Pas pamjeve filmike të transmetuara në emisionin Stop në TV Klan, ku dy prej mjekëve në Spitalin e Fierit shfaqen duke u marrë ryshfet qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka kërkuar menjëherë Spitalit të Fierit pezullimin e tyre nga detyra ndërsa organeve kompetente hetimin e plotë të ngjarjes.
Mësohet se mjeku psikiatër Agim Sula dhe mjeku ORL, Eduart Shyti, aktualisht janë pezulluar nga detyra.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të denoncojnë çdo rast korruptiv, abuziv dhe sjelle jo korrekte pranë strukturave të shëndetësisë, duke i siguruar se çdo rast që njollos punën e qindra e mijëra bluzave të bardha, do të marrë ndëshkimin e merituar. Ministria e Shëndetësisë falenderon emisionin Stop në TV Klan për denoncimit e dy rasteve korruptive dhe inkurajon qytetarët të mos bëhen palë e veprimeve të tilla, por t’i denoncojnë në çdo rast”, thuhet në një njoftim.
Emisioni “Stop” publikoi të enjten kamerën e fshehtë se si marrin para mjekët për vizitat apo konsultat mjekësore. Psikiatri Agim Sula është filmuar duke i marrë një qytetareje 10 mijë Lekë, pasi ajo kërkoi konsultë për dhimbjet e kokës. Ndërkohë në një rast tjetër një qytetar denoncoi se si mjeku ORL Eduart Shyti, i kërkoi 50 mijë Lekë të vjetra për një ndërhyrje në vesh./tvklan.al