
Kanë mbetur shumë pak antibiotikë për të trajtuar krizën globale të rezistencës së ilaçeve, përgjegjëse për shtimin e infeksioneve thuajse të patrajtueshme në të gjithë botën, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Nga sëmundjet alarmuese që po përhapen është edhe turbekulozi, rezistent ndaj shumë ilaçeve, që kërkon trajtime të cilat zgjasin mes 9-20 muajve.
Ndodhin rreth 250 mijë vdekje në vit si pasojë e rezistencës së turbekulozit ndaj ilaçeve dhe vetëm 52% e pacientëve në të gjithë botën arrijnë të trajtohen me sukses. Pavarësisht kësaj, në 70 vite janë nxjerrë në treg vetëm 2 ilaçe për këtë sëmundje.
Para pak muajsh Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi një listë me bakteret rezistente ndaj antibiotikëve, që janë ndër më të rrezikshmit për shëndetin e njeriut. Në krye të listës ishin bakteret më të rrezikshme, si E. coli, që mund të shkaktojnë infeksione tek qarkullimi i gjakut dhe pneumoni tek pacientët. Infeksionet spitalore si C. difficile dhe MRSA (bakteri Staphylococcus aureus rezistent ndaj meticilinës) janë gjithashtu shqetësuese. Ata janë sidomos të rrezikshëm për pacientët e sëmurë të cilët kanë sistem të dobët imunitar.
“Rezistenca kundër baktereve është një emergjencë shëndetësore globale që rrezikon seriozisht progresin në mjekësinë moderne”, thotë dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së. “Duhet që të bëhen urgjent më shumë investime në hulumtimin dhe zhvillimin për infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve, përfshirë edhe turbekulozin, përndryshe rrezikojmë të rikthehemi në kohërat kur njerëzit i frikësoheshin edhe infeksioneve më të zakonshme dhe rrezikonin jetën edhe nga operacione shumë të lehta”./Përshtati në shqip, Blertina Koka
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve