Hepatiti A, transmetimi përmes ujit dhe vaksina

Për gazetën “Shëndet+”: Prof. dr. Elmas Eltari

Hepatiti A ose ikteri infeksioz shkaktohet nga virusi i hepatitit A (VHA), që është një anëtar i grupit të ‘viruseve të vegjël’ që trasmetohen me ujin e pijshëm dhe ngrënien e ushqimeve të infektuara. Virusi shkakton një formë akute të hepatitit dhe nuk kalon në forma kronike.

Imuniteti i të sëmurëve prodhon antikorpe kundër virusit VHA duke siguruar mbrojtjen kundër infeksionit të përsëritur. Njerëzit me hepatit A këshillohen të pushojnë në shtrat, të pinë shumë lëngje dhe të evitojnë alkoolin. Një vaksinë profilaktike është e përshtatshme për të parandaluar infeksionin me VHA për 10 vjet.

Hepatiti  A mund të përhapet nëpërmjet kontakteve personale me të sëmurët, nga konsumimi i produkteve të detit, të patrajtuara termikisht ose përdorimi i ujit të infektuar. Këto mundësi realizohen kryesisht ose sidomos, në vendet e Botës së Tretë. Njerëzit e infektuar e eliminojnë virusin me feçet e tyre, dy javë përpara dhe një javë pas zhdukjes së ikterit. Inkubacioni (periudha e fshehtë e infeksionit) është afërsisht 28 ditë (që lëkundet nga 15 deri në 50 ditë), dhe shërimi i plotë arrihet brenda dy muajve megjithëse rreth 15%  e të sëmurëve mund të ankohen ose të paraqesin përsëritje përgjatë gjashtë muajve deri në një vit nga fillimi i sëmundjes./ https://propacientit.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*