Gëzim Xhepa: Mjekësia, fasadë për korrupsionet e tjera

Bisedoi: Denisa Canameti

Gëzim Xhepa është mjeku dhe pedagogu më i dashur në pavionin e djegie plastikës. I pari që e zgjodhi këtë specialitet në kohën kur askush nuk do ta mendonte që ky specialitet shumë shpejt do të bënte revolucion. Edhe pse nuk i pëlqejnë gazetat, televizonet, ai pranon me modesti që të realizojë një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”.

Doktor, sa vite keni që jeni pjesë e stafit mjekësor shqiptar?

Në QSUT kam nisur që në vitet 89′. Në vitet 88′ u emërova pedagog në Anatomi Normale, menjëherë sapo mbarova studimet. Ndërsa në QSUT kam nisur në shkurt të ’89-s, dy muaj pasi isha emëruar pedagog. Kam filluar si kirurg plastik në klinikën e djegie plastikës dhe që atëherë nuk jam shkëputur më, veç specializimeve që kam bërë. Nuk kam pasur ndërprerje më të gjata se 6 muaj.

Mjekësia ishte zgjedhje juaja, vullneti i familjes apo vullneti i partisë?

Zgjedhja ishte imja, sepse isha me medalje. Në atë kohë, nëse ishte nxënës i mirë, mund ta zgjidhje vetë degën. Unë kam dashur gjithmonë matematikë-fizikën. Ndaj ishte edhe dëshira e prindërve. Se si familje kemi qenë “të goditur”. Im atë përdori një argument goxha të fuqishëm në atë kohë: “Edhe në burg do jesh prapë doktor”.

Pse kirurgjinë plastike? Unë kirurgjinë plastike e kam zgjedhur në një kohë kur nuk ekzistonte si specialitet në vendin tonë. Një specialitet që sot e duan shumë njerëz. Domethënë kirurgjinë plastike e zgjodha në një periudhë kur ishin tentativat e para të rikonstruksionit. Rikonstruksion kuptojmë që të dëmtohen pjesë indore dhe t’i zëvendësosh me inde të tjera.

Kur bëheshe mjek në atë kohë, bëheshe për kliniçist dhe emërimi im këtu në atë kohë nuk ishte shumë i këndshëm. Sepse është një lëndë fondamentale. Jam ndër pedagogët e parë që firmosa kontratë të rregullt me spitalin. Fillimisht anatominë e pashë si trampolinë, pavarësisht se më vonë u dashurova aq shumë me të, sa pavarësisht ofertave nuk jam larguar asnjëherë.

Meqë jemi tek ofertat. A keni pasur oferta pune jashtë Shqipërisë?

Në Gjermani kam pasur ofertë për të punuar. Për një kontratë 5 vjeçare. Por ne jemi shumë të lidhur me familjen dhe kjo është arsyeja se pse vendosa të mos largohem.

Çfarë e pengon Shqipërinë që të arrijë në ato standarde që t’i bëjë mjekët që të ndihen minimalisht komodë e të qetë?

Morali!

Çfarë e shtyp moralin e mjekëve?

Është vetë tradicioni. Morali i një kombi. Duhet të jemi më kritikë. Po të shohim, gjithnjë politika shqiptare është akuzuar dhe asnjëherë nuk kemi menduar që është morali ynë që projektohet në politikë.

Meqë përmendët kritikën, ju jeni një figurë që keni berë mjaft kritika. Keni dalë në mbështetje të hapur të studentëve, kolegëve. Jeni përplasur ndonjëherë me shikimet vëngër të atyre që drejtojnë politikat shëndetësore?

Unë kam një shprehje timen që ua them edhe studentëve: “I vetmi që nuk përjashtohet nga një dasmë, është gomari”. Edhe vëllai i dhëndrit, nëse dehet dhe prish dasmën, e nxjerr te mullari i barit. Ndërsa gomari është i domosdoshëm. Çfarë desha të them? Që çdo njeri që zotëron profesionin e tij, nuk kërcënohet dot.

Ju vetë jeni ndjerë ndonjëherë i kërcënuar?

Në vitet në ’90 isha në një lëvizje që, po të dështonte, ne pedagogët do të goditeshim të parët. Nuk e kam ndjerë veten të kërcënuar, sepse mendoj që politika është gjithnjë xheloze për politikanët. Edhe është shurdhe karshi zërit të moralit.

Që do të thotë…

Do të thotë që unë kur flas, nuk është se ngacmoj politikën. Kërkoj të ngacmoj shpirtin e popullit. Sa kohë që shpirti i popullit është i ngacmuar, politika është e verbër edhe e shurdhër karshi britmës sime.

Në përgjithësi mjekësia është ëndrra e studentëve të mirë. Pse? Ka prestigj, ka emër, ka para?

Në atë kohë kishte prestigj, kishte emër, kishte respekt. Ndërsa sot përzgjidhet sepse qoftë media, qoftë politika, e ka amplifikuar aspektin korruptiv të shëndetësisë. Njerëzit mendojnë se mjekësia prodhon lekë. Nuk mendojnë se është veç një fasadë për korrupsionet e tjera.

Mendojnë njerëzit apo ashtu është?

Për mua, mendojnë. Është e amplifikuar. Korrupsioni në mjekësi është i barabartë me korrupsionin në çdo profesion të zakonshëm.

Po marrëdhënia e politikës me shëndetësinë cila është?

Shëndetësia është e lidhur me politikën, sepse është shumë afër halleve. I projekton në mënyrë shumë të ndërgjegjshme politikat e problemeve ekonomike të një vendi, e politikave sociale, derisa është në çdo moment në kontakt me hallet dhe problemet.

Ku e shikoni të pozicionuar figurën e mjekut sot, në vendin tonë?

Ajo është pozicionuar siç është pozicionuar populli ynë. Populli ynë është pasiv, është një nga popujt më pasiv në botë. Nuk i merr fatet e veta në duart e tij. Është më tepër në parimin kanunor sesa në parimin e shpërthimit të shpirtit të tij.

Çfarë ka ndryshuar sot, a po e marrin pasion për punën brezat e rinj?

Jo. Në përgjithësi jeta është bërë shumë materiale. Nuk ka më ideale. Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Deri në vitet 2000, kisha qejf kur merrja pjesë në kongrese ndërkombëtare. Tani edhe kongreset ndërkombëtare shumë prestigjioze botërore janë kthyer në tregje: shitje kreditesh, plagjiaturash. Nuk ka më epokë.

Si do të reflektohet kjo në të ardhmen. Në ç’nivele do të ngelet mjekësia?

Ah, ku do ngelet mjekësia… Mjekësia ka të bëjë me ndërgjegjësimin e një brezi dhe me denatyrimin e brezit. Për mua, bota është në një kaos dhe kjo nuk mund ta nxjerrë mjekësinë veç jetës së përgjithshme të botës.

Referuar punës me studentët, si e vlerësoni ecurinë e brezave?

Mund të flas për studentët shqiptarë. Jetojnë krizën e përgjithshme social ekonomike. Në radhë të parë kriza në Shqipëri është krizë morale. Duke jetuar këtë krizë, nuk u vë faj për pozicionin. Ne kishim të tjera ideale, të tjera pikësynime në kohën tonë. Na dukej sikur vërtet po ngrinim një epokë. Dhe kur shihnim profesorët tanë, kishim shembuj të ngritjes së kësaj epoke. Kurse këtu ka shumë rënie morale. Dhe po s’pate një kredo morale në shëndetësi, po përdor shprehjen e një profesorit tim: “Mjekësia nuk të bën të pasur, por të bën të jetosh mirë”.

Çfarë do të thotë për një familje të ketë brenda saj një mjek, një njeri që është gjithë kohës në alarm?

Është diçka e lodhshme. Për shembull, rasti më i fundit është plasja e bombulës së gazit në “Don Bosko”. Unë do të nisesha me pushime të nesërmen. Nuk është se t’i ndërpret njeri pushimet, je i detyruar të paraqitesh. Se duhet të mendosh që mund të jesh vetë nesër në ato pozita dhe kolegët do të vijnë.

Marrëdhënia me pacientin…

Ne mbetëm peng i idealizmit. Ishim një brez që na edukuan me idealizëm dhe nuk arritëm që të jetonim aq shumë periudhën e diktaturës. Si të thuash, është brezi më i goditur në të gjitha aspektet.

Më i godituri, por më i përgatituri. Mos ndoshta ka një model për t’u nxjerrë? Sepse sot brezat janë më pak të goditur e më pak të përgatitur…

Është e vështirë, sepse gjithçka po shkon drejt denatyrimit. Arsimi është drejt një denatyrimi dhe duhet ta pranojmë. Shkolla ishte diçka tepër e veçantë, ishte një dhuratë e jashtëzakonshme në atë sistem, sepse bursat ishin të kufizuara edhe një diplomë garantohej. Kur mbarova mjekësinë, unë e dija se me çfarë titulli do të dilja në pension dhe çfarë pensioni do kisha kur të dilja. Jeta nuk të ofronte destabilitet, kështu që diploma ishte shumë e mistifikuar në konceptin e popullit.

Titulli nuk është shkencë, titulli është eksperiencë, është jetë profesionale.

Çfarë vendi zë leximi në leximi në punën e mjekut?

Është partneri më i pandashëm. Them se si në çdo profesion tjetër, edhe pse mjekësia është akoma më e lidhur.

Lexojnë mjekët sot?

Ka që lexojnë, ka që nuk lexojnë.

Mund ta masim me testime masën e leximit?

Jo. Asnjëherë jo. Të teston jeta. Mjekët që bënë epokë në fushën e shëndetësisë, sot i nderojmë. Nuk do të kishte mjekësi pa disa emra të njohur. Nuk kishte nevojë për testime për t’i lartësuar ata, i lartësoi koha. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me mjekët sot. Ata që do të bëjnë epokë në shëndetësi, do t’i tregojë koha.

Në përgjithësi, emrat e mëdhenj vlerësohen midis kolegësh, jo nga politika. Pse ndodh dhe pse është e rëndësishme që të vlerësohesh nga politika?

Armiku numër 1 i politikës është truri. Ka qenë jetë e mot. Truri historikisht ka qenë kërcënim. Sistemi diktatorial bëri këtë që  e izoloi në aspektin social, por i dha besimin trurit për revolucionin. Kurse sot mund të flasim për profesor të nderuar, si Mentor Petrela që e përmend vetë Kryeministri akual, dhe në fund pamë që ai nuk ia besoi të ëmën në një moment.

Nuk mund të prodhojë tituj një vend kaq i vogël sa Shqipëria me një frekuencë të tillë si janë titujt e sotëm shkencor. Domethënë, titulli është thjesht një dekoratë.

Buxheti i shëndetësisë a duket më tepër si justifikim?

Nuk është asnjëherë përgjegjëse politika. Duhet të kemi parasysh që edhe nëse flasim për shuma marramendëse të politikanëve tanë, është model i tradicionit tonë që nuk njeh punën dhe pronën. Nxjerr në pah forma të tilla korruptive në ekstrem. Në kohët e përparshme është thënë që një deputet italian hoqi 5 cm autostradë dhe ndërtoi një vilë, kurse një deputet shqiptar hoqi një urë të tërë dhe bëri kala. Domethënë, edhe forma korruptive është se ku është populli ynë.

Më ka bërë përshtypje një herë nga fillimi i viteve ’90, më çon mamaja për të bërë pazar. Më thotë që do të bleja zarzavate dhe më dha edhe çmimin, ajo i dinte çmimet se kishte qenë në treg një ditë përpara. Shkoj dhe shikoj që cmimet ishin rritur nga dje sot. Pyes një tregtar për arsyen dhe më thotë: “Nuk e di ti? Është rritur dollari, ndaj”. Në një kohë që tregtari as që kishte parë ndonjëherë dollar me sy.

Ne kemi probleme me psikologjinë, kemi probleme me tradicionin, kemi probleme me edukimin social që pastaj sjellin konflikte të tjera.

Si do mbahet mjekësia? Do të mbahet me siguracionin shëndetësor. Ne kemi probleme me veten, probleme që nuk janë të politikës. Ne gjithmonë kthejmë sytë dhe shikojmë politikën dhe harrojmë që ajo ka fytyrën tonë.

E para deputete që erdhi në komisionin nismëtar në ’90-n ,ka qenë Doris Pack. Ajo ndaloi në Borizanë të Lushnjës dhe nga Borizana erdhi në komision. U ngrit një profesor dhe foli për çështjet e diktaturës dhe si do të projektoheshin në të ardhmen.

U çua profesor Pashko dhe foli për terapinë e shokut, foli Azem Hajdari për maskarallëqet e familjes Hoxha që duheshin shkatërruar etj etj. I dëgjoi të gjithë dhe në fund tha:

U fol shumë fol shumë për dëmet në ekonominë shqiptare, si do t’i çojmë në zero këto dëme dhe si do arrijmë prosperitetin. U fol shumë për të shkuarën, shumë për të ardhmen, por asgjë për të tashmen. Edhe këtu m’u kujtua një shprehje e Napolon Bonapartit: “Budallenjtë mendojnë për të shkuarën, të çmendurit për të ardhmen, të mençurit për të tashmen”.

Dhe së fundmi, tha ajo, tani po vij nga Borizana, që është vendi i persekutimit dhe pashë që njerëzit jetonin nën nivelin e bagëtive në Europë./ https://propacientit.al/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*