Emanuel Smaka
Godina e spitalit të sëmundjeve të brendshme pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, e njohur ndryshe si “6 katëshi”, po amortizohet nga dita në ditë. Muret në pjesën e jashtme e të brendshme të tyre janë dëmtuar ndjeshëm, ndërsa pacientët marrin shërbime në mes të mykut të krijuar si pasojë e lagështirës. Ndërkohë investimet kanë munguar pavarësisht premtimeve.

Gjatë vitit 2014, teksa ish Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, po bënte bilancin e 300 ditëve të para në krye të këtij dikasteri, tha se 6-katëshi do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore.
“Banka e Këshillit të Evropës ka miratuar një kredi 16 milion euro dhe 1.5 milion euro grant, për të fuqizuar shërbimet spitalore në QSUT. Që do të thotë, me 17.5 milion euro dhe me 6 milion euro që janë në buxhetin afatmesëm të Qeverisë, ne do të ndërhyjmë në mënyrë radikale për të përmirësuar Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, apo 6-katëshin”- u shpreh ministri Beqaj 3 vite më parë në korrik të 2014-s.

Që nga ajo kohë, situata është po e njëjtë. Duket se ndërhyrjet janë mjaftuar me një recepsion në hyrjen godinës, që gjithashtu shërben edhe si “barrierë” për shmangien e abuzimeve të familjarëve me oraret e hyrjes.
Paradoksal është fakti se që në hyrje të godinës së trajtimit të sëmundjeve të brendshme dhjetëra persona, ndër ta edhe të sëmurë, presin të shtrirë në oborr. Të pyetur në terren nga ‘Pro Pacientit’ për shërbimin që ofrohet, qytetarët refuzojnë të komentojnë. Edhe ata janë dorëzuar përballë problemeve në infrastrukturë.
Përmes vëzhgimit të godinës arrijnë të duken qartë problemet. Muret janë amortizuar, ndërsa stina e dimrit pritet të vështirësojë qëndrimin e pacientëve për shkak të mykut të krijuar.
Komike por njëkohësisht edhe e trishtë është pamja (shiko foton) ku të afërmit e pacientëve lajnë dhe ndejnë rroba në dritaren e godinës.

Godina e “6 katëshit” ka disa shërbime nisur që nga toksikologjia, kardiologjia, hemotologjia, gastrohepatologjia, endokrinologjia dhe nefrologjia.
Kujtojmë se në shërbimin e hematologjisë janë të hospitalizuar një numër I konsiderueshëm pacientësh me kancer të gjakut.
Shpresojmë, që gjatë këtij mandati ministrja aktuale e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu të vazhdojë premtimin për rikontrustionin e godinës së 6 katëshit. Kjo jo vetëm për tu ardhur në shërbim pacientëve, por gjithashtu edhe vetë mjekëve të cilët kryejnë shërbim në një hapsirë jashtë çdo standarti.
Shërbimi i infektologjisë, muret e jashtme të amortizuara
Ndërkohë godina e Infektivit për të cilën nuk ka patur projekte apo premtime, paraqet të njejtat probleme sa i përket higjenës së ambienteve. Pikërisht ndërtesa e shërbimit të Infektologjisë, ku mesatarisht gjatë 1 viti marrin shërbime 20 000 pacientë (sipas të dhënave të QSUT-së), paraqitet në një situatë të ngjashme sa i përket ambienteve të jashtme.
Fasadat po amortizohen gradualisht, ndërsa stafi mjekësor ndihet i pafuqishëm që të plotësojë kushtet higjeno-sanitare që kërkohen sipas standardeve. Duhet thënë se përveç patologjive të shumta infektive, në shërbimin e infektologjisë marrin shërbim vjetor një numër prej 900 pacientësh të sëmurë me HIV-AIDS apo sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme.

PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve