Janë shfaqur të qetë, madje në disa momente dhe me një buzëqeshje në fytyrë ish zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj sot në Gjykatën e Posaçme ku po bëhet verifikimi i kushteve të masës së sigurisë.
Zakonisht kjo seancë drejtohet nga gjyqtari Erion Bani, i cili më 23 qershor firmosi dhe masat e sigurisë për ish zv/ ministrin, biznesmenin dhe 6 zyrtarët e tjerë të ministrisë së Shëndetësië në hetim për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 mln euro. Por për shkak se ky gjyqtar është me pushimet e verës, cështja gjykohet nga gjyqtarja e gatshme Etleva Bani.
Avokatët e 7 zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe biznesmenit kanë kërkuar masë më të lehtë sigurie.
Të dy u arrestuan me urdhër të SPAK në kuadër të hetimit për dosjen e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milion euro.
Me kërkesë të prokurorit Edvin Kondili, GJKKO caktoi masa sigurie edhe ndaj gjashtë personave të tjerë, zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit.
Avokatët kanë kërkuar masa më të lehta sigurie, informoi gazetarja e Report TV Keti Banushi e cila po ndjek seancën.
Do të jetë gjyqtarja Etleva Deda e cila të shprehet me vendim nëse do të lërë në fuqi masat e sigurisë apo do i ndryshojë.
Më 23 qershor 2023, gjyqtari Erion Bani caktoi “arrest shtëpie” për Saimir Kadiun drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë. Mjeku Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë është lënë nga gjykata në masën detyrim paraqitjeje. E njëjta masë është vendosur edhe për të pandehurit Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini, ish-drejtor i përgjithshëm i shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa masat u ekzekutuan 2 muaj më pas, 16 – 17 gusht 2023.
Veprat penale të shënuara në dosje nga SPAK, janë falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre për zyrtarët, dhe mashtrim për biznesmenin Rrapaj. Prokurori mësohet se i ka dërguar kërkesat për masa në gjykatë në muajin qershor, por zbatimi i tyre është bërë vetëm pas lokalizimit të biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili është ndaluar në Dhërmi ku ndodhej me pushime. Pronari i kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit Ilir Rrapaj, sipas burimeve të hetimit kishte refuzuar të paraqitej për të dëshmuar në SPAK.
Politikani Klodjan Rrjepaj tashmë i arrestuar për këtë çështje në vitet 2009-2012 ka qenë Drejtor Kabineti në Ministrinë së Shëndetësisë në kohën e drejtimit të saj nga Petrit Vasili. Më pas, Rrjepaj u emërua Zv.ministër si përfaqësues i LSI. Pronari i kompaninë me seli në Prishtinë, “Investital LLC”, Ilir Rrapaj, zotëron 40 për qind të aksioneve të subjektit “SaniService” i cili në vitin 2015, fitoi koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar.
Pjesa tjetër e aksioneve të kompanisë “SaniService” zotërohet nga tri subjekte, përkatësisht, SERVIZI ITALIA S.P.A, 30%, Tecnosanimed 15% dhe U.JET 15%. Mediat kanë raportuar se Rrapaj, ishte emigrant në Itali por u kthye në Tiranë dhe fitoi kontratën koncesionare 100 milionë dollarë.
Burimi: