Artriti, faktori gjenetik shkak për zhvillimin e sëmundjes

Rovena Liço, reumatologe

Artriti reumatoid është një sëmundje inflamatore kronike sistemike, me periudha acarimi dhe qetësimi, ku prekja kryesore është dëmtimi i kyçeve por nuk përjashtohen edhe prekjet ekstra-artikulare (zemër, lëkurë, mushkëri, sy).
Është sëmundja inflamatore reumatizmale më e shpeshtë me një shpeshtësi rreth 1 % në popullatën e përgjithshme. Forma me fillim të ngadaltë është forma më e shpeshtë ku shenjat fillojnë e instalohen gradualisht për një periudhë relativisht të gjatë, fillimisht me shenja jo specike si lodhje, dobësi të përgjithshme, mungese oreksi, dhimbje muskujsh, temperaturë subfebrile, e më pas merr formën e tij të mirëfilltë me dhimbje dhe ënjtje të kyçeve, ngurtësim mëngjezor të zgjatur, vështirësi në lëvizje, kufizim të lëvizjeve.

Cilat janë shkaqet e sëmundjes së AR?

Artriti reumatoid hyn në grupin e sëmundjeve sistemike të indit lidhor, të cilat janë sëmundje autoimune që nënkupton me pak fjalë që  sistemi ynë imunitar orkestron një lojë që godet komponentët e vetë organizmit. Në rastin e artritit, targeti kryesor i dëmtimit është cipa sinoviale që mbështjell artikulacionet, ndaj edhe dëmtimet kryesore vihen re në kyçe.

Thuhet se faktori hormonal luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sëmundjes, këtë e dëshmon edhe fakti që sëmundjet reumatizmale kanë një predominim në seksin femër, për artritin reumatoid raporti meshkuj/femra është 2/1 deri 3/1.

Nga ana tjetër artriti reumatoid është më i shpeshtë tek pjesëtarët e të njëjtës familje, çka konfirmon rolin e faktorit gjenetik në zhvillimin e sëmundjes

Mendohet se edhe disa agjentë infeksioze mund të iniciojnë fillimin e AR duke favorizuar zhvillimin e reaksioneve të kryqëzuara imune duke dhënë dëmtimet përkatëse në kyçe apo edhe në organe të tjera.

Cilat janë simptomat më të shpeshta klinike të AR?

Shenjat fillestare janë shenja jospecifike e që mund të jenë të përbashkëta më shumë sëmundje të tjera si lodhje, dobësi të përgjithshme, mungesë oreksi, dhimbje muskujsh, temperaturë e lehtë, më e shprehur mbasditeve e që nuk shoqërohet me ethe.

Pas kësaj periudhe me shenja të ngjashme me të një sëmundjeje gripale,fillojnë e shfaqen shenjat specifike për artritin reumatoid, dhimbje dhe enjtje kyçeve, ku predominojnë prekjet e kyçeve të vogla të duarve, bërrylave, gjunjve .Dhimbjet janë të karakterit inflamator që nënkupton që janë të pranishme në qetësi, shqetësojnë gjumin natën, shoqërohen me vështirësi në aktivitetin e përditshëm jetësor, shumë pacientë referojnë se kanë një ulje në fuqinë e duarve e punë që më parë i bënin me shumë lehtësi, gjatë zhvillimit të sëmundjes nuk arrijnë dot t’i kryejnë si më parë. Një shenjë tjetër e përbashkët në shumë sëmundje reumatizmale inflamatore është ngurtësimi mëngjesor ose ngurtësimi artikular që nënkupton vështirësinë që ndjen pacienti në lëvizje pas qëndrimit për një kohë relativisht të gjatë pa lëvizur, e kjo lidhet me edemën që krijohet përrreth artikulacioneve në qetësi e në momentin që fillon lëvizja likidi i extravazuar ripërthithet nga enët e gjakut. Ngurtësimi për të qënë sinjifikativ duhet të zgjasë më tepër se 30-45 minuta. Sigurisht që një pacient që diagnostikohet me artrit reumatoid e ka të domosdoshëm kontrollin e vazhdueshëm edhe për prekjet ekstra-artikulare, si kontrollin e vazhdueshëm të syve, aparatit kardiovaskular, sistemit endokrin, mushkëritë etj.

Vlerësimi dhe diagnoza

 Sigurisht që diagnoza bazohet nga të dhënat që merren nga anamneza (dmth si ka filluar sëmundja, sa ka zgjatur, cilat janë shenjat, a ke të dhëna për histori familjare për sëmundje reumatizmale), ekzaminimi fizik, të dhënat laboratorike dhe imazherike. Në fillimin e sëmundjes  vendosja e diagnozës është e vështirë sepse shenjat e sëmundjes nuk janë specifike por nga ana tjetër në ditët e sotme ekzistojnë teste laboratorike që janë pozitive që në fazat e hershme të sëmundjes e që kanë specificitet të lartë. është e kuptueshme që sa më shpejt të konfirmohet diagnoza, aq më shpejt do të fillojë mjekimi adekuat e  aq më shumë do të evitohen komplikacionet.

Cila është terapia që duhet ndjekur mbi parandalimin e shpejtë të ndërlikimeve?

Në momentin që vendoset diagnoza, hapi tjetër që pason është edukimi që i bëhet pacientin në lidhje me sëmundjen e tij,të përballesh me një sëmundje kronike që do kontrolle të vazhdueshme, që do mjekime të vazhdueshme, që shpesh cënon edhe cilësinë e jetesës jo gjithmonë është gjë e lehtë. Gjithmonë e më shumë po i kushtohet vëmendje dhënies së  informacionit për pacientin në lidhje me atë që duhet të presë, si të njohë shenjat dhe simptomat e sëmundjes, ç’duhet të bëjë në periudhat e acarimit. Përzgjedhja e skemës më të mirë të mjekimit është një vendim që merret duke gjykuar mbi agresivitetin e sëmundjes, moshës së pacientit, sëmundjet e tjera shoqëruese,stadin në të cilin kapet sëmundja. Vlen të theksohet se pavarësisht se sëmundjet autoimune ngelen sëmundje të pakurueshme ato janë sëmundje plotësisht të trajtueshme ku procesi inflamator mund të mbahet nën kontroll, duke shtuar këtu edhe kontributin e madh që kanë dhënë klasat e reja të preparateve,ato që quhen preparate biologjike, që frenojnë hallka të ndryshme të proceseve autoimune. Klasat e tjera të medikamenteve janë anti-inflamatorët steroide dhe josteroide dhe preparatet modifikues të sëmundjes. Në shumicën e rasteve kombinimi i disa preparateve është më efikas se monoterapia.

A ka ndonjë dietë apo rekomandim të veçantë për këtë sëmundje?

Është e kuptueshme që përveç mjekimit medikamentoz, i cili është i pazëvendësueshëm, pacientët që vuajnë nga artriti reumatoid mund të qetësojnë sëmundjen duke ndjekur disa këshilla të thjeshta:

Së pari të ruajnë një peshë të caktuar trupore, çdo shtim në peshë shton stresin mekanik mbi artikulacione duke ndihmuar në progresionin e dëmtimeve artikulare.

Së dyti duhet tentuar që të konsumohen ushqime që ulin inflamacionin, rregullojnë funksionimin e sistemit imun e ndihmojnë në elemente që mbajnë kocka të forta.

Këshillohet një dietë e pasur me perime dhe fruta të cilat përmbajnë atioksidantë që reduktojnë inflamacionin,studimet kanë treguar që konsumimi i tyre është shoqëruar me ulje të niveleve të proteinës C reaktive dhe interleukinës-6, të dyja markuese të inflamacionit në artrit reumatoid. Duhet të përfshihën në dietën e përditshme perime si spinaqi, karrota, brokoli, sallata jeshile, fruta si luleshtrydhe, manaferra,portokall, banane,drithëra të plota (më e këshillueshme kur nuk përmbajnë glutën që nxit inflamacionin).

Pacientët që vuajnë nga artriti reumatoid janë më të riskuar për të zhvilluar osteoporozë ndaj është e këshillueshme konsumimi i produkteve të pasura në kalcium e të fortifikuara në vitamin D. I  pasur në kalcium është qumështi me të gjithë nënproduktet e tij.

Rekomandohen ushqimet që përmbajnë yndyrna të pangopura e sidomos omega 3(vaji i peshkut),të evitohen produktet me yndyrna të ngopura si mishi i kuq e ushqimet e procesuara,të evitohet kosumimi i shtuar i kafeinës, i pijeve me gaz, kosumimi i sheqernave.

A ka shërim?

Për fat të keq siç u tha edhe më lart, sëmundja është e pashërueshme por për fat të mirë është plotësisht e trajtueshme. Me mjekimet e reja sëmundja dominohet shumë mirë dhe mund të shmangen dëmtimet artikulare dhe sistemike, për t’u arritur një rezutat sa më i mirë në këtë qëllim duhet një bashkëpunim i mirë dhe i vazhdueshëm pacient -mjek.

Roli i fizioterapistit

Gjithmonë e më shumë po  i mëshohet rolit  që duhet të luajë fizioterapia në trajtimin e artritit reumatoid, përpos mjekimit medikamentoz,për të ruajtur amplitudën e lëvizjeve të artikulacioneve, për të forcuar strukturat mbështetëse të kyçeve, është i pazëvendësueshëm roli i fizioterapistit. Fizioterapia synon të lehtësojë dhimbjen e të qetësojë inflamacionin, të evitojë atrofinë muskulare dhe deformimet e kyçeve. Ndër teknikat që përdoren mund të përmendim mobilizimin, zgjatjen e muskujve, masazhin, hidroterapinë, ekonomizimin artikular.

Cilat janë aktivitetet sportive më të rekomanduara që ndihmojnë në lehtësimin e kësaj sëmundjeje?

Aktiviteti fizik është i domosdoshëm për një të sëmurë me artrit reumatoid, këshillohen ushtrimet aerobike, ecja por më shumë ecje me biçikletë, noti, joga, ushtrime që forcojnë muskujt. është e kuptueshme që këto duhet të jenë të modifikuara në varësi të gjendjes së pacientit e duhet të bëhen gjithmonë duke u konsultuar paraprakisht me mjekun fizioterapist.

Pse të qenit obez shton riskun për t’u prekur nga artriti reumatoid?

Kohët e fundit obeziteti konsiderohet se kontribuon në shfaqjen e AR.  Ashtu si ndikon në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit. Sigurisht që është një faktor më pak potent sesa duhanpirja, gjithsesi ngelet një faktor risku.  Gjithmonë reumatologët këshillojnë rënie nga pesha sepse është e kuptueshme që mbipesha rrit stresin mekanik që ushtrohet mbi artikulacione, e vlefshme kjo sidomos për artikulacionet peshëmbajtëse si gjunjët, koksofemoralet, por në rastin e mbipeshës si faktor risku, problemi qëndron diku tjetër. Shtimi i numrit të qelizave dhjamore shoqërohet me çlirim prej qelizave dhjamore të disa lloj proteinash pro-inflamatore që ndihmojnë në mbajtjen gjallë të lojës imune që zhvillohet në AR.

Cila është mosha më e riskuar?

Mund të shfaqet në çdo moshë, por mosha më shpeshtë e shfaqjes është ndërmjet 35-50 vjeç. Shfaqja e artritit në moshat pediatrike ka karakteristikat e veta që e diferencojnë nga prekja në moshë adulte ndaj edhe krijon një nozologji të diferencuar./ https://propacientit.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*