë e përfitimit të padrejtë nga X fitues i pagesës për seanca të tejkaluara por të paregjistruara tek shërbimi i hemodializës;
  • 48, 376 mijë lekë si pasojë e skadimit të barnave;
  • 124, 339 mijë lekë si pasojë e skadimit të barnave të siguruara nga donacionet.

Ndërkohë, nga ana e saj Ministria e Shëndetësisë gjithashtu raportohet se ka kryer disa shkelje me rezultat dëm në fonde. Pjesë e raportit të KLSH është edhe projekti i shëndetësisë elektronike, ku rezulton se:

Projekti: Shëndetësia elektronike në Shqipëri, regjistri mbarëkombëtar  i shëndetësisë elektronike, në vlerën 6, 764 mijë lekë, si pasojë e kryerjes së tre pagesave nga ana e MF për tarifën e angazhimit, shumë e cila ka rritur koston e projektit si pasojë e mosimplementimit të tij brenda afatit, duke sjellë efekt negativ./ https://propacientit.al/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*