
Autor: Emanuel Smaka
Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë e mbylli me sukses konferencën 2-ditore të titulluar “Manipulimet Mjekësore dhe Testet Diagnostike”. Rreth 400 mjekë, infermierë dhe studentë të fushës, morën pjesë në seancat e organizuara, ndërsa bashkëndanë eksperiencat e tyre gjatë punës.
“Është një avantazh se ne kemi vetëm një shoqatë përbashkuese për të gjithë infermierët në vend. Më parë, infermierët jo vetëm që kanë qenë pa përfaqësim, por edhe të lënë pas dore. Shumicën e kohës edhe kur bëheshin aktivitete, infermierët thirreshin thjesht për të mbushur sallat dhe nuk ka pasur interes që ata të rriten profesionalisht, të nxiten dhe të referojnë në takime të tilla. Kjo gjë më nxiti mua që të krijoj shoqatën që përmes bashkëpunimit në rang vendi, infermierët të kenë mundësi të rriten profesionalisht. Kjo na ka bërë që të organizojmë takime të tilla që edhe infermieri të rritet nga ana praktike e akademike. Tek pjesa kualifikuese, në synojmë që çdo infermier të jetë kompetent në vendin e tij të punës. Ne duam që secili të kontribuojë me aq sa ka mundësi, për rritje profesionale të përbashkët”, thotë presidenti i Shoqatës së Infermierëve Elson Jaçaj.

Shoqata ka planifikuar edhe disa synime afatmesme e afatgjata. Praktikat studentore dhe trajnimi i infermierëve të rinj është një ndër më kryesoret.
“Synimi ynë i këtyre dy ditëve ka qenë që përmes interaktivitetit mes pjesëmarrësve, secili të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur për profesionin e tij. Kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me universitetin në mënyrë që përveç kurrikulave mësimore, studentët të marrin diçka më tepër që do t’u shërbejë në profesionin e tyre. Për këtë grup, ne si shoqatë kemi marrë përsipër praktika të caktuara në spitale, në mënyrë që studenti kur të mbarojë universitetin, të jetë i familjarizuar me mënyrën e punës. Pjesa praktike është ajo që çalon, prandaj ne është e domosdoshme të punojmë në këtë aspekt.”, shtoi Jaçaj.

Përgjatë 2 ditëve në datat 15 dhe 16 dhjetor, Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë mblodhi në kryeqytet mjekë, infermierë dhe studentë nga i gjithë vendi. Përgjatë takimeve të zhvilluara, nuk munguan bluzat e bardha nga Kosova.
Të ftuar për të referuar në këtë konferencë ishin mbi 20 pedagogë dhe profesionistë të fushës nga Shqipëria dhe vendet e rajonit./ Pro Pacientit

PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve