
Pak orë pas ngjarjes së rëndë të ndarjes nga jeta të 18-vjeçares Ketjona Ibrahimi pas një operacioni në spitalin e Elbasanit , kanë reaguar për herë të parë dhe mjekët e spitalit të këtij qyteti.
Sipas shefit të spitalit kirurgjik , Alban Hoxha, e ndjera ka qenë e shtruar fillimisht në spitalin e Gramshit ku ka shfaqur dhimbje barku e të vjella. Pasi ka marrë mjekimet e para atje dhe nuk ka pasur përmirësime, është dërguar në urgjencën e qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan, shkruan infoelbasani.al.
Në orët e para të mëngjesit nga urgjenca, 18 vjeçarja është dërguar në kirurgji për një konsultë. Atje është dyshuar për hemorragji në vezore dhe organet e riprodhimit. Pas kryerjes së operacionit nuk është gjetur crregullim në këtë pjesë të trupit, por në hapësirën e barkut është konstatuar sasi lëngu, thotë dr. Hoxha.
Për këtë qëllim është kërkuar ndihma e mjekut kirurg. Mjekja J. Maksuti ka kryer pastrimin e lëngut dhe e ka futur në reanimacion. Nga ora 14 e pasdites deri në orën 20 vajza ka reaguar mirë dhe ka komunikuar edhe me familjarët. Por në këtë orë ajo ka pësuar arrest kardiak dhe me gjithë ndërhyrjen nuk ka mundur të shpëtojë.
Pas vdekjes ajo është dërguar në morg dhe i është nënshtruar autopsisë. Sipas të dhënave të para të ekspertëve shkak për vdekjen ka qenë tromboembolia pulmonare, ose mpiksja e gjakut në mushkëri, një patologji kjo e shprehur në shumë pacientë.
Megjithatë fjalën përfundimtare do ta japin ekspertët mjeko-ligjorë në Tiranë.
Burime spitalore pohuan se mjekja J. Maksuti është duke vijuar normalisht punën dhe vetëm pas përgjigjes së ardhur nga ekspertët do të vendoset nëse mban apo jo përgjegjësi për rastin në fjalë. / ProPacientit.com
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve