Opinioni publik vazhdon ta trajtojë shëndetësinë si një sektor tejet problematik. Një nga problemet më të shprehura e që u ngrit në nivel alarmant vitin e kaluar ishte mungesa e specialistëve, sidomos në rrethe, ku shumë shërbime kanë mbetur zbuluar për mjekë. Një mungesë e tillë ka prodhuar jo pak lajme për kronikën e zezë ku veç përplasjeve verbale e fizike midis familjarëve dhe personelit shëndetësor, janë shënuar edhe raste që kanë rezultuar fatale për pacientët, e dëshpëruese për karrierën e mjekëve.
Hendeku që ka krijuar mungesa e specialistëve i është faturuar politikës, e më saktë Ministrisë së Shëndetësisë që mbylli specializimet, jo pak, por për 4 vite rresht. Në një përplasje virtuale me opozitën, Ministria e Shëndetësisë në prill në 2016-s ka thënë se: “PD bllokoi për 4 vite specializimet në mjekësi ndërkohë që në 2 vitet e qeverisë Rama janë realizuar 477 specializimeve të reja dhe kaq të munguara në mjekësi, në një proces përzgjedhjeje krejtësisht transparent dhe në bazë të meritës.”
Sipas ministrisë së Shëndetësisë opozita flet për specializime dhe hapje shërbimesh të reja kur punësimi dhe në tërësi sistemi i mëparshëm funksiononte vetëm si sistem partiak pa konkurrim dhe pa profesionalizëm.
Ky reagim i ministrisë së Shëndetësisë, vetëm sa përforcoi bindjen se politizimi i skajshëm i shëndetësisë vazhdon të mbetet një nga arsyet kryesore që ndikon/ ndihmon në degradimin e sistemit, si dhe pengon zhvillimin e politikave të drejta shëndetësore përtej ngjyrimeve partiake.
Nga veriu në jug, drejtuesit e institucioneve shëndetësore janë të zgjedhurit e partive, e në disa raste jo profesionistë të fushës.
Ky fenomen doli në pah edhe gjatë fushatës elektorale.
Në përputhje me VKM-n, Nr. 473, datë 1.6.2017 është bërë një monitorim i rreptë i pjesmarrjes në fushtë zgjedhore i administratës publike. Gjatë këtij monitorimi u evidentua qartazi pjesmarrja masive, kryesisht e titullarëve të institucioneve shëndetësore në mbështetje të një force të caktuar politike edhe gjatë orarit të punës, duke shkelur kështu ligjin dhe etikën profesionale.
Por e keqja më e madhe nuk ishin ata profesionistë që të nesërmen ktheheshin në punë pasi kishin mbëshetur vetëm për bindjen e tyre një nga forcat politike, por ato bluza të bardha që shpresuan për një mandat, duke u joshur nga karrigia e deputetit. Çka nënkupton braktisjen e spitalit. Pikërisht drejtuesit e spitaleve të rretheve, e sidomos ata që vinin nga rradhët e mjekëve, edhe pse janë të njohur me mangësitë dhe ngërçet që krijohen periodikisht në spital nga mungesa e profesionistëve, kanë mbyllur të dy sytë dhe kanë vendosur të shikojnë të mirën e vetes.
Forcat më të mëdha partiake e kanë ruajtur gjithmonë figurën e mjekut si AS-in nën mëngë, duke i vënë në krye të lojës politike, pavarësisht nevojës së ethshme të shëndetësisë për mjekë.
ProPacientit sjell në vëmendje disa nga drejtuesit e spitaleve të rretheve që kandiduan në zonat e tyre për mandatin e deputetit edhe pse lista e atyre që kërkuan leje pa të drejtë page gjatë kohës së fushtës është shumë më e gjatë.
- Alban Ramohitaj
2. Desantila Tahiraj
3. Erjona Ibro
4. Edlira Bode
5. Ediola Braha