Dr Alket Koroshi: Ku gabojmë kur mjekojmë Hipertensionin Arterial

Alket Koroshi, mjek

Hipertensioni arterial është një sëmundje shumë e shpeshtë , madje sëmundja më e shpeshtë e kohës sonë. Mjafton të themi që janë mbi 1,5 miliard njerëz në botë që vuajnë nga Hipertensioni Arterial.  Sipas kritereve të reja për përkufizimin e Hipertensionit Arterial llogaritet që afro gjysma e adultëve (e të rriturve ) vuajnë nga Hipertensioni Arterial. Në moshat mbi 65 vjeç dy të tretat e njerëzve janë me Hipertension. Duhet ditur që kjo sëmundje nuk prek vetëm njerëzit e pasur por çdo shtresë shoqërore. Çdo vit në botë vdesin afro 10 milion njerëz si pasojë direkte e Hipertensionit Arterial. Pasojat direkte të Hipertensionit janë Insultet Cerebrale dhe Sëmundjet Ishemike të Zemrës.

Kur matet tensioni tek pacienti duhen respektuar disa rregulla  për të mos gabuar në vlerësimin e gjendjes së tensionit në këto raste:

  • matja e tensionit bëhet në një dhome të qetë pa zhurma
  • pacienti duhet para se të masë tensionin të ketë urinuar plotësisht.
  • të jetë ulur në një karrige pa i kryqëzuar këmbët.
  • të rri i qetë afro 15 minuta para matjes.
  • të behet matja e tensionit me një manshetë të përshtatshme për krahun e tij.

Mansheta vihet direkt në lëkurën  e krahut dhe jo sipër rrobave. Mansheta duhet të jetë në nivelin e zëmrës së pacientit. Matja bëhet së paku dy herë në interval nga një minute. Këto rregulla të thjeshta nuk lejojnë të bëhen gabime në vlerësimin e tensionit  gjë  që do ndikonte  në trajtimin jo korrekt  të mëtejshëm të pacientit.

Prej shumë dekadash si te mjeket ashtu edhe te pacientët , është rrënjosur ideja se Hipertensioni ka lidhje me marrjen e shumtë të kripës. Mirëpo studimet e viteve të fundit kanë treguar se kjo lidhje ndërmjet kripës e Hipertensionit nuk është kaq e thjeshtë. Deri vonë në rekomandimet e bëra nga mjeket thuhej që pacientët me Hipertension Arterial nuk duhet të marrin ushqime me shumë kripë. Por së fundmi në një studim të gjere të bërë në Amerikë, 2600 njerëz në moshën 30-65 vjeç u ndoqën nga mjeket për 16 vjet me radhë . U pa se ata që merrnin me ushqime më pak se 5 gram kripë në ditë kishin tensionin e gjakut më të lartë se ata që konsumonin më shumë kripë. Mjekët atëherë konkluduan se edhe pakësimi i ekzagjeruar i kripës në ushqim sikurse teprimi i saj kanë risk të rritur për Hipertension dhe rrjedhimisht edhe për komplikacione kardiovaskulare. Sugjerimi i tyre ishte : nuk duhet që pacientëve me Hipertension Arterial tu rekomandohet reduktim i ekzagjeruar i kripës në ushqim.

Nga ana tjetër sot po merr rëndësi dieta me shumë potassium (kalium) , magnezium dhe kalcium si elemente të nevojshme për të mbajtur një tension normal të gjakut (pra ushqimet  të përmbajnë në sasi të mjaftueshme fruta e perime ).

Një tjetër problem që ngrijnë  pacientët me Hipertension Arterial (dmth me vlerat mbi 140/90 mmHg) është se kur duhet filluar mjekimi me barna për uljen e tensionit. Këtu është e rëndësishme të theksohet se nuk ka vlerë përdorimi i barnave antihipertensive nëse pacienti nuk ndryshon mënyrën e jetesës (ecje te paktën 150 minuta ne jave, ulje ne peshe dhe pakësim i moderuar i kripës në ushqim). Nëse ky ndryshim i stilit të jetës i kombinuar me medikamentet antihypertensive e stabilizon tensionin për një kohë të gjatë, atëherë  mundet pas disa muajve të bëhet reduktimi gradual i dozës së barnave  antihypertensive.

Një masë e rëndësishme në trajtimin e hipertensionit Arterial është evitimi  e preparateve që e rrisin tensionin si antinflamatoret jo steroidiene (brufen etj.), hormonet kontraceptive, antidepresantët, ciklosporina etj.

Kujdes i veçante duhet treguar tek të moshuarit kur mjekojmë Hipertensionin Arterial sepse nëse një pacient i tille  e ka patur tensionin sistolik me pare 170 mmHg dhënia e medikamenteve të shumta mund ta ulë shpejt tensionin deri ne 120 mmHg. Atëherë mund të ndodhë rritja e riskut kardiovaskular dhe madje i moshuari kur ngrihet nga shtrati mund të rrëzohet e të pësojë fraktura të pariparueshme. Pra ulja e tensionit duhet bërë ne mënyrë shumë graduale në këto subjekte.

Nga medikamentet që përdoren më shumë në mjekimin e Hipertensionit Arterial janë pa dyshim “shkarkuesit” pra diuretikët. Ndër to edhe në vendin tonë përdoret jashtëzakonisht shumë  perparati hydroklorthiazid. Madje  në botë janë miliona njerëz që përdorin hydroklorthiazidin.

Por surpriza e fundit kush është?

Hydroklorthiazidi nuk ndikon fare në pakësimin e komplikacioneve kardiake dhe insulteve cerebrale në pacientët me Hypertension Arterial. Madje kohët e fundit  është konstatuar se ky preparat e rrit mundësinë e kancerit të lekurës. Kështu Franz Messerli që është një nga njohësit më të mirë të hipertensionit në shkallë botërore sugjeron jo më hydroklothiazid në mjekimin e Hipertensionit Arterial por të zëvendësohet ai me diuretikë të tjerë si indapamidi dhe klortalidone.

Sot preparatet kalcibllokuese (si amlodipina, nifedipina etj.) , inhibitorët e sistemit reninë- angiotensine ( si losartani, valsartani etj.), dhe diuretikët (si indapamide, klortalidone ) janë barna  të zgjedhura në trajtimin e Hipertensionit Arterial. Këto mund të përdoren veç e veç ose të kombinuara sipas nevojës individuale të cdo pacienti. E rëndësishme është të ndiqet parimi: nuk mjekohet sëmundja por mjekohet i sëmuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*