
Myftar Torba, kirurg i përgjithshëm në Spitalin Universitar të Traumës*
Ministri deklaroi në fushatë elektorale se do të ketë mjekësi falas. Mjekësia falas është shumë e drejtë dhe është kjo që i duhet këtij vendi, kësaj shoqërie ku ne jemi.
“Mjekësi falas” në kuptimin e vet të mirëfilltë etimologjik të fjalës nuk ka, sepse edhe ajri që e thith nuk është falas. Çdo shërbim që ne kemi, pastrimin, rendin, shkollën, sigurisht që është me pagesë dhe paguhen nga taksat tona. Është goxha koncept i drejtë dhe më e mira për këtë vend.
Ne nuk kemi kushtet për të bërë çdo gjë tjetër, por për të bërë mjekësi falas i kemi kushtet. Si i kemi kushtet? Kur ka thënë “falas” ministri ka pasur parasysh nga taksimi i përgjithshëm. E vetmja gjë që është e drejtë, që është sociale në shëndetësi, është pagesa nga taksimi i përgjithshëm. Që do të thotë të marrësh shërbim shëndetësor jo sipas mundësisë për të paguar, por sipas nevojës për këtë shërbim. Unë që kam para e që bëj 1000-2000 km në ditë, që lëviz me makina, do të taksohem për naftën, do taksohem për hotelin, do të taksohem për kafen, për bukën, për të gjitha qejfet që do të bëj. Automatikisht nga taksimi i përgjithshëm do të paguajë më shumë për shëndetësinë. Kurse qytetari që është me asistencë duke patur të ardhura të pakta, çfarë do të shpenzojë? Shumë pak. Automatikisht do të paguajë për shëndetësinë shumë pak. Derisa jemi një shoqëri joformale, rruga më e drejtë për të mbështetur sistemin shëndetësor është mjekësia falas.
Ministri nuk ka hequr dorë nga shëndetësia falas. Thuhet se ministri ka hequr dorë nga termi “shëndetësi falas” për ta zëvendësuar me mbulim universal. Mos të kapemi pas fijes së barit. Është çështje termash. Është njësoj si arsimi. Nëse pyet çdo qytetar, nëse arsimi është falas, ai “po” do të thotë. Në të njëjtin stil do të jetë edhe shëndetësia. Sigurisht që për momentin është shpejt për ta konvertuar, por kjo është zgjidhja më e mirë për këtë shoqëri ku ne jemi.
Mbulimi me barna është dukshëm disa herë më mirë sesa ka qenë më para. Unë kam qenë shef i urgjencës së këtij spitali. Cilësia është e njëjtë. Të njëjtat medikamente që kanë ardhur atëherë, e njëjta firmë, i njëjti paketim, e njëjti seri është dhe tani. Nuk ka fabrikë të vetën të ura e Lanës ministri dhe prodhonka barna. Të njëjtët distributorë që kanë qenë atëherë, të njëjtët janë edhe sot. Nëse në Shqipëria ka pasur 300 distributorë dhe janë shtuar 305. Këto e prishën tregun?
Kemi detyrim për të thënë të vërtetën për realitetin në shëndetësi. Mbulimi me medikamente është disa herë më i mirë, kushtet në urgjencën e traumës janë disa herë më të mira. Në urgjencë nuk kemi pasur laboratorë, nuk arrinim dot të bënim asnjë lloj analize përtej orës 3:00 të pasdites, sot ne kemi laborator dhe kemi mundësi të bëjmë gjithë analizat edhe pasdite, edhe natën.
Nuk kemi pasur asnjë monitor te koka e të sëmurit. Sot të gjithë shtretërit e reaminacionit janë të pajisur me monitor te koka e të sëmurit dhe me monitorim qendror që kontrollon të gjithë të sëmurët në të njëjtën kohë.
Në reaminacion e spitalit tonë kanë ardhur mbi 6 aspiratorë të rinj, janë aparatura që mbajnë frymëmarrjen gjatë fazës që pacienti është në gjendje kome.
A ka probleme?
Sigurisht që po. Kemi pasur probleme me ngrohjen. Gjatë vitit nuk është arritur që të realizohet ngrohja e vazhdueshme. Aq problem ka qenë ky, sa nuk e kemi marrë vesh kur është ndezur e kur nuk është ndezur ngrohja.
Probleme me ujin. Në katin që unë punoj, 3 dhoma kanë, 4 dhoma nuk kanë ujë. Jo një ditë, 6 muaj, jo se ka ardhur me orar. Nuk ka ekzistuar fare.
Por, a duhet që ministri të kapë çelësat e të rregullojë ujin në spital? Sigurisht që jo. Është detyrë e ekipit, drejtorisë, administratës.
Jemi pajisur me skaner të ri. E kemi në ambientin më të përshtatshëm të këtij spitali. Mes urgjencës dhe në reaminacion, që është komod për të realizuar këtë ekzaminim. Më përpara nuk e çonim dot të sëmurin në skaner. Skaner krejt i ri që ka filluar nga puna. Presim të na vijë rezonanca magnetike.
Edhe pas një viti po të vini, ne kemi kërkesa. Mjekësia është shkencë që ecën, zhvillohet, në vazhdimësi dhe me ritme të shpejta.
Ne na duhen salla të reja operacioni, me llampa të reja, me shtretër të rinj.
Ka 25 vite që i kemi. Ka mbi 10 vite që presim një kredi nga Kooporacioni Italian. Vetëm për pajisjet, 5 milionë euro. Ka ardhur inxhinieri italian dhe e kam shoqëruar në çdo cep të spitalit, kemi bërë mbledhje me mjekët dhe kemi biseduar se çfarë pajisjesh na duhen.
Check-up-i falas
Sëmundjet nuk fillojnë në moshën 20 vjeç. Si moshë e zgjedhur është perfekt. Në këtë moshë pritet që të kapet një sëmundje. Kjo është mosha ideale e check-up-it. Por a kemi ne luksin që të harxhojmë një sasi kaq të madhe parash në këtë moment? Kjo do të ishte e diskutueshme.
Në spitalin tonë është vënë goxha dorë. Duhen investime në pajisje, në hoteleri. E më shumë sesa para, duhet rregull, disiplinë, llogaridhënie.
Privatizimi i laboratorëve
Përsa i përket privatizimit të laboratorëve, nuk është 100% në rregull. Sepse nuk mundet në të njëjtin spital një pjesë e shërbimeve është privat dhe një pjesë e shërbimeve të jenë shtetëror. Edhe financimi që bën shteti kundrejt spitaleve që e kanë të privatizuar këtë, me ato që nuk e kanë të privatizuar, nuk është i drejtë, nuk është i ndershëm. Le të marrim paketat që financohen nga qeveria kundrejt spitaleve private, ai financon dializën.
Nuk bëhet me buton, por projekti duhet të jetë dalëngadalë dhe i qartë që të synojë përfshirjen e gjithë shëndetësisë. E vetmja rrugë që të shpëtojë shëndetësia është koncepti i hedhur nga zoti Tritan Shehu, “Spitali ndërmarrje”. Ne ofrojmë këtë shërbim, shesim produktin shëndet, dikush ta blejë dhe kaq. Qeveria duhet që të na kontrollojë ne për kriteret, për cilësinë e shërbimit dhe politikat shëndetësore, vetëm atëherë shpëton shëndetësia.
Testimi
Ideja që duhet të vlerësohen njohuritë në të gjithë trupën shëndetësore, më duket krejt i drejtë. Derisa e kemi të vërtetuar që edukimi në vazhdim ka qenë plot me defekte, kanë vajtur njerëzit, kanë paguar lekët dhe kanë marrë kreditet, në një kohë kur punojmë bashkë. Po ata që erdhën me diploma të blera? Ku t’i çojmë? A duhet t’i shikojmë se në ç’nivel janë? Duhet një vlerësim i nivelit të njohurive për të ditur se ku po ngecim. Çdo projekt që niset’ ka një metodologji kërkimi. Ta dimë se ku është kjo trupë shëndetësore me këtë histori të njollosur që ka pasur, se nuk mund të mohojmë çfarë është bërë me universitetet private. Duhet që të fillojë të bëhet një skanim i gjithë situatës, të lexohet problemi , dhe mbi ktë problem të ndertohen strategji edukimi në vazhdim. Nuk mund të bësh asnjë lloj pune pa parë ku është problemi. Ne e kemi marrë vetë një nismë.
Testimi ia arriti qëllimit se të gjithë hapën librat. U lexua dhe përgatitja, të gjithë u gjendën me libra nëpër duar. Fjalën testim jo, vlerësim të njohurive dhe anonim. T’u japim mundësi dhe atyre që ngelën nën nivel, të kualifikohen, të rriten.
Por…
Jam i pakënaqur për thellësinë e reformave. Kur erdhi kjo qeveri na premtoi autonomi të plotë të trupës spitalore. Këtë kam ëndërruar dhe vazhdoj të pres. Është thënë që në vijë të parë të mendimit, të drejtimit, do të jenë ata që janë në fron, jo ato që janë në zyra.
Anatomi spitalore do të thotë: rregulla, ligj, garë dhe mbaroi. Jo anatomi spitalore ku shefin e vë partia, dhe tani e kanë gjetur: “Hë se s’ka gjë, se nuk ka gjë në dorë shefi”.
Pagesa e mjekëve është qesharake. Njerëzit thonë, kemi paguar spitalin. Si mund ta ketë rrogën doktori njësoj ose më ulët se një bojaxhi. Njerëzit që japin këtu, japin bashkish. Pagesat që ata bëjnë, janë qesharake. Jam për atë që lekët të paguhen në rrugë ligjore. Të paguhen te arka. Doktori të paguhet siç duhet dhe jemi në rregull. Më beso se as mjeku nuk ndihet i nderuar kur merr “bakshishet”./ https://propacientit.al/
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve