
Sipas një informacioni të shpërndarë në faqen zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, në kuadër të muajit tetor si muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, citohet fakti se kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm. Materiali vazhdon duke thënë se fatmirësisht, pothuajse të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetëgjatësinë për pacientët në faza të avancuara.
Megjithatë, në asnjë moment të përshkrimit të kësaj sëmundje dhe formave të trajtimit të tij, nuk citohen vështirësitë që ka vendi ynë në drejtim të trajtimit të kësaj sëmundje. Kujtojmë se pikërisht sot është denoncuar mungesa e kimiopreparatit herceptinë.
“Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm. Kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra si: ndërhyrjet kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim. Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe se sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi.
Fatmirësisht, pothuajse të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetëgjatësinë për pacientët në faza të avancuara. Trajtimet e reja vonojnë progresin e sëmundjes shumë më mirë se preparatet e deritanishme, duke ofruar një mundësi të re për pacientët” .
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve