Kaos në QSUT, pacientët probleme me oraret

Emanuel Smaka

Një qytetare nga Tirana u acarua së tepërmi me shërbimin mjekësor, pas pritjes prej më shumë se një ore mëngjesin e të martës në ambientet e brendshme të Shërbimit Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Pak minuta më vonë, një tjetër grup pacientësh shpërthyen në të shara ndaj bluzave të bardha, pasi  këta të fundit u komunikuan se konsultat nisin në orën 10. U desh ndërhyrja e punonjësve të policisë private në institucion që situata të normalizohej.

Pjesa më e madhe e pacientëve ishin paraqitur në spital që në orën 8. Pas pritjes prej 2 orësh, ata u detyruan që të qëndrojnë sërish në radhë, deri në momentin e konsultës.

Ndërkohë, oraret e afishuara në ambientet e Shërbimit Onkologjik bien ndesh me atë që u komunikohet pacientëve, duke krijuar konfuzion tek këta të fundit.

Lidhur me situatën në fjalë, burime zyrtare pranë QSUT-së, të kontaktuar nga gazeta Shëndet+, thanë se nuk është e vertetë që janë shfaqur probleme apo vonesa pranë Shërbimit Onkologjik.

“Edhe nëse kjo ka ndodhur,- thanë burimet,- është për arsye se mjekët pranë Shërbimit Onkologjik, fillimisht trajtojnë të sëmurët që janë të shtruar dhe më pas nisin konsultat ambulatore. Qytetarët duhet të dinë se konsultat kanë orare të përcaktuara”.

Një paciente nga periferia e Tiranës tregoi gjithashtu për gazetën se është dita e dytë radhazi që qëndron në pritje dhe nuk ka arritur të sigurojë një konsultë mjekësore. Në kushtet e anonimatit ajo tha se mjekët po tregohen të papërgjegjshëm. Sipas saj, gjatë 30 ditëshit të sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, mjekët duhet të jenë akoma më të ndërgjegjshëm dhe në shërbim të pacientëve.

Të pyetur nga “Shëndet+”, qytetarët pranojnë se shpeshherë përballen me probleme të tilla sa u përket orareve. Në shumë raste ata nuk kanë informacionet e duhura duke krijuar kështu radhë të gjata.

Sipas të dhënave zyrtare, në Shërbimin e Onkologjisë së QSUT trajtohen mesatarisht 10 000 pacientë të shtruar në vit./ Shendeti.com.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*