Kirurgjia plastike, Blerta Gjoni: Gabimi fillon kur pacienti shihet si biznes

 

Bisedoi: Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+” dhe Shëndeti Online

“Kur flitet për kirurgjinë plastike, është e vërtetë që shumica e vajzave të reja (në fizikun e fytyrës së tyre) janë bërë të gjitha si kopje me kopjativ”, thotë për gazetën “Shëndet+” mjekja dermatologe Blerta Gjoni. Mjekja shprehet se të gjithë e duan të bukurën dhe media e servir “imazhin perfekt” pa kursim. “Edhe nëse janë mirë, duan të jenë akoma edhe më mirë. Vijnë me një revistë në duar dhe të thonë: “E dua solarin kështu, i dua buzët kështu, i dua mollëzat kështu”, pa marrë parasysh nëse bëhet apo nuk bëhet, i shkon ose jo me fizionominë e fytyrës dhe, aq më pak, nëse ka efekte dytësore”, vazhdon dermatologia teksa jep këshillat e veta për këtë çështje:

“Unë do të isha më tepër për një lëkurë të mirëmbajtur. E kuptoj kur kemi defekte, edhe mund t’i bëjmë ndërhyrjet, për shembull: një hundë me probleme të ndërthura të frymëmarrjes mund të rregullojmë edhe anën estetike ndërsa bëjmë ndërhyrjen; një buzë shumë të hollë që e ndikon psikologjikisht pacientin, edhe mund të bëjmë ndonjë injektim të lehtë, por pa e kaluar masën. Një profesionist i vërtetë qëndron gjithmonë tek natyralja. Nëse ky ndryshim bie në sy, atëherë nuk e ka bërë profesionisti i duhur.

“Fatkeqësisht, sot ka ende klinika që përdorin permanent lip (një material që ti e ke gjatë gjithë kohës), por ka rezultuar që, nëse është përdorur materiali jo i duhur, efektet dytësore janë shkatërruese, saqë veç problemeve estetike, personi arrin dhe në faza depresive. Prandaj është shumë e rëndësishme zgjedhja e materialit, por edhe e profesionistit të duhur.

A duhet t’i bëjë mollëzat një 20-vjeçare!?

Një procedurë e tillë rekomandohet të bëhet rreth moshës 40-50 vjeç, pra atëherë kur femra hyn në fazën e ndryshimit hormonal dhe lëkura nuk arrin më të ketë tonifikimin dhe elasticitetin e duhur. Në këtë moshë ka rënie të lëkurës dhe njeriu do t’i japë volum, ndërsa fytyrës së një vajze të re ç’di t’i bësh, kur ajo tashmë e ka vetë të mirë?! Personalisht nuk do t’ia rekomandoja askujt, aq më tepër tek një 20-vjeçare një ndërhyrje e tillë do të ishte mëkat.

Nëse në rrugë shikojmë një vajzë të shpërfytyruar, vajza që kanë dalë nga vetja, ku njëri tipar nuk ka lidhje me tjetrin, atëherë atë ndërhyrje nuk e ka bërë një profesionist. Profesionisti i vërtetë arrin ta bindë pacienti/en se një ndërhyrje duhet bërë deri në atë masë të caktuar sa ti të mos arrish ta kuptosh nëse është e vetja apo e ka të bërë. Gabimi i profesionistëve fillon kur parësor nuk është më pacienti, por përfitimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*