Karta e shëndetit, dokument jo efikas për marrjen e shërbimeve shëndetësore

Denisa Canameti

Karta e shëndetit u tha se do të përmirësojë dukshëm cilësinë e punës së mjekëve dhe farmacistëve, me përfitim të drejtpërdrejtë për pacientët. Ajo  shpërndahet pa pagesë në qendrat shëndetësore në Tiranë dhe në degët e të gjitha rretheve.  Në fjalën e tyre prezantuese, përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore janë shprehur se me nxjerrjen e kartës synohet që të gjitha procedurat të bëhen elektronike, duke rikthyer kështu rolin e mjekut të familjes në funksion të shërbimit ndaj pacientëve, pasi ata nuk do të jenë më të detyruar të plotësojnë fletë libreze pa fund, por me një mjet të thjeshtë, kartën e shëndetit, pacientët do të marrin shërbim e duhur dhe mjeku do shfrytëzojë kohën për të vizituar pacientët. Karta shërben edhe për identifikimin e personave të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Ministria ka bërë të ditur se “investimet e kryera deri më sot, së bashku me ato që janë në zbatim e sipër dhe që pritet të fillojnë së shpejti për dixhitalizimin në shëndetësi, arrijnë në total vlerën e konsiderueshme prej 36 milionë eurosh. Praktikisht, për çdo shqiptar kemi shpenzuar dhe po shpenzojmë 12 euro vetëm për dixhitalizimin,” duke shtuar se “nga pikëpamja e autentifikimit me nënshkrimin elektronik, shëndetësia publike është sektori më i avancuar në Shqipëri në këtë drejtim”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin me temë “Kostimi i shërbimeve spitalore” është shprehur edhe për kartën e shëndetit duke e konsideruar “hap i rëndësishëm për të patur një informacion më të plotë shëndetësor të digjitalizuar, por është ende larg shtrirjes së plotë në kuadrin e programit për shëndetësisë elektronike (e-health)”.

“Karta e shëndetit … është mjeti që identifikon të siguruarit dhe me anë të saj përfitohen shërbimet shëndetësore të skemës së sigurimeve shëndetësore në të gjitha nivelet, duke zëvendësuar librezën e shëndetit. Aksesi i informacionit online i kartës së shëndetit është i kufizuar në disa institucione publike, informacion ky i nevojshëm për konfirmimin online, për statusin e pacientit nëse është i siguruar, në momentin kur ai kërkon shërbimin mjekësor. Karta e Shëndetit ngelet përsëri një dokument jo shumë efikas për marrjen e shërbimeve shëndetësore, pasi mungesa e shtrirjes të implementimit të sistemeve të reja të iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si: kartela mjekësore elektronike, nënshkrimi elektronik, e-ekzaminime, etj., apo sistemet informatike për uljen e barrës administrative për dhënësit e shërbimit shëndetësor, kanë ndikuar në uljen e eficiencës në marrjen1 e shërbimit të kujdesit shëndetësor. Financimi i institucioneve të kujdesit shëndetësor, duhet gradualisht të kalojë nga financimi me buxhet historik, në financimin e shërbimeve spitalore sipas vlerësimit të kostove për diagnozë, të bazuar në modelin DRG-ve (Diagnosis – Related Group)” shkruan raporti i KLSH.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*