
Personeli i Urgjencës së Tiranës në QSUT ka denoncuar me video kushtet e mjerueshme me të cilat duhet të punojnë. Bluzat e Bardha tregojnë për “Shëndet+” se kushtet me të cilat ata punojnë janë shumë më të këqija se ata të Poliklinikës nr.9, që u denoncuan nga infermieri Frrok Bardhi në emisionin investigativ “Stop”.
“Ambienti ku e kanë çuar ekipin e Urgjencës së Tiranës në QSUT është më skandaloz se ai i Ambulancës 9, që u denoncua nga infermieri i Urgjencës së Tiranës në media. Nuk dimë si ta quajmë këtë ambient. Nuk është as dhomë, as gjysmë garsoniere. Është e ashtuquajtur një dhomë dhe një paradhomë pa dritare dhe pa banjo për personelin”, shprehen bluzat e bardha.
Në një garsoniere të vogël qëndrojnë personeli i autoambulancës së Urgjencës së Tiranës dhe ai i Qendrës së Koordinimit të Urgjencave.
Aty bashkëjetojnë 2 shërbime:
a- Punonjësit e Qendrës së Koordinimit të Urgjencave, i përbërë nga 1 infermiere-recepsioniste dhe 3 teknikë të centralit.
b- Personeli i autoambulancës së Urgjencës së Tiranës i përbërë nga: mjeku, shoferi dhe 2 infermierë.
Në dhomën e centralit punon infermierja, kurse në paradhomën me sipërfaqe 8 metër katrore (2 m gjerësi dhe 4 m gjatësi) qëndrojnë 4 punonjësit e Urgjencës dhe 3 teknikët e centralit, të cilët kanë në dispozicion 1 tavolinë, 3 karrige ( për 7 veta) dhe 2 dollapë për rrobat. Nuk ka tualet për nevojat personale dhe ajrin e nevojshëm për të jetuar”, tregojnë bluzat e bardha për ‘Shëndet+’.
Bluzat e bardha u bëjnë thirrje specialistëve të ISHP-së dhe Drejtorisë së Higjienës që të bëjnë një kontroll të Urgjencës së QSUT-së për të parë nëse i plotëson kushtet për qëndrimin e tyre në këtë ambient.
Ftojmë specialistët e ISHP-së dhe Drejtorisë së Higjienës të shikojnë kushtet higjienike dhe sasinë e oksigjenit dhe gazit karbonik brenda këtij ambienti të mbyllur dhe të dalin me dokument zyrtar a është i banueshëm për një personel prej 8 vetash./ https://propacientit.al/
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve