Në mungesë të dhuruesve vullnetar, këtë sezon veror Banka qendrore e Gjakut në Lushnjë, nuk po arrin të plotësojë nevojat për 250 pacientë që vuajnë nga sëmundja e talasemisë. Mjekët e Bankës qendrore ngrenë alarmin dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të sensibilizohen në akte dhurimi për të ndihmuar fëmijët qe duket të kryejnë transfuzion gjaku thuajse çdo 21 ditë.
Sezoni veror ka shënuar vështirësi për gjetjen e dhuruesve të gjakut në Bankën e Gjakut në Lushnjë, ku për shkak të numrit të ulët të dhuruesve vullnetar nuk plotësohen nevojat për 250 pacientë talasemikë.
Mjekja transfuziologe Emira Alizoti u bënë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të sensibilizohen në dhurime konkrete pasi nevojat më emergjentë janë tek pacientët talasemikë të cilët kanë nevojë çdo dy javë për gjak.
“Duke qenë se jemi në sezonin e verës ky është sezoni më i vështirë për njerëzit për të dhuruar, ndaj ne kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë institucioneve shtetërore, duke filluar nga Bashkia dhe çdo institucion shtetëror pasi do të ishte një ndihmë shumë e madhe për fëmijët talasemikë”, thotë ajo.
Alarmit për dhurim vullnetar të gjakut i është përgjigjur deputetja e Lushnjës, Lindita Buxheli.
“Ju bëj thirrje të gjithë institucioneve të dhurojnë gjak, na takon të gjithë institucioneve drejtuese deputetë , të Bashkisë dhe anëtarëve të Këshillit bashkiak dhe cilido që e ndjen mbi supet e tij përgjegjësinë e kësaj detyre të rëndësishme për t’iu përgjigjur të gjithë rasteve talasemikë në çdo kohë”, u shpreh ajo.
Në qendrën e hemoglobinopative në Lushnjë trajtohen 110 pacient talasemikë që vijnë nga zona të ndryshme të jugut të vendit. Të paktën çdo 21 ditë ata kanë nevojë për të marrë gjak i cili në mungesë të dhuruesve, në të shumtën e rasteve plotësohet nga familjarët.
Burimi: Shqiptarja.com