
Bisedoi: Denisa Canameti
Aborti i pasigurt vazhdon të jetë një ndër shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë dhe vdekjes së parakohshme të grave në të gjithë botën.
Sipas të dhënave të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, gati 22 milionë aborte të pasigurta kryhen çdo vit.
Në shumë raste gratë i drejtohen farmacisë për t’i dhënë fund një shtatzënie të padëshirueshme. Nga neglizhimi i rastit apo edhe mungesa e informacionit nga ana e disa farmacistëve, bën që të rritet rreziku i vdekjes së gruas si pasojë e një aborti të pasigurt.
Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, farmacistja Aida Zaka flet lidhur me përgjegjësinë që ka një farmacist kur jep një medikament pa përshkrimin e mjekut, pasojat shëndetësore; arsyet që e çojnë një grua t’i drejtohet farmacisë dhe jo spitalit për t’i dhënë fund shtatzënisë, si dhe, a ekzistojnë në tregun shqiptar barna të paregjistruara apo të skaduara që mund të rrisin rrezikun për vdekje të gruas?

Në cilat raste farmacisti jep barna që nuk përshkruhen në recetë, ose cilat janë barnat që jepen pa rekomandimin e mjekut?
Barnat të cilat mund të blihen pa recetën e mjekut quhen në terminologjinë farmaceutike barna OTC. Ky term është marrë nga shkurtimi i fjalëve angleze ‘Over The Counter’. Counter do të thotë banak. ‘Over the counter’ do të thotë ‘pas banakut’, term i cili mund të shkaktojë konfuzion, sepse në ditët e sotshme, sidomos në vendet perëndimore, këto barna gjenden në rafte supermarketesh e jo vetëm mbi banakut të farmacisë. Pacientet mund t’i marrin këto barna dhe t’i blejnë ato pa ndërhyrjen e personelit të farmacisë deri në momentin e pagesës (te kasa).
Një term i përgjithshëm i cili shpjegon jo vetëm vendosjen e këtyre barnave në njësinë tregtuese, por edhe funksionin e tyre do të ishte ‘barna vetë-mjekuese’.
Pilulat e abortit, a duhet të jepen pa rekomandimin e mjekut?
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përpiluar udhëzime mbi kriteret dhe metodat që duhen përdorur nga autoritetet kompetente rregullatore për të përcaktuar nëse një bar mund të përfshihet në listën e vetë-mjekimit ose jo. Termi ‘vlerësim’ përdoret me shpesh se termi ‘vlerësim klinik’, sepse në shumë raste procesi vlerësues përmban vlerësimin e të dhënave ekzistuese dhe te eksperiencës me barin në vend të vlerësimit të efektshmërisë së barit nga studimet klinike, edhe pse këto të fundit mund të jenë të nevojshme në disa raste. Në mënyrë që përdorimi i një bari vetë-mjekues të jetë i sigurt dhe efektiv, konsumatori duhet të përshkojë një numër hapash të cilat normalisht kryhen nga një mjek i cili trajton një pacient. Këto hapa janë njohja e saktë e simptomave, vendosja e objektivave (qëllimeve) të trajtimit terapeutik, zgjedhja e produktit për t’u përdorur, përcaktimi i dozës, frekuencës dhe kohëzgjatjes së duhur, duke patur parasysh dhe historikun mjekësor të vetë pacientit, kundër indikacioneve, komorbiditetet, mjekimin ekzistues dhe monitorimin e efektit të kurës dhe efekteve anësore të saj. Duke analizuar të gjitha pikat e përshkruara më lartë, pilulat e abortit nuk mund të klasifikohen si barna OTC.
Nëse jo, pse? Cilat janë pasojat shëndetësore që mund të sjellë një medikament i dhënë pa përshkrimin e mjekut?
Vetëmjekimi ka një numër rreziqesh potenciale. Risqet e mundshme me të cilat mund të përballet një individ janë:
– Vetë-diagnostikim i gabuar.
– Zgjedhje e gabuar e terapisë.
– Paaftësi në njohjen e rreziqeve farmakologjike të produktit.
– Paaftësia për të njohur efektet të rralla por të rrezikshme anësore.
– Paaftësia për të njohur/kuptuar që e njëjta substancë po përdoret aktualisht, por nën një emër tjetër (produkte të kompanive të ndryshme që kanë të njëjtin princip aktiv).
– Me pasojë mjekim të dyfishtë ose ndërveprime të rrezikshme.
– Paaftësia për të njohur ose raportuar efektet anësore të barit. (Adverse drugs reactions).
– Mënyrë e gabuar e përdorimit (administrimit) të barit.
– Dozim jo të saktë
-Trajtim (përdorim) i tej zgjatur.
– Rreziku i krijimit të varësisë dhe abuzimit.
– Rreziku që sjell përdorimi i disa barnave në punë ose në sport.
– Ndërveprimet me ushqimin ose barna të tjera.
– Ruajtja në kushte të gabuara atmosferike ose e tej zgjatur, duke e tejkaluar datën e skadencës.
Në zgjedhjen e barnave për vetëmjekim, duhen marrë në konsideratë rreziqet e mësipërme, duke u munduar të minimalizohen rreziqet dhe të rriten benefitet.
Sa e sigurt është cilësia e një bari që nuk është i regjistruar për shitje dhe tregtim në Republikën e Shqipërisë?
Ashtu si i gjithë tregu farmaceutik botëror, dhe ai shqiptar është i ekspozuar nga barna të këtij tipi, pra barna të paregjistruara. Barnat të cilat nuk janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë mund të jenë barna false, mund të jenë barna të cilat nuk përmbajnë principin aktiv të saktë, barna të prodhuara jashtë standardeve dhe etapave që kërkon prodhimi. Barna të cilat e kanë humbur vlefshmërinë për shkak të kushteve të ruajtjes së transportit etj. Pra, barna të cilat nuk shoqërohen me një certifikatë prodhimi dhe që nuk i kalojnë të gjitha etapat e regjistrimit, nuk mund të jenë kurrsesi të sigurta për përdorim.
Cilat janë përgjegjësitë e farmacistit kur jep një medikament pa përshkrimin e mjekut?
Një farmacist nuk mund të japë një medikament i cili nuk bën pjesë në grupin e barnave OTC ose pa përshkrimin nga mjeku, sipas një protokolli të caktuar, kjo për disa arsye.
Që të vendoset terapia për një pacient, në radhë të parë kalohet në disa hapa, në marrjen e një anamneze, në kryerjen e disa diagnostikimevem siç mund të jenë analiza, eko EEG etj. Në analizimin ose jo të terapive bashkëshoqëruese që pacienti mund të marr. Në analizimin e gjendjes shëndetësore dhe psikologjike të tij. Këto dhe shumë hallka të tjera në radhë të parë janë përgjegjësia e mjekut dhe mund të realizohen vetëm nga ai, dhe së dyti me të vërtet farmacistet janë një hallkë shumë e rëndësishme e zinxhirit mjekësor, por kurrsesi nuk mund të zëvendësojnë mjekun në vendosjen e një diagnoze. Farmacistet mund të japin këshilla dhe asistencën e tyre mjekësore rreth medikamenteve të caktuara. Dhënia e medikamenteve pa përshkrimin e mjekut, gjithmonë flasim për medikamentet që nuk hyjnë në grupin e barnave OTC, mund të kenë pasoja të rënda për pacientin.
A është aborti çështje e farmacistëve? (Me këtë pyetje dua të nxjerr në pah faktin që farmacistët duhet të orientohen nga mjeku, sipas protokolleve dhe rregullave. Që aborti nuk është çështje midis farmacistëve dhe pacientit. Është mjeku primar).
Shpesh në përditshmërinë tonë na vinë vajza dhe gra që i kërkojnë këto tablete. Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë informacionin e duhur për këto medikamente, por janë të detyruara të bëjnë ketë zgjidhje.
a-Një pjesë e pacienteve kërkojnë ketë zgjidhje sepse janë të detyruara nga familja, burri, vjehrra etj
b-Një pjesë e mirë e pacienteve kanë status të pamartuar dhe detyrohen të bëjnë ketë lloj zgjedhjeje.
c-Pjesa tjetër bëjnë ketë zgjedhje sepse nuk ka kosto kirurgjikale, është e shpejt.
Në të tria rastet ajo që vlen të theksohet është fakti që pacientet nuk kanë informacionin e duhur për zgjidhjen që po bëjnë, rreziqet që kjo “metodë” mbart. Metodat mjekësore të abortit ose abort mjekësor, përcaktohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si më poshtë: “Përdorimi i barnave për ndërprerjen e shtatzënisë. Ndonjëherë mund të përdoren dhe termat “aborti jo-kirurgjik” ose “aborti mjekësor”. Aborti mjekësor më së shpeshti realizohet duke përdorur një kombinim të mifepristonit dhe misoprostol (ky është protokolli i rekomanduar pasi është më efektiv) edhe pse metotreksat nganjëherë përdoret në kombinim me misoprostol.
Para së gjithash kur pacienti vendos të përdorë “pilulat e abortit”: duhet të nënshkruaj një formular të Marrëveshjes së Pacientit, ku thuhet se i kupton të gjitha rreziqet dhe përfitimet e përdorimit këtyre medikamenteve.
Mifepristoni përdoret për t’i dhënë fund një shtatzënie të hershme që nuk është më shume se 49 ditë (7 javë) pas ditës së parë të menstruacioneve të fundit. Trajtimi me Mifepriston duhet të shoqërohet patjetër me vizita tek mjeku gjinekolog. Nuk mund të merren “pilulat e abortit” nëse nuk mund të realizohen kontrollet mjekësore. Nuk mund të përdoret nëse pacienti është alergjik ndaj prostaglandinave ose medikamenteve që përmbajnë misoprostol (Cytotec ose Arthrotec), që kanë një çrregullim të gjakderdhjes ose mpiksjes së gjakut, siç është hemofilia, problemet me gjëndrat e veshkave (dështimi kronik i veshkave), në rastin e një shtatzënia jashtë mitrës (shtatzënia ektopike), në rastin e porfiria (një çrregullim enzimatik gjenetik që shkakton simptomat që prekin lëkurën ose sistemin nervor), nëse merr medikamente steroide ose hollues të gjakut, si warfarin. Për të siguruar që pilulat e abortit të merren saktë, duhet t’i referohet mjekut nëse ka probleme të tjera shëndetësore të tipit: sëmundje të zemrës, presion të lartë të gjakut, sëmundje të mëlçisë ose veshkave, astma, bronkit, ose probleme të tjera të frymëmarrjes, nëse vuan nga diabeti (nëse përdor insulinë), anemi të rënda (mungesa e qelizave të kuqe të gjakut); nëse pi duhan 10 ose më shumë cigare në ditë. Pilulat e abortit nuk duhen përdorur në rastet kur bëhet ushqyerja e fëmijës me gji. Misoprostoli, medikamenti që bashkëshoqëron Miphepristonin, mund të shkaktojë dhimbje, të përziera, diarre dhe efekte të tjera anësore.
Ka raste kur, edhe pse pilulat e abortit merren, nuk ndodh ndërprerja e shtatzënisë, pacienti ka hemorragji,dhimbje të forta pelvike, ethe etj. Prandaj është e domosdoshme asistenca e mjekut në këto raste, që mund të jenë dhe fatale për jetën e pacientit. Në këto raste mjeku vendos nëse ka nevojë për kirurgji për të bërë ndërprerjen e plotë të shtatzënisë. Në rastet kur shtatzënia nuk ndërpritet dhe pas administrimit të pilulave të abortit, mund të ndodhë që foshnja të lind me defekte dhe malformime. Pra, duke analizuar të gjitha çka u përshkrua me lart, vlen të theksohet se aborti nëpërmjet pilulave nuk është një çështje që duhet trajtuar nga farmacistet, por vetëm nga mjekët, sipas protokolleve rigoroze. Zgjidhjet e shkurtra mund të jenë fatale për pacientët./ Shendeti.com.al
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve