Dogjani: Menaxhimi i traumës dhe urgjencës kirurgjikale kërkon profesionalizëm dhe unifikim protokollesh

Intervistoi: Emanuel Smaka

Akoma pa u bërë 1 vit që nga krijimi i saj, Shoqata e Traumës dhe Kirurgjisë së Urgjencës (ASTES) ka nisur planet për hartimin e një strategjie afatgjatë, qëllimi i së cilës është ngritja e një sistemi të pavarur të traumës në Shqipëri. Prof. Asc. Agron Dogjani, MD, PhD, FACS  president i ASTES, ka treguar për Shëndet + vështirësitë me të cilat përballet sistemi i menaxhimit të traumave në vend.

Sipas Dogjanit, menaxhimi i traumave në shoqëritë moderne mbështetet në katër  kolona kryesore që janë Edukimi & Parandalimi, Menaxhimi  Paraspitalor, Menaxhimi Spitalor dhe Rehabilitimi, ku sipas tij secila prej tyre ka nevoje për rivlerësim apo krijim nga e para.

  • Dogjani, çfarë mendoni se do të kontribuonte në rritjen e cilësisë së menaxhimit të traumave në vendin tonë?

Synimi ynë kryesor si ASTES është njohja dhe menaxhimi i traumës dhe kirurgjisë së urgjencës nga specialistët e shëndetit në të gjitha nivelet e trajtimit të saj dhe e dyta është të jemi faktorët  dhe aktorët  e traumës në Shqipëri. Kjo do të thotë që ne të kemi mundësitë dhe kapacitetet  intelektuale e njerëzore që protokollet e menaxhimit të traumave dhe urgjencës kirurgjikale të hartohen dhe përpunohen nga shoqata jonë. Kjo është e drejtë ekskluzive dhe mision i  çdo shoqate si motër në shoqëritë moderne. Sa i përket strategjive afatgjata që janë detyrë e shtetit, përfaqësuesit tanë duhet të jenë pjesë integrale si ekspertë deri në detaje.

Mjafton të theksojmë  se trauma përkufizohet si epidemi e kohëve moderne. Grupmosha më e prekur  është mosha e re deri në 45 vjeç. Asnjë nuk është i imunizuar nga traumat. Të gjithë mund të jemi viktima direkt apo indirekt të tyre. Të mos kujtohemi për traumën vetëm kur kemi nevoja individuale.

  • Çfarë synoni konkretisht të ndryshoni në sistem apo edhe protokollin e trajtimit të traumave?

Ne synojmë të organizojmë të gjitha kurset e menaxhimit të traumës, sipas koncepteve bashkëkohore me ndihmën e partnerëve të ASTES. Ngritja e një institucioni edukues nga profesionistë të trajnuar jashtë vendit dhe krijimi i shkollës shqiptare të traumës.

Në pamje të parë duket sikur kemi gjithçka dhe nuk kemi asgjë. Bëjmë kurse, marrim certifikata, por nuk kemi profesionistë në menaxhimin e traumave.

Ne si shoqatë kemi realizuar tashmë me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës kursin e “BLS&D” (Mbështetja bazë jetësore & Defibrilimi)  model për nga mënyra e organizimit dhe aplikimit të njohurive të fituara deri në testimin pas kursit. Nga shteti kërkojmë që ky kurs të jetë i detyrueshëm për çdo personel mjekësor që merret me menaxhimin e traumave dhe urgjencës kirurgjikale.

Po ashtu kemi gati në finalizim projektin e realizimit të “ATLS -in” (kurs i avancuar mbi mbështetjen bazë jetësore në trauma)  në fillim me instruktorë të huaj deri sa të krijojmë instruktorë vendas sipas rregullave akademike.

Personeli i shërbimit të menaxhimit të traumave dhe urgjencës kirurgjikale duhet të jetë i trajnuar duke nisur nga shoferi, infermieri e gjithë pjesa tjetër e stafit.

Por në këtë rast mendoj se është problem i shtetit. Ky i fundit zgjedh partnerët apo aktorët e gabuar. Në traumë duhet të punojnë njerëz që e njohin këtë punë dhe që nuk kanë lidhje me militantizmin politik.

  • Muajin e kaluar ju bëtë edhe një konferencë për ndarjen e eksperiencave të kirurgëve nga vende të ndryshme të botës. Sipas jush çfarë rëndësie paraqesin takime të tilla?

Shërbejnë sepse ne nuk kemi shkollë të mirëfilltë traume në Shqipëri. Në gjithë botën është shumë e vështirë të përgatiten njerëz të trajnuar për traumën, sepse i kushton shtetit. Këtë duhet ta plotësojmë përmes praktikave dhe takimeve për të shkëmbyer ide e eksperienca. Shqipërisë i duhet një shkollë e mirëfilltë traume, por fatkeqësisht nuk e ka. Në universitet gjërat janë të cunguara dhe nuk ekziston profilizimi për traumën.

Në Kanada 12% e fondit të traumës e zë edukimi, prandaj them se është i rëndësishëm. Fondi i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë ndër vite është i pamjaftueshëm për traumën në përgjithësi, sepse nuk mbulon elementë thelbësorë. Duhet të ketë stimulim moral dhe evidentim të profesionistëve më të mirë në bazë të kritereve shkencore dhe jo vetëm. Është një pjesë për të cilën shteti nuk investon fare. Trajnimi i personelit para se të fillojnë punën dhe gjatë saj apo përditësimi i njohurive mbetet vetëm në baza vullnetare.

Po ashtu Kolegji Shqiptar i Kirurgëve është një tjetër ide e hedhur tashmë  sipas modelit të Kolegjit Amerikan të Kirurgeve. Mund  jetë i vetmi institucion përgjegjës që të bashkojë të gjithë kirurgët shqiptar nga të gjitha trevat. Jam i vetmi shqiptar rezident në Shqipëri që jam anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe ideja ime është të mos jem i vetëm, por me bashkudhëtarë të tjerë në këtë mision të vështirë.

  • Mund të më konkretizoni 2 prej vështirësive me të cilat mendoni se përballet sektori i traumës në Shqipëri?

Vetëm menaxhimi dhe profesionalizmi. Po nuk u bënë këto të dyja, nuk do të ecim përpara. Nuk duhet të harrojmë se spitali nuk është i yni, spitali është i pacientëve.

Të gjitha vlerësimet e shërbimit tonë shëndetësor janë 10 herë më keq se vendi më i keq i BE-së. Me shifra jemi 10 herë më keq se Kroacia. Nëse në Kroaci ka 20 mjekë për 100 mijë banorë, në Shqipëri ka 2 mjekë për 100 mijë banorë. Ka emigrim masiv të mjekëve dhe infermierëve.

Për të ngritur një sistem të mirë administrimi të traumës, mendoj se duhet të adaptojmë sistemin Amerikan, i cili mbështet krijimin e profesionit të “Paramedikut” në menaxhimin e traumave.

  • Pse në pjesën më të madhe të traumave, qytetarët drejtohen në Spitalin Universitar të Traumës dhe kryesisht refuzojnë të trajtohen në spitalet rajonale?

E para është mos kompetencë e spitaleve periferike. Nuk kanë faj mjekët, sepse nuk kanë specializim për traumat.

Përderisa programet mësimore për traumën janë tejet të reduktuara, apo në programin e specializimit pasuniversitar të kirurgeve nuk përfshihet pjesëmarrja në menaxhimin e traumës si  pjesë më vete, do të arrijmë në këtë rezultat.

Shpresojmë dhe besojmë që situata do të përmirësohet me harmonizim , faktorizim dhe përfshirje të aktorëve dhe profesionalizëm.

Pro Pacientit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*