Pacientët me hemofili sërish pa faktorë, “QSUT i mban shpresat tek donatorët”

Prej të paktën 1 javë, pacientëve me hemofili u refuzohet dhënia e sasisë së mjaftueshme të ilaçeve për shkak se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë rishfaqur mungesat.

“Kjo është dita e tretë që vij nga Vlora për të marrë medikamentet, por nuk më japin asnjë medikament, sepse mungojnë”, tregoi për Pro Pacientit një 40 vjeçar nga qyteti bregdetar, i cili zgjodhi të mos identifikohej.

Besart Nezaj është një tjetër pacient me hemofili, që ka mungesë të theksuar të mpiksjes së gjakut dhe që nuk arrin të marrë sasi të mjaftueshme me ilaçe.

“Sot isha në QSUT dhe me të drejtë mjekët e repartit me komunikuan se nuk ka faktorë VIII dhe IX për shkak se ilaçet janë drejt përfundimit. Në farmacinë e spitalit japin shumë pak sasi dhe me shumë vështirësi. Sasia e fundit që ka mbetur për këtë vit ruhet për urgjenca të ndryshme. Ne na rrezikohet jeta duke mos pasur ilaçe. Një traumë e mundshme mund të jetë fatale”, thotë Nezaj.

Ndërkohë, në QSUT pohojnë të kundërtën duke mos dhënë shumë informacione sa i përket furnizimit me faktorë VIII dhe IX që u nevojiten pacientëve me hemofili.

“Nga drejtuesit e QSUT janë bërë gjatë gjithë kohës dhe në vazhdimësi përpjekjet maksimale për furnizimin në kohë me faktorët VIII dhe IX, por edhe të gjitha medikamentet e nevojshme për shërbimet që u nevojiten pacientëve. Për problematikat e hasura, zgjidhjet janë dhënë në kohën e duhur”, thuhet në përgjigjen zyrtare të QSUT. Përgjigjja nga ky institucion ka ardhur vetëm pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ndërkohë, pacienti Nezaj deklaron se ndryshe nga sa u është premtuar më parë nga drejtuesit e spitalit, medikamentet mungojnë.

“Drejtori i spitalit na premtoi rreth 1 muaj më parë se do të ketë shkurtim të procedurave pritëse, pasi edhe kur ka ilaçe ne qëndrojmë në QSUT 6-7 orë, por kjo nuk ka ndodhur. Aktualisht, mjekët dhe infermierët e spitalit që kanë detyrim të na mjekojnë, janë dorëzuar dhe thonë se deri në janar të 2018-s, situata do të jetë kështu. Ata na mbajnë me shpresa duke thënë se mund të ketë ndonjë donacion të huaj gjatë këtij muaji”, përfundoi pacienti.

Edhe më parë, Pro Pacientit ka hulumtuar mungesën e theksuar të ilaçeve për pacientët me hemofili. Në bazë të deklaratave të mjekëve dhe pacientëve, një pjesë e këtyre të fundit janë invalidizuar si pasojë e sasisë së pamjaftueshme me medikamente.

Në Shqipëri janë aktualisht rreth 196 pacientë me hemofili, ndërsa 20 vite më parë numri i tyre rezultonte 324. Një pjesë e madhe kanë emigruar në vendet e Bashkimit Evropian. / Emanuel Smaka / Pro Pacientit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*