Hemodializa Elbasan: 800 seanca dialize në 10 shtretër dhe 100 m2 hapësirë

Bardha Nergjoni, gazeta Shëndet+ (Read in English)

Kilometra pa fund për të arritur deri në spital. Shkallë pa fund deri në pavion dhe pastaj orë pritjeje pa fund për të marrë shërbimin. Kjo është “balada” e të sëmurëve që marrin shërbimin e dializës në Elbasan. Bëhet fjalë për 70 pacientë nga Korça, Pogradeci, Belshi e të tjera zona përreth Elbasanit, që tre herë në javë i drejtohen këtij spitali. Kalvari i vuajtjeve të tyre është i madh, ndërsa mundimeve u shtohet edhe mungesa e mjekëve, kostot tepër të larta për xhepin dhe rreziku për jetën nëse nuk arrin t’i përballosh këto probleme.

Pacientët: Sakrifikojmë shumë. Një 20-vjeçare vdiq në dializë, nuk kishte para për rrugën.

Mustafa Peci nga Belshi prej 4 vjetësh merr shërbimin e dializës në pavionin e Elbasanit. Djali i tij, Luani, është kthyer në Shqipëri për t’i shërbyer dhe e transporton me mjetin e tij tre herë në javë nga Belshi në Elbasan në turnin e katërt. Detyrohet të bëjë 30 kilometër rrugë të keqe që babai i tij të marrë këtë shërbim jetësor ndërsa pagesa që i rimburson shteti është 1 mijë lekë të vjetra.

Tre herë në javë Mustafa Peci dhe mbi 60 pacientë të tjerë ngjisin tre palë shkallë të larta dhe zbresin një palë të tjera për të hyrë në repartin e dializës.

I biri, Luani, ka shumë ankesa për transportin që nuk i ofrohet, për turnin që është i papërshtatshëm, për mungesën e personelit dhe për ambIentet mjaft të kufizuara për pacientët e dializës.

“Bëj 3 herë në javë shumë rrugë nga Belshi këtu për dializën e babait. Këtu vijnë nga Korça apo Pogradeci dhe shpesh orari shtyhet dhe më duhet të pres deri në orën 21:00 e më tej. Nisem për në Belsh në dimër apo verë dhe sakrifikojmë shumë, aq sa do të marr një shtëpi me qera që babai im të bëjë dializën.

“Unë kam lënë Greqinë për t’i shërbyer prindit tim. Por të tjerët që nuk kanë mundësi, si Ia bëjnë? Një vajzë 20-vjeçare nga Belshi vdiq në dializë. Shkonte në Tiranë dhe një herë këtu në Elbasan për këtë shërbim. Nuk kishte para për rrugën e mendo për gjërat e tjera.

“Të mos flasim për shkallët që të çojnë aty që nuk ekzistojnë askund tjetër përveçse këtu. Ndërkohë mjekë pasdite nuk ka dhe shërbejnë vetëm ato roje të patologjikut. Edhe pastrueset janë të pamjaftueshme, pasi u shkurtua një nga reforma”.

Kastriot Brahja është një tjetër familjar i një të sëmuri që merr trajtimin e dializës. Ai ka 8 vjet që shoqëron babanë në këtë shërbim. E ka parë në çdo situatë dializën dhe thotë se situata ka ardhur duke u përmirësuar, por ambIenti është i njëjtë, ndërkohë që pacientët kanë ardhur duke u shtuar.

“Personeli shërben mirë. Janë infermiere të mira dhe nuk kemi ankesa, por ambjenti është i vogël dhe shkallët gjithmonë kanë qenë problem i madh. Ka njerëz që vijnë shumë rëndë me barrela dhe kanë vite që kalojnë nëpër ato shkallë. Më merret mua fryma që jam i ri nga aq shkallë, dhe jo atyre që janë në gjendje jo të mirë. Në pavion ambienti është i pamjaftueshëm dhe ndajnë frymën me njëri-tjetrin. Infermieret janë heroina, por mjekë nuk kemi, sidomos në turnet e pasdites”, thotë Kastrioti.

Situata në repartin e hemodializës: Pasdite nuk ka mjekë

Në repartin e hemodializës janë në funksion 10 shtretër dhe në një ambient rreth 100 metër katrorë qëndrojnë pjesa më e madhe e pacientëve. Shtretërit janë afër njëri-tjetrit dhe era e gjakut e sidomos të toksinave mbizotërojnë.

Në korridor, në vend të rafteve disa kuti shërbejnë për veshjet dhe ndërresat e pacientëve dhe pajisjet e dializës. Kjo është situata që përballen gjatë trajtimit të tyre të sëmurët me veshka.

Në këtë repart shërben një mjeke me kohë të plotë dhe dy mjekë me kohë të pjesshme. Gjatë pasdites nuk ka mjekë në shërbim dhe në rast problemesh, ndërhyn mjeku roje i patologjikut dhe njoftohen mjekët specialistë.

Të sëmurët me veshka që trajtohen me hemodializë në spitalin rajonal të Elbasanit sa vijnë e shtohen e ndërsa ambientet, shtretërit dhe personeli i shërbimit mbeten të njëjtë.

Ndërsa ngjit shkallët e spitalit patologjik tenton të kalosh derën e hemodializës, në korridor të zë syri disa kuti që të japin përshtypjen e një magazine. Në këto kuti janë veshjet dhe pajisjet e hemodializës. Në ambientet e hemodializës janë 10 shtretër, pas shtimit të një aparati të ri kohët e fundit. Hapësira e vogël bën që shtretërit të jenë shumë afër njëri-tjetrit.

Shefi i pavionit: Punojmë me 4 turne, vetëm një mjek me kohë të plotë

Shefi i pavionit të hemodializës, Everest Hoxha, thotë se aktualisht shërbimi i hemodializës në Elbasan ofrohet për 70 të sëmurë me rreth 800 seanca në muaj për Korçën, Pogradecin, Peqinin, Librazhdin, Gramshin dhe zonat e Belshit e Cërrikut.

Ai shprehet se veprohet në 4 turne dhe janë 3 mjekë që shërbejnë në këtë pavion një prej të cilëve me kohë të plotë.

Sa për bërjen efektiv të koncesionit spitalit privat, askush nuk di të thotë me saktësi se kur do të kalojë ky shërbim në administrimin e tij.

Tahiraj: Presim rikonstruksionin

Sipas Drejtoreshës së Qendrës Spitalore, Desantila Tahiraj, brenda vitit hemodializa do të kalojë në koncension në ambiente të reja. Ajo deklaroi se kati i tretë i kirurgjisë së vjetër në kompleksin spitalor do të rikonstruktohet për t’u përgatitur për këtë shërbim.

Mësohet se me kalimin në koncension do të ketë 36 shtretër me shërbim në dy turne. Aktualisht në katin e tretë të godinës ku pritet të kalojë reparti i hemodializës, nuk kanë filluar punimet.

Një prej pjesëtarëve të personelit në brendësi të repartit thotë se spitali privat do ta marrë këtë shërbim vetëm kur të shkojë 72 pacientë, pasi aq e ka kontratën. Aktualisht deklarohen rreth 70 pacientë që marrin shërbim në repartin e hemodializës në Elbasan nga ana e shefit të pavionit Hoxha.

Gjithsesi, pacientët shpresojnë që kalimi të jetë sa më i shpejtë, pasi jeta është e vështirë për ta në ambientin e hemodializës në aq hapësirë të ngushtë, në shkallët e lodhshme, personelin e paktë, shumë turne dhe higjienën e ambienteve të pavionit ku marrin shërbimin jetësor 70 persona.

Burimi: Shëndeti Online 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*