
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer audit në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ( AKBPM), për periudhën 01.11.2018 deri më 31.08.2020, ku ka rezultuar mospërputhje në veprimtarinë administrative ndaj kritereve të vlerësimit, përfshirë kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi, që lidhen dhe ndikojnë në sigurinë dhe shëndetin e qyetarëve si dhe përdorimin me efikasitet, ekonomicitet dhe efiçencë të fondeve shtetërore
Nga auditimi rezultoi se, njësia përgjegjëse në AKBPM për kryerjen e analizave mbi barnat është “Sektori i Laboratorit të Kontrollit”. Referuar të dhënave të këtij sektori mbi numrin e analizave të kryera nga institucioni gjatë një periudhë disa vjeçare, rezultoi se, nga 498 analiza të kryera në vitin 2014, numri i tyre në vitin 2018 ka arritur në 169 të tilla me një tkurrje të konsiderueshme me rreth 60% të tyre. Ndërkohë për vitin 2019 regjistrohen vetëm 68 analiza ose rreth 13.6% e analizave të realizuara në vitin 2014. Pra me një numër mjaft të vogël analizash krahasuar me periudhat e sipërpërmendura. Analiza e fundit në këtë sektor regjistrohet në muajin Tetor 2019. Pas kësaj periudhe institucioni nuk ka kryer më analiza dhe puna e sektorit në këtë drejtim bazë është paralizuar tërësisht.
KLSH në auditimin e kryer nga Departamenti i Performancës në KLSH në AKBPM gjatë vitit 2019, me objekt “Cilësia dhe Siguria e Barnave në Rrjetin e Hapur Farmaceutik dhe Shërbimin Spitalor” veç aspekteve të tjera ka evidentuar gjithashtu problematikën mbi numrin e ulët të analizave të kryera nga institucioni, ndërkohë që kryerja e tyre në vijim ka stopuar. Për periudhën vitet 2019 dhe në vijim institucioni ka ushtruar veprimtarinë në ambientet pranë Institutit të Shëndetit Publik si rrjedhojë e procesit të rikonstruksionit të godinës së vet. Më tej ngjarjet e jashtëzakonshme si tërmeti i 26 Nëntorit dhe Pandemia COVID-19 shpallur në fund të muajit Mars 2020 kanë patur gjithashtu ndikimin e tyre negativ në situatën mbi ambientet dhe veprimtarinë e stafit.
Megjithatë, mungesa e analizave në afatgjatë ka ndikime të rëndësishme në ruajtjen e shëndetit të popullatës dhe për këtë institucioni përpara procesit të zhvendosjes dhe në vijimësi duhet të ishte treguar më i kujdesshëm në garantimin e vijueshmërisë së punës së laboratorit dhe përmbushjen e detyrimit institucional mbi analizimin e barnave
Nga auditimi rezultoi se, nuk evidentohet roli mbikëqyrës i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si organi epror, referuar kjo dispozitave të ligjit nr. 90/2012 datë 27.09.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” neni 22 pika 1, si dhe neni 23 pika 1 e tij. Konstatohet gjithashtu se, megjithëse Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 184 datë 09.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave për ushtrimin e kontrollit për veprimtarinë e agjencisë kombëtare të barnave dhe pajisjeve mjekësore, në zbatimin e detyrave dhe ushtrimin e përgjegjësive nga kjo agjenci”, ka miratuar krijimin e “Njësisë së Posaçme” për kontrollin periodik dhe sa herë të shihet e nevojshme të AKBPM, prej më tepër se 4 (katër) vitesh nga miratimi i këtij vendimi, MSHMS nuk rezulton ta ketë bërë efektive duke ushtruar kontrolle me këtë strukturë, në kundërshtim me parashikimet në këtë vendim. Sa më lartë, situata paraqet nevojën imediate për përmbushjen e rolit të MSHMS si organ epror në mirëfunksionimin institucioneve, realizimin e objektivave të miratuar, ligjshmërinë dhe përshtatshmërinë e veprimeve të tyre administrative, administrimin e burimeve njerëzore, ekzekutimin e buxhetit, administrimin e pasurive dhe menaxhimin financiar, çka nuk përkon në rastin konkret. Sa më lartë, situata paraqet nevojën imediate për përmbushjen e rolit të MSHMS si organ epror në mirëfunksionimin institucioneve, realizimin e objektivave të miratuar ligjshmërinë dhe përshtatshmërinë e veprimeve të tyre administrative, administrimin e burimeve njerëzore, ekzekutimin e buxhetit, administrimin e pasurive dhe menaxhimin financiar, çka nuk përkon në rastin konkret.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve