
Filluam të besojmë e të shprehim entuziazëm kur Kryeministri, Edi Rama filloi të flasë për fajtorë që kanë degraduar sistemin shëndetësor. Për hir të së vërtetës, askush më parë, nuk i kishte drejtuar gishtin drejtorëve të vet, për tu thënë “jepni dorëheqjen, i shkatërruat spitalet”. Tu bësh gjyqin drejtorëve të tu, për keqmenaxhim, është hap i madh. Edhe pse Kyeministri e ka cilësuar shëndetësinë si një nga sektorët më të reformuar, përmes bashkëpunimit edhe me sektorin privat. Shpesh ai është treguar kategorik edhe ndaj pretendimeve të qytetarëve të cilët janë shprehur skeptik dhe nuk kanë nguruar t’ja përplasin në fytyrë Kryeministrit faktin që shëndetësia është shumë mbrapa ose më saktë nuk ka lidhje me shëndetësinë që trumbetohet.
Sigurisht, shfrymë kur Kryeministri, në ndryshim nga “gjyqi publik” me hipotekat, në shëndetësi u tregua selektiv. Drejtorët e spitaleve të Tiranës, jo vetëm që nuk u fajësuan por përkundrazi u komplimentuan nga Kryeministri nga puna në krye të spitaleve. Domosdo, krah zv/ministres, çmund të thoshte tjetër kryeministri?!…
Spitalet e Tiranës janë spitalet që kanë investimet më të mëdhaja dhe që mbajnë peshën më të madhe të diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve… Ndërkohë spitalet në rrethe jo vetëm që nuk kanë patur vëmendjen e qeverisë por i kanë mbijetuar presionit për të mbuluar skandalet që kanë rrjedhuar nga ky mosinvestim. Edhe pse pritëm që Kryeministri të bënte një analizë të sukseseve dhe dështimeve në shëndetësi, të na tregonte se ku dështoi me këtë sektor (jo se nuk e dimë), të fliste për koncensionet, për shëndetësinë falas, mbulimin universal, kartën elektronike… analizë nuk pati.
Kur flitet për reformim të një sektori, shpresojmë që ai të nisë nga ata që në fund të fundit e kanë drejtuar atë sektor përmes politikave. E në këtë rast drejtorët e spitaleve nuk janë ata që hartojnë e firmosin politikat e sistemit shëndetësor. Përkundrazi, janë ministrat. Në asnjë moment të deklaratës së tij Kryeministri nuk iu referua ish-ministrit Ilir Beqja edhe pse është lakuar si një nga ministrat më të korruptuar dhe dështuar të qeverisë Rama 1. E hëngrën drejtorët e spitaleve me pak fjalë. Të tregohemi të drejtë! Edhe drejtuesit e spitaleve kanë pjesën e tyre të fajit. Siç tha kryeministri, disa element të menaxhimit nuk kanë nevojë për fonde, aq më pak për shumë fonde. Nejse!
Pa praninë e Ministrit të Shëndetësisë, si autoriteti që emëron drejtorët e spitaleve, Kryeministri u kërkoi drejtorëve që të paraqesin dorëheqjet. Të nesërmen, sipas mediave drejtorët as nuk e kanë vënë ujin në zjarr. Zv/Ministrja përmes telefonit ka dhënë urdhër që drejtorët e spitaleve të paraqiten një nga një në zyrën e saj që të japin dorëheqjet… A ia ka deleguar ministri, zv.ministres këtë kompetencë?! Jo. Pra, në përpjekjen për të reformuar administratën, kryeministri bën shkeljen më të madhe, haptazi, pa pikë droje, duke injoruar autoritetin e Ministrit të Shëndetësisë. Do thuhet… Ai teknik është. Sidoqoftë, ata janë mandatuar përmes votës së të gjithë deputetëve të parlamentit shqiptar. E meqë biem dakort që Ministri i Shëndetësisë, edhe pse teknik, është një nga figurat më profesionale, të pregatitura e të respektuara të shëndetësisë, kryeministri Rama duhet t’i kishte dhënë mundësinë të ushtronte funksionet e tij kushtetuese. Nga ajo çka duket, kjo nuk ka ndodhur. As për hatër të reformimit real të shëndetësisë. Por nuk është kjo çështja, ose më saktë nuk është VETËM kjo çështja.
Në një kalim të shpejtë në profilin zyrtar të Kryeministrit në facebook, lexohet një gëzim i pakuptimtë i qytetarëve të cilët janë të lumtur që më në fund Kryeministri po ua dëgjon fjalën dhe po hakmerret ndaj mjekëve. Duhen hequr të gjithë thonë ata. Me siguri, nuk e dinë se çthonë. E për të bërë këtë gjyq, Kryeministri përdor figurën e zv/ministres, figurën një mjekje, duke e pozicionuar atë në krahun e vet të djathtë.
Përmes veprimeve të tilla, Kryeministri i vendit veçse shfaqet mosbesues nxit edhe frymën e madhe të konfliktit midis mjekëve dhe pacientëve. Frymë e cila sa po vjen e po bëhet më shqetësuese duke vënë seriozisht në pikëpyetje funksionimin e sistemit shëndetësor.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve