Dita ndërkombëtare e diabetit/ Kalo: Shteti duhet të ngrejë strategji për frenimin e sëmundjes

Elona Tereziu

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit, Shoqata e Diabetit ka mbledhur në një konferencë të përbashkët mjek endokrinolog, përfaqësues nga Fakulteti i Mjekësisë e specialist të shëndetit publik. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin emra të njohur të endokrinologjisë si: Agron Ylli, Isuf Kalo, Luljeta Karafili, Sulejman Budo, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Florian Toti, kryetari i shoqatës së diabetit  dhe njëkohësisht organizator i kësaj konference përshëndeti pjesëmarrësit, duke e vënë theksin tek rëndësia e sensibilizimit dhe informimit të pacientëve.

“Ne e kemi filluar fushatën me 1 nëntor dhe deri më tani janë bërë 1500 depistime në të gjithë Shqipërinë, që nga Lushnja, Elbasani, Fieri, Laçi, Lezha, Durrësi, Tiranë, etj, dhe nesër e mbyllim në Shkodër. Slogani dhe motoja e Shoqatës së Diabetit është prej disa vitesh në ndihmë të personave me diabet, duke ngritur ndërgjegjësimin e popullatës dhe personelit mjekësorë. Sa i përket statistikave, krahasuar me vendet e tjera të rajonit ne kemi më pak diabet të diagnostikuar dhe të padiagnostikuar,  rreth 7%,  ndërsa vendet e tjera flasin për 8, 9 ose 10% të popullatës.

Ajo që ka shumë rëndësi është sensibilizimi dhe gjej rastin këtu të përsëris atë që u premtua dje zyrtarisht nga kryeministri. Të paktën për fëmijët deri në moshën 18 vjeç do të ketë rimbursim të fijeve duke filluar nga 1 janari i vitit 2018 dhe ky është një hap i rëndësishëm”.

Dr, Isuf Kalo u ndal të theksonte politikat frenuese duke e parë diabetin si një problem social në tërësi, ku një rol të rëndësishëm, sidomos për diabetin tip 2, luan mënyrë e të ushqyerit dhe stili i jetesës.

“Diabeti është një problem i zgjidhshëm nga ana mjekësore, është i kontrollueshëm, është i parandalueshëm por të vetëm ne nuk arrijmë ta stopojmë diabetin. Nuk e arrijmë pa qeverinë, nuk e arrijmë pa komunitetin, pa institucionet, pa vetë njerëzit e thjeshtë, pa familjarët, sepse faktorët që e gjenerojnë diabetin, janë social. Ne i njohim faktorët e diabetit, ne e dimë se si parandalohet diabeti por nuk kemi një aleancë të tillë që të ndajmë përgjegjësitë, prandaj kjo ditë është ditë sensibilizimi, qoftë për ata që vuajnë me diabet, qoftë familjarët e tyre, por sidomos është për qeverinë, për komunitetin. Këtu kam parasysh diabetin tip 2 dhe nuk po flasim ta shërojmë por ta parandalojmë.

Themi është shtuar obeziteti! Si mos të rritet obeziteti ku në çdo 5 hapa ke një qebaptore, një byrektore, një restorant!  Shkoni në Angli dhe shikoni ndryshimin, çdo 10 metër ke një librari. Kush ua jep licencën këtyre njerëzve?! Hajde të bëjmë si bëjnë vendet e tjera, të vëmë taksa të shtuara mbi ushqimet që janë kancerogjene, që janë hiperkalorike. Njësoj si politikat për frenimin e duhanpirjes të bëjmë dhe një politikë kundra stilit të keq të jetesës.  E kemi thënë, diabeti nuk është sëmundje, është stil jetese. Shikoni vendet nordike, miliona biçikleta, mendoni se nuk kanë para të blejnë makina?! Është shtuar obeziteti tek fëmijët, po harrojmë që prindërit i lënë fëmijët që 5 vjeç mbi monitorin e iPad-ve e telefonave! Prandaj unë them që problemi është kulturor dhe sensibilizimi duhet të jetë mesazhi kryesor në këtë ditë”.

Ndërkohë që Dr. Agron Ylli, shef i shërbimit të endokrinologjisë në QSUT, theksoi rëndësinë e të paturit një strategji afatgjatë lidhur mbi diagnostikimin, trajtimin dhe menaxhimin e sëmundjes.

“Duhet bërë një platformë dhe strategji afatshkurtër dhe afatgjatë lidhur me diagnostikimin dhe trajtimin e diabetit. Mos të lëmë vetëm datën 14 nëntor si pikën e vetme të referimit, por të punojmë gjatë gjithë vitit. Fatura që vjen në dializë, me infarktet e miokardit, me bypaset, janë fatura që vijnë si rezultat i punës jo korrekte. Hajde të shtrojmë një strategji dhe gjithë strukturat të bëjnë pjesën e tyre, Ministria të veten, Instituti i shëndetit Publik të vetin, shoqatat punën e tyre, ne si mjek pjesën tonë dhe të dalim më një strategji serioze, me afat të caktuar 5-10 vjet dhe  të shikojmë ku do shkojë Shqipëria më diabetin, është drejt përmirësimit, është për një diagnostikim më të hershëm apo do shkojë duke u rritur?! Kjo është logjika, të bashkohemi të gjithë për të dhënë një ndryshim të situatës aktuale të diabetit në Shqipëri.

Artan Ulqinaku, drejtor i ASHR (Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Tiranë) solli fakt interesante lidhur mbi një studim që po kryhet së fundmi tek fëmijët e qytetit të Tiranës sa i përket mbipeshës, si një nga faktorët kryesorë predispozues për shfaqjen e diabetit tip 2.

“Ne kemi ndërmarrë një studim interesant në qytetin e Tiranës dhe ndoshta do prekim dhe Bashkinë Kamëz për sa i përket disa parametrave tek fëmijët e klasës së dytë. Nga rezultatet paraprake të këtij studimi, na rezulton se 80% e fëmijëve të moshës së klasës së dytë në qytetin e Tiranës janë mbipeshë. Një kontigjent goxha i lartë ky, ndoshta më i riskuar për t’u prekur nga diabeti në të ardhmen. Nga studimi gjithashtu na ka rezultuar dhe një numër jo i pakët fëmijësh nënpeshë”.

Ariel Çomo, zv. dekan i Fakultetit të Mjekësisë.

“Besoj se kur vjen puna për diabetin, edhe një kirurgu, edhe një  onkologu, secilin prej specialiteteve, në  teori,  duhet të ketë sensibilitet, pastaj vjen puna tek dija, nga dija shkohet  tek ndërtimi i konsensuseve për të bërë lëvizje të tilla që i takojnë lëvizjeve të një makinerie të rëndë siç është kurrikula studimore në 6-vjeçar. Hapësirë tjetër e madhe janë specializimet. Tek specializimet kam përshtypjen që në secilin prej programeve bën kuptim për të folur për diabetin, bën kuptim për të folur për mbipeshën dhe si shembull dua të jap se  çfarë bëhet me zhvillimin e fëmijëve. Ushqyerja, stili i të jetuarit dhe lidhjet qelizore në tru janë kaq të mirëlidhura me njëra tjetrën saqë edhe monitori edhe kualiteti i asaj që hanë fëmija, edhe mënyra se si po rriten, tashmë janë kthyer në vëmendjen e qeverive të mëdha.  Me po të njëjtën mënyrë të menduari, qeveria angleze i çon ushqim në shkollë në mënyrë të programuar fëmijëve. Dhe ne mund të argumentojmë si pula me vezën nëse nxitja e kryesore ka qenë mbipesha, apo nxitja kryesore ka qenë dëmi gjatë zhvillimet të hershëm që mund të vijë prej stilit të jetuarit.”

Juljeta Karafili: “Nëse do të bëheshin studime, do të shikonim që kontrolli i diabetit është më keq sa s’ka ku të vejë. Shërbimi ambulator dhe mjekët e familjes duhet të punojnë më shumë me edukimin e pacientëve. Më parë nëpër poliklinika flitej shumë për dietën, flitej shumë për diabetin, harxhohej shumë energji nga ana e mjekut, kishte më shumë motivim.  Unë them se më shumë sesa na mungojnë mjetet, nuk bëjmë detyrën më  mirë”.

Sulejman Budo: “Ne jemi shumë larg me edukimin e pacientëve! Duhet më tepër sensibilizim! Mjekët tanë japin receta, por për informimin nuk bëjnë asgjë. Qoftë gjatë vizitave, qoftë në media, mjekët duhet t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë në mënyrë që këto mesazhe të shkojnë në vendin e duhur. Po nuk arritëm të edukojmë popullatën, po nuk arritëm të bindim të sëmurit me diabet, nuk e kemi bërë detyrën siç duhet”./ ProPacientit.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*