Nga mjekja reumatologe Julia Kollçaku
Osteoartriti është sëmundje e sistemit kockor që karakterizohet nga dëmtimi i kërcit kockor. Ndodhin dy procese: inflamacion dhe degjenerim. Prandaj ka një përhapje shumë të gjerë si sëmundje. Është një sëmundje që ka një progresion të ngadalshëm dhe kap moshën mbi 50 vjeç. Kjo nuk do të thotë që nuk preken edhe moshat e reja.
Ka dy lloje osteoartritësh:
Osteoartrit parësor, pa ndonjë shkak të mundshëm. Varet më tepër nga faktorët gjenetikë.
Osteoartrit sekondar, që shfaqet pas një traume, pas sëmundjeve të tjera, sëmundje inflamatore apo sëmundje të zhvillimit metabolik.
Shenja e parë është dhimbja. Personi ka dhimbje në artikulacionin e prekur. Tjetër është kufizimi i lëvizjes. Pacientët nuk e kanë më atë shkathtësi apo atë zhdërvjelltësi që kanë pasur në lëvizjen artikulare. Ngurtësimi është shenjë e shpeshtë që ndihet praktikisht kur një person tenton të kryejë aktivitet fizik pas një periudhë pushimi. Të sëmurët referojnë se artikulacionet (nyjet) i kanë të bllokuara kur qëndrojnë ulur dhe iu duhet një farë kohe për t’i aktivizuar normalisht pasi çohen për të lëvizur.
Enjtja dhe deformimi mund të shihen në sipërfaqen e artikulacioneve të gjunjëve ose të gishtave. Me përparimin e sëmundjes deformimet e gjunjëve shtohen, ndërsa gishtërinjtë bëhen me nyjë duke e bërë të vështirë kapjen e objekteve të mëdha.
Humbja e funksionit është specifike për artikulacionet e dëmtuara. Për shembull, ulja e forcës së duarve në rastet me OA të gishtërinjve, problem për t’u veshur e zhveshur në dëmtimet e artikulacioneve të supit, vështirësi në ecje, pamundësi për të ecur gjatë, çalim, lodhje e shpejtë në rastet e dëmtimit të gjunjëve. Një shenjë tjetër janë edhe kërcitjet në artikulacion.
Faktorët e rrezikut
Faktori kryesor i osteoartritit është mosha. Përveç kësaj është edhe obeziteti (mbipesha). Personat mbipeshë kanë një presion më të madh mbi artikulacionin e gjurit, pra, kanë më shumë vështirësi në lëvizje. Ngarkesa fizike, një person që lodhet në punë fizike, pra ngre pesha të rënda është gjithashtu i prirur. Personat që e përdorin artikulacionin më shumë sesa duhet, personat që merret me sport etj.
Osteartriti mund të ndodhë në një moshë të re veçanërisht tek sportistët të cilët dëmtohen nga rrëzimet e vazhdueshme. Ata janë më të prirur për artrit se njerëzit normal. Kemi balerinat të cilat artikulacionin e nyjës së këmbës e sforcojnë më shumë se njerëzit normal, kjo mund të favorizojë më pas shfaqjen e osteoartritit.
A mund të preken fëmijët nga osetoartriti?
Traumat që mund të pësojnë të rinjtë gjatë aktivitetit të tyre bën një terren të përshtatshëm për të zhvilluar më vonë osteoartritin. Osteoartritin mund ta kesh prej shumë vitesh por shfaqet shumë vite më vonë.
Trashëgimia
Ndikojnë edhe faktorët gjenetikë. Trashëgimia ka një rol predispozues për osteoartitin. Kështu ka persona që janë obezë për pasojë këta persona janë më të favorizuar për osteoartrit.
A mund ta parandalojmë osteoartritin?
Ne mund ta parandalojmë ose të shtyjmë shenjat e osteoartitit. Për një person që është mbi 65 vjeç osteoatriti është një proces biologjik ashtu siç flokët thinjen edhe kockat dobësohen.
Format e parandalimit
Pacienti duhet të ruajë një peshë normale të trupit. Duhet të mbajë një qëndrim korrekt, sepse edhe deformimet që ndodhin gjatë qëndrimit jo korrekt çojnë në shtrëmbërim dhe shtojnë akoma më shumë dhimbjen. Nuk duhet të bëjë jetë sedentare. Këtyre pacientëve iu bën mirë lëvizja por jo mbilëvizja. Mbilëvizja dhe mbingarkesa e artikulacioneve bën dëm. Një orë në ditë bën mirë si për dobësim ashtu edhe për kockën. Sportet janë shumë të rëndësishme.
Cilat janë profesionet që favorizojnë shfaqjen e osteroartritit në të ardhmen?
Profesionet që favorizojnë janë sportet e ndryshme, balerinat, njerëzit që qëndrojnë për një kohë të gjatë ulur sepse e theksuam rëndësinë e aktivitetit fizik. Pra ata profesione që janë të predispozuar për trauma dhe për përdorim të tepërt të artikulacioneve./ https://propacientit.al/