Kanceri i qafës së mitrës / 100 raste të reja çdo vit në Shqipëri, 50% nuk i mbijetojnë

Shqipëria regjistron çdo vit rreth 100 raste të reja të kancerit të qafës së mitrës, ndërsa niveli i vdekshmërisë vijon të jetë në masën 50%. Këto të dhëna u bënë publike nga Dr. Lumturi Mërkuri, mjeke pranë Institutit të Shëndetit Publik, e cila shtoi se këto janë statistikat e Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Nga 100 rastet e reja që diagnostikohen çdo vit, niveli i vdekshmërisë si pasojë e kancerit të qafës së mitrës vijon të jetë rreth 50%. Problemi është se një pjesë e madhe e grave diagnostikohen në fazë të avancuar. Sa i përket statistikave në botë, numri i rasteve të reja të grave me këtë lloj kanceri, është rreth 530 mijë, ndërsa mortaliteti mbetet 270 mijë raste”, tha mjekja Mërkuri gjatë takimit përmbyllës në javën e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës.

Sipas statistikave të regjistruara vit pas viti, Shqipëria ka mjaftueshëm dëme të shkaktuara nga kanceri i qafës së mitrës tek femrat, ç’ka rrit nevojën për ndërgjegjësim dhe kontrolle të vazhdueshme. Mjeku Alban Ylli, specialist pranë ISHP, tregon se ky lloj tumori mund të parandalohet përmes depistimit (kontrollit).

“Aty ku ka programe të mirë organizuara depistimi mund të parandalohen 80% e vdekjeve nga kanceri i qafës së mitrës. Ky lloj kanceri është e sigurt që nuk ka pësuar rënie në Shqipëri, pra ajo që po bëhet nuk është e mjaftueshme. Nëse frekuenca e kontrolleve për kancerin e qafës së mitrës bëhet çdo vit, reduktimi i riskut është rreth 94%. Shpresojmë që gjatë këtij viti të bëjmë depistimin e 10 mijë grave të moshës 40-50 vjeç, në mënyrë që të ulim sa më tepër nivelin e vdekshmërisë në të ardhmen”, sugjeron Ylli.

Krahas këtyre të dhënave shqetësuese në Shqipëri, mjekja epidemiologe Kozeta Filipi, njëkohësisht specialiste pranë ISHP, sjell të dhëna konkrete se femrat po ndërgjegjësohen gjithnjë e më tepër për depistimin e kancerit të qafës së mitrës.

Filipi pohon se bazuar në një studim të realizuar në rrethin e Fierit, në qytet dhe në fshat, 90% e femrave të intervistuara thonë se kanë njohuri për kancerin e qafës së mitrës.

“Krahas projektit të depistimit që kemi realizuar në qytetin e Fierit, ne kemi intervistuar edhe 900 gra dhe 100 meshkuj në lidhje me sëmundjen dhe virusin që e shkakton atë. Sa i përket njohurive, rezultatet janë pozitive, pasi 90% e femrave janë shprehur se kanë informacion për kancerin e qafës së mitrës. Megjithatë, në përfundim të këtij studimi të realizuar në 9 qendra shëndetësore, 6 në fshat dhe 3 në qytet, rekomandojmë se kontrollet për kancerin e qafës së mitrës, duhet të përfshihen në programet e checkup-it”, përfundon mjekja Filipi.

Në datat 22-28 janar, Instituti i Shëndetit Publik dhe drejtoritë në rrethe zhvilluan takime informuese në kuadër të javës evropiane për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Takime të tilla zhvillohen në javën e fundit të muajit janar që prej vitit 2007, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin si mënyrë për të parandaluar apo identifikuar në kohë sëmundjen. Kanceri i qafës së mitrës është një lloj kanceri i cili zhvillohet në qafën e mitrës së një femre dhe është tumori i dytë më i zakonshëm te femrat, veçanërisht në vendet në zhvillim. Kjo është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën.

Nga se shkaktohet kanceri i qafës së mitrës?

Sipas të dhënave të bëra publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ISHP, kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane-HPV, një infeksion i zakonshëm i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht.

“Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, të njohura edhe si lloje me rrezik të lartë në shkaktimin e kancerit, akuzohen për rreth 70% të kancerit të qafës së mitrës te gratë. Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit/kontrollit dhe vaksinimit”, thuhet në faqen zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik.

Ndërkohë OBSH rekomandon depistimin (testi Pap ose HPV) për çdo grua seksualisht aktive nga mosha 30 deri në 49 vjeç, të paktën një herë në jetë. Kjo sipas OBSH do të reduktojë vdekjet nga kanceri i qafës së mitrës. / Emanuel SmakaPro Pacientit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*