Dr. Edmond Puca, në një rrëfim për betejën me Covid-19

Xhoana Çallaku

Kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë që nga konfirmimi I rastit të parë më covid-19 në Shqipëri. Që prej asaj kohe të gjithë mjekët u rreshtuan në frontin e parë të luftës më një armik, të quajtur , i padukshëm. Mjekët e Tiranës, veçanërisht, përballuan fluksin më të madh të punës, me një numër shumë të madh pacientësh, çka çoi në një rraskapitje të madhe fizike dhe mendore. Secili mjek që ka punuar drejtpërdrejt me pacientët në shërbimin e infektivit, padiskutim që ka një “histori për të rrëfyer”. Histori jo, por një rrëfim të shkurër gazeta Shëndeti mundi t’ja merrte mjekut infeksionist Dr. Edmond Puca, në Q.S.U. “Nënë Tereza” Tiranë. Dr Puca e konsideron këtë periudhë, si më të vështirën në jetën e tij.

Doktor, kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë që nga koha kur Ministria konfirmoi rastin e parë më Covid-19, si ndiheni ju sot?

Situata pandemike është në fakt një situatë shumë problematike, sigurisht që jo vetëm për mua por për të gjithë bluzat e bardha. Unë jam një mjek që ka njëzet vite që jam pjesë e kuadrit të bluzave të bardha në sistemin shëndetësor, ku kam parë sëmundje nga më të ndryshmet flas për sëmundjet infektive, infeksione të sistemit nervor, siç thuhet ndryshe meningjite apo encefalite, ethet hemorragjike dhe leptosiroza që njihen si sëmundjet e miut, kolerën, tuberkulozin, AIDS etj. Por kjo pandemia e Covid-19 është totalisht diçka tjetër, është një sëmundje që kalon më shumë se sa sëmundje për arsye se ka futur në një proces kaotik si sistemin shëndetësor me mënyrën e sjelljes dhe bashkëpunimin midis njerëzve, lëvizshmërinë, tregjet ekonomike etj. Kështu që unë do të thoja se është një situatë në të vërtetë problematike dhe e vetmja gjë që shpresoj shumë të ndodhë është që kjo situatë nuk do të zgjasë shumë, për arsye se duket tashmë që po hap shumë probleme gjatë rrugës.

Nëse bëni një retrospektive të gjithë asaj që ka ndodhur, si e përshkruani këtë periudhë që ka kaluar?

Ka qenë një situatë mjaft interesante, më kujtohet që në atë kohë unë kam qenë në një konferencë ndërkombëtare, në datat 23-24 Janar dhe gjatë gjithë konferencës u fol vetëm njëzet minuta për këtë virus. Mirëpo, ndërkohë që bashkëbisedonim me kolegët aty në konferencë, njëri prej tyre merr informacion se në Kinë u mbyllën supermarketet. Në këtë moment thash me vete se vërtetë qenka një sëmundje shumë problematike. Që me këtë hap, domethënë mbyllja e jo vetëm sistemit arsimor, por mbyllja e supermarketëve, pastaj ndërtimi i një spitali te madh në Kinë për një periudhë shumë të shkurtër kohore tregoi që ky virus ka me të vërtetë problematika madhore. Duke u kthyer tek aspekti personal, sigurisht që isha shumë i gatshëm ashtu siç jam edhe sot që të jepja kontributin tim, pavarësisht se informacionet ishin të limituara. Megjithatë jo vetëm unë, por i gjithë sistemi shëndetësor jemi përballur me këtë virus pa patur shumë informacione për të, por vetëm thjesht duke mjekuar e duke dhënë ndihmën tonë. Me kalimin e ditëve, javëve e muajve sigurisht që krijohet eksperienca, përvoja, dalin edhe informacione shkencore mjaft të nevojshme për trajtimin dhe menaxhimin e situates. Por, po ti kthehesha mbrapa në kohë do të thoja që në vetvete kishte mungese informacioni, pasiguri, ankth e ndoshta edhe frikë, por nga ana tjetër duhet të tregohej edhe vullnet, karakter për t’a luftuar dhe për tu përballur me një sëmundje e cila është pjesë e jona. Dhe asnjëherë nuk e kam menduar tërheqjen mbrapa nga vija e parë e frontit “të luftës” ndaj këtij virusi.

Sa të frikësuar ishit për të qëndruar përballë këtij armiku të padukshëm?

Të them të vërtetën nuk është se kam qenë i frikësuar, por kam qenë i kujdesshëm. Tashmë që e kujtoj, që në fillim kur sapo filloj përhapja e informacioneve për COVID-19 dhe pse akoma nuk kishte ardhur në Shqipëri, fillova të tregoj më shumë kujdes për veten, për personelin dhe kolegët e mi të cilët ishim aty të pranishëm. Padyshim hapi i parë ishte vendosja e maskave në mënyrë të padiskutueshme, pastaj pasi u shfaqen rastet e para ketu tek në fillim të muajit Mars të vitit të kaluar, filluan edhe mënyrat e tjera të veshjeve speciale në punë. Domosdoshmërisht prioritet mori dhe higjiena, them kështu duke pasur parasysh kthimin nga puna, ku menjëherë sapo futesha në shtëpi më duhej të bëja pastrimin e rrobave të veshjes time, dizefektimin etj. Fatmirësisht nuk është se kemi pasur problematika, nuk është se kemi pasur ndonjë dëmtim apo problem, por jam përpjekur të jem i kujdesshëm e çuditërisht frikë nuk kam pasur.

Duke qenë se e prekët pak më lart, mbajtjen e maskës si barrier mbrojtëse ndaj Covid-19, sa efikase është kjo?

Personalisht mbajtja e maskave në ambjente të mbyllura do të thoja është jashtëzakonisht shumë efikase. Ndërkohë që nga ana tjetër aplikimi i maskave do të bënte edhe eleminimin e virozave të tjera.  Për shembull vitin që kaluam, numri i virozave ka qenë shumë i limituar. Pse? Sepse maskat kanë qenë jashtëzakonisht shumë në përdorim. Dhe ndoshta këtë vit do të jetë pak e vështirë dhe për mjekët për të diferencuar një virozë banale me një infektim nga Covid-19.

A ndiheni të lodhur, të pafuqishëm për të vazhduar “sfidën” ndaj Covid-19?

Sigurisht që në çdo udhëtim, njeriu edhe në këtë periudhë ndihet i lodhur, nuk mund të them se jo. Një periudhë e cila mbart mbi vete jo vetëm lodhje fizike, por shumë më tepër edhe psikologjike. Nuk është e lehtë që në të njëjtën kohë të jesh mjek, infermier, psikolog, apo edhe pjesëtar i afërm i pacientit. Por ajo që po shoh tani është lodhja psikologjike, ndoshta kjo gjë është një aspekt i cili do na lejë pasoja më mbrapa. Është tejet e vështirë që nëpërmjet telefonit apo takimeve të shkurtra me familjarët e pacientit, të japësh mesazhin tënd, të tregosh përpjekjet e tua dhe të gjithë ekipit që përfaqëson, deri në momentin e fundit. Pastaj imagjino sa njerëz kërkonin ndihmë në telefon, sa madje që të isha korrekt me ta ju ktheja pergjigje edhe në orët e vona të natës. Kemi parë situata mjaft të vështira të cilat besoj se do të lenë gjurmë në memorien tonë. Por ndodhem në një front, ku këtë punë e kam të pashmangshme dhe le të themi që nuk e mendoj pjesën e lodhjes. Ne kemi qenë edhe më të lodhur le të themi në vitin që lam pas, ku numri i të prekurve nga pandemia ishte pothuajse dyfish apo trefish me atë që është tani. Kemi parë shumë humbje jete aq sa nuk i kishim menduar ndonjëherë, jemi sfilitur pafund, por ky është profesioni ynë. Asnjëherë nuk jam i pafuqishëm për të vazhduar. Shpresoj me ndihmën e të Madhit Zot të kem fuqi dhe mendje të shërbej deri në fund.

Po në aspektin psikologjik të pacientëve, si ka ndikuar ky virus?

Sigurisht që ky virus që në fillim kur u shfaq ishte shumë problematik. Le mos të harrojmë që në Itali fatkeqësisht kufomat largoheshin me mjete ushtarake. Numri i rasteve në Amerikë arriti ekstremisht i lartë, pastaj nuk po flasim për Brazilin ku kishte tre deri në katër mijë raste humbje jete në ditë. Media bën një informacion goxha të madh, ku njerëzit i marrin këta informacione edhe po të mos u’a thuash, tashmë e marrim një informacion të tillë. Ndërkohë për shkak të natyrës së sëmundjes, të prekurit me këtë virus të qëndronin larg familjarëve të tyre, ky ishte një aspekt i dytë problematik dhe mjaft i madh. Pastaj aspekti tjetër është mungesa e oksigjenit, e cila është një problematikë shumë e madhe. Sepse i sëmuri e ndien vështirësinë që ka në gjoks për t’u mbushur me frymëmarrje. Do të sjell në vëmendje edhe pjesën kur na shikonin neve bluzat e bardha të veshur me veshjen e posaçme, ku dukeshim si astronautë që vetëm nëpër filma i kishin parë. Padyshim që edhe kjo e prek rëndë aspektin psikologjik të pacientit. Pra bëheshin shumë elementë që të ngarkonin emocionalisht, plus pjesës organike të sëmundjes. Pavarësisht se ne jemi përpjekur pothuajse gjatë gjithë kohës për ta bërë edhe rolin e psikologut dhe pse ky i fundit është prezent në spitale. Ndërkohë të mos harrojmë se edhe shumë informacione shpesh ishin mjaft kontradiktore. Kështu që do të thoja se nuk ka qenë shumë e lehtë si peiudhë.

Si shihni fokusimin e sistemit shëndetësor vetëm në menaxhimin e pandemisë?

Covid-19 nuk është thjeshtë një sëmundje infektive apo pulmonare, por është një sëmundje e cila e ka futur sistemin shëndetësor në disa labirinte jo shumë komode. Duke qenë se një pacient për të shkuar te marrë një shërbim shëndetësor duhet të kaloj disa hallka si; bërja e testit, mbajtjen e maskave e disa procedura të cilat e lodhin me thënë të drejtën pacientin, në këtë rast le të themi e neglizhon situatën e vetë. Por nga ana tjetër edhe vetë sistemi shëndetësor u gjet i papërgatitur. Mos harrojmë se një pandemi e përmasave të tilla pothuajse nuk mbahet mend as nga profesorët më të vjetër në moshë. Është problematike, sepse sistemi shëndetësor nuk duhet të fokusohet vetëm tek pjesa e Covidit. Kjo për disa arsye, sepse sëmundjet e zemrës, diabetit, apo patologjitë e tjera hematologjike, tumorale kanë vendin e tyre dhe sado që pjesa e Covidit të mbaj peshën kryesore për një periudhë të caktuar, sërish këto sëmundje që përmenda më lartë mbajnë atë përqindjen e tyre në varësi të popullatës. Kështu që unë e shoh si situatë jo të mirë, dhe duhen gjetur mekanzima që pandemia të bëjë pjesën e vetë dhe sistemi shëndetësor të vazhdojë monitorimin dhe kontrollimin, apo depistimin e pacientëve me patologjitë e tjera. Mos harrojmë se meqë jemi edhe në tetor, depistimi është mënyra më e mirë për të evidentuar dhe me pas parandaluar shumë sëmundje.

Gjatë gjithë kohës suaj në ushtrimin e këtij profesioni, a keni hasur ndonjë vështirësi më të madhe se kjo e pandemisë?

Secila sëmundje ka problematikën e vet, por kjo është më shumë se sa nje semundje. Përvecse duhet të merresh me trajtimin e pacientit, duhet të merresh me kujdesin ndaj vetes, kujdesin ndaj kolegut, ndaj familjes, me mënyrën e transportit se si do të shkosh nga shtëpi për në punë. Me pjesën që duhet t’u japësh informacion familjarëve për gjendjen e të afërmve të tyre që janë shtruar nga infektimi me Covid, të cilët nuk e shohin të shtruarin, por nëpërmjet rrjeteve sociale që komunikojnë ose ‘video call’. Duke pasur parasysh të gjitha këto që përmenda më lartë, e kam thënë edhe më përpara në një bisedë që isha me disa kolegë dhe profesorë të mi që nuk e mbaj mend kolerën, por kjo qenka më keq se ajo. Ata buzëqeshën dhe thanë doktor paske të drejtë, kjo qenka me të vërtetë shumë po shumë problematike. Ndërkohë ky virus arriti të futë në kolaps mjaft tregje ekonomike, lëvizshmërinë dhe deri liritë e njerëzve. Kështu që unë e them pa frikë, se situata që kemi kaluar këtë periudhë është më e vështira në aspektin tim profesional dhe social dhe shpresoj shumë që të mbyllet sa më shpejtë dhe të mos përsëritet më. Besoj se, pas kësaj pandemie, bota nuk do jetë më si më parë.

Pas gjithë asaj pune, pas gjithë atyre rasteve që keni trajtuar, pasi duhet thënë që keni mbajtur peshën më të madhe në menaxhimin e kësaj sëmundje, cila do ishte “këshilla” që do të ndaje me kolegët e rretheve (spitaleve rajonale dhe bashkiake) si dhe me pacientët?

Covid-19 është një sëmundje që nuk i përket vetëm një specialiteti tek bluzat e bardha, siç mund të jenë infeksionistët, pneumologët apo ndonjë specialiteti tjeter. Ky është një virus që prek të gjithë sistemin shëndetësor, ku të gjithë mjekët janë marrë dhe duhet të merren me të, duke nisur që nga mjeku i familjes, mjekët specialistë të rretheve apo edhe ne këtu.  Ajo çfarë do përpiqesha të përçoja unë nëpërmjet kësaj interviste është se duhet të jemi të kujdesshëm. Këta pacientë janë ata të cilët kërkojnë një vëmendje jashtëzakonisht të madhe dhe një monitorim gati çdo dy apo tre ditë për arsye se është një sëmundje që të rrëshket shpejt nga duart. Por kur futesh shpejt në lojë ke shumë shanse për ta parandaluar si sëmundje dhe për t’i dhënë shanse pacientit që mos komplikohet. Kjo do të ishte për mua çelësi dhe suksesi i tërë sëmundjes. Ndërsa për pacientet do të thoja të jenë më të kujdesshëm. Ata të mos e marrin me lehtësi. Nëqoftë se dikush e shikon që dy apo tre ditë kanë simptoma të ngjashme me Covidin, që do të thotë ndoshta pak temperaturë, pak lodhje, dhimbje fyti e dhimbje mesi është e mira që të shkojnë të bëjnë një vlerësim dhe vizitë tek mjeku. Jo gjithmonë është e nevojshme që pacienti t’u nënshtrohet ekzaminimeve të thella, ku nënkuptojmë grafi, skaner apo ekzaminime të gjakut, por të konsultohet me mjekun. Pastaj është mjeku ai që vendos për gjendjen e pacientit se çfarë duhet të ndjekë. Nuk duhet të bëhen ankthioz, por të ruajnë qetësinë dhe të gjejnë një urë bashkëpunimi me punonjësit shëndetësor.

A mund ti përmbledhim disa mesazhe, që ju I konsideroni kyç për qytetarët në këtë betejë?

Gjëja më e thjeshtë dhe e domosdoshme është përdorimi i maskës si barrierë mbrojtëse nga infektimi me Covid-19 në ambientet e mbyllura. Është një formë e lehtë e të aplikuarit të kësaj mase mbrojtëse e cila eshte treguar mjaft efikase. Nuk po them se nuk është e bezdisshme, se mbajtja e maskës nuk është ndonjë kënaqësi e madhe, por mund të ishte një ndër faktorët që mund të shërbejë për mospërhapjen e sëmundjes. Ndërkohë nga ana tjetër shoh diçka që ka shumë rëndësi. Shoh njerëz që nuk e pranojnë këtë sëmundje dhe vetëm kur infektohen e besojnë atë. Pra, më para se të ndodhë kjo (të infektohen) ata nuk e besojnë se është virusi mes nesh. Kjo më duket diçka shumë e çuditshme, kur sheh kaq humbje jete, kaq shumë kufizim për të mos lëvizur dhe në fund të fundit të mendosh sërish se Covid-19 nuk ekziston.

Megjithatë, unë do theksoj fort atë që shpreha më lart, persona të cilët shohin disa shenja sado të vogla të jenë që ndoshta u duken si gripi i zakonshëm mos t’i neglizhojnë por të konsultohen tek mjeku.

Gjithashtu, mos të bëhen pjesë e grumbullimeve dhe kontaktit me shumë njerëz, por të mundohen të bëjnë një vetë-izolim.

Metodë tjetër është vaksinimi. Aktualisht nuk është se ka shumë alternativa për ta sulmuar këtë virus, pavarësisht se po bëhen zbulime dhe përpjekje pafund. Përsëri armët që kemi tani nuk janë shumë efektive.

Lind pyetja çfarë duhet të bëjmë ne? Së pari maskat me aq sa kemi mundësi t’i vendosim në ambjente të mbyllura, eleminimin e kontakteve me sa më shumë persona dhe nga ana tjetër bërjen e vaksinës anti-Covid. Unë e di shumë mirë që çështja e vaksinës është një debat shumë i madh. Disa kanë të drejtë e të tjerë jo, megjithatë ne në mjekësi kemi një thënie, e cila është, merr argumentat në bazë të të dhënave shkencore. E shprehur më thjeshtë është shiko statistikat edhe pastaj fol. Unë personalisht si mjek jam pro aplikimit të vaksinës, pavarësisht se ka shumë teori, ka shumë fjalë të pa mbështetura statistikisht që të thotë se vaksinat nuk janë efektive apo se kanë efekte anësore. Nuk them se nuk ka ndodhur rasti kur një person pas bërjes së vaksinës është infektuar, as nuk them që mbasi ka kaluar Covidin, është vaksinuar dhe sërish pastaj është infektuar, por këto janë probabilitete matematikore. Që në momentin që del vaksina thuhet që roli i saj apo efekti mbrojtës shkon nga 92-94%, pastaj mbas disa muajsh efikasiteti ulet. Jam dakort që ne do kishim dashur një vaksinë që ta bëjmë vetëm një herë dhe të jemi tërë jetën të mbrojtur, por për momentin kjo gjë nuk është arritur. Unë personalisht them që do të ishte mirë që edhe media të na jepte një farë ndihme që të jemi më bindës ndaj informacionit për ta aplikuar vaksinimin. Njerëzit duhet të besojnë në shkencë dhe në fuqinë e saj.

 

Së fundmi, dëshiroj të sjell në vëmendje një fakt shumë të rëndësishëm, që kjo periudhë ndihmoi në përmirësimin e imazhit të mjekut, pasi duhet të pranojmë që në dekadën e fundit pamë një zbehje të rolit të bluzave të bardha në vendin tonë. Ju si mjek, si e komentoni?

Unë fatmirësisht kam pasur në familjen time mjekë dhe shpesh herë jetoj nën “hijen” dhe me imazhin e tyre. Sigurisht që mjeku ka qenë një idhull për të gjithë njerëzit. Megjithatë mbas viteve 90’ për arsye nga më të ndryshmet, jo vetëm të mjekëve por edhe të sistemit shëndetësor apo mënyrës tonë të të sjellurit si ballkanas me mitmarrje, me mitdhënie etj, roli I mjekut pësoi nje zbehje te madhe. Madje edhe politika apo media e ka shfrytëzuar këtë fakt për interesa të saj. Pra, duam apo nuk duam ne ky aspekt u zbeh, jo pak por u zbeh goxha shumë gjë të cilën unë personalisht e vuaj. Megjithatë edhe në momentin që ne po flasim sinqerisht nuk është se e shoh veten si një “hero”, por si një person i cili gjendem në një vend të pashmangshëm, në një vend që fatmirësisht kam dëshirë dhe kam mundësi për t’i ndihmuar njerëzit. Ky ka qenë qëllimi dhe motivi i jetës sime. A bëjmë gabime? Sigurisht që edhe mund të bëjmë gabime, megjithatë lutem që Zoti i madh të na ruaj si në aspektin fizik, por dhe atë mendor që derisa të kemi frymë t’u shërbejmë njerëzve. Në një rrugëtim sa të gjatë por edhe të vështirë si profesioni I mjekut them që ka gabime, nuk mund të them jo, por çdokush përpiqet të bëjë më të mirën aq sa është e mundur. E rëndësishme është të jesh vetvetja përballë pacientit dhe familjareve të tyre, përballë kolegeve dhe vetvetes. Duhet që jo vetëm politika, njerëzit por edhe media të luftojë të rrisë rreputacionin e mjekut. Mjeku është “një monument”. Shteti harxhon miliona lekë për të nxjerrë një mjek. Nga ana tjetër mjeku humb nga jeta e tij momentet më të bukura të saj. Në kohën kur do të shijojë jetën atij i duhet të lexojë. Në momentin që është me familjen e tij, me shokët apo edhe duke pirë ndonjë gotë, shpesh duhet ti lërë dhe të paraqitet në spital. Mjeku nuk mund ta mbyllë kurrë telefonin e tij. Madje edhe vetë kur e kujtoj, tani që kam afër 18 vite punë në shërbimin infektiv, pothuajse tre vite i bie që i kam kaluar roje në spital. E kupton çdo të thotë të jesh tre vite larg familjes tënde? Por asgjë nuk justifikohet me shpëtimin e një jete. Ky është misioni i mjekut. Të luftojë, punojë e lexojë, se Zoti do t’ja shpërblejë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*