Lista e Barnave të Rimbursueshme për vitin 2017 është shtuar me ilaçin Fentanyl, një ampulë me drogën më të fuqishme (100 herë më e fuqishme se Morfina dhe 50 herë më e fuqishme se heroina). Mjafton të thuhet se Fentanyl përdoret vetëm në kirurgji për operacione. Prej një muaji ilaçi është ‘licensuar’ me firmën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe do të shitet edhe në farmacitë e Shqipërisë.
Përveç futjes së ilaçit në mënyrë të paligjshme, konspirative ka qenë edhe firmosja e listës ku u fut ai. Ish-ministri i Shëndetësië, Ilir Beqja, i shkarkuar nga detyra prej Kryeministrit Rama para një muaji bashkë me tre ministra të tjerë, sipas burimeve të Politiko.al, është rikthyer në zyrë një javë pas shkarkimit, posaçërisht për të hedhur firmën mbi Listën e Barnave 2017.
Të njëjtat burime thonë, se ka qenë shefi i Sektorit të Kontrollit të Depove Farmaceutike, ‘i afërt’ në afera me Ministrin, që iu ka dhënë ‘urdhër të prerë’ anëtarëve të Komisionit të Hartimit të Listës për të futur ilaçin shkatërrimtar.
Burimet e Politiko.al shtojnë se arsyeja e futjes në listë të një ilaçi të tillë janë aferat korruptive me kompanitë farmaceutike.
Çfarë është Fentanyl-i:
Fantanyl-i është një ilaç antidhimbje i fuqishëm dhe sintetik me veprim të shpejtë. Fentanyl është 50 deri në 100 herë më i fuqishëm se morfina, por disa analogë të Fentanyl-it, të prodhuar për të berë efektet farmakologjik të ilaçit origjinal mund të jenë deri në 10 mijë herë më të fuqishëm se morfina.
Fentanyl-i përdoret gjithashtu edhe si drogë rekreacionale, gjë që ka çuar në mijëra vdekje nga overdoza ndërmjet viteve 2000-2017./ Burimi: Politiko.al