
Përmes një statusi në facebook eksperti i shëndetësisë, Gazment Koduzi i ka drejtuar disa pyetje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale lidhur me reduktimin e operacioneve në spitale. Prof. Koduzi e lidh këtë urdhër të MSHMS (për reduktimin e operacioneve) me koncesionin e sterilizimit.
“Ka disa ditë që në gjithë vendin me urdhër të Ministrisë është reduktuar numri i operacioneve. Arsyeja? Koncesioni abuziv dhe korruptiv i sterilizimit. Pse nuk bëhet publik urdhëri që shqiptarët ta dinë arsyen e pritjes në radhë për një operacion? Apo ashtu është një muhabet miliona euro”?, shkruan Koduzi në rrjete sociale.
Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj.
Objekti i kontratës së partneritetit publik-privat ka për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.
Ky shërbim ofrohet në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjera, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë.
Megjithëse qeveria vazhdon të firmosë dhe tu hapë dritën jeshile koncesioneve në sektorin e shëndetësisë, ka shumë pak transparencë ndaj tyre dhe analizat e kosto-përfitimeve mungojnë. Por të dhëna të fragmentuara që burojnë nga dokumente zyrtare tregojnë se koncesionet po rezultojnë me kosto shumë herë më të larta se përfitimet.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve