Denisa Canameti

630 mijë dollarë. Kjo është shuma e investuar në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr.1 në Tiranë nga Ministria e Shëndetësisë. E përuruar në muajin korrik me “pompozitet” nga Kryeministri dhe Ministri i Shëndetësisë, sot kjo qendër po i drejton të gjithë pacientët e vet në qendra të tjera specialitetesh për shkak se pajisjet e saj janë jashtë funksionit.

Ditën e përurimit, kryeministri Edi Rama u shpreh krenar se qeveria që drejton, ka ditur t’i “programojë më mirë” se qeveria e mëparshme paratë e investuara. Nga ana tjetër, ajo çka tregohet është se 630 mijë dollarët e investuar kanë qenë vetëm për rikonstruksionin e mureve dhe të disa pajisjeve, ndërkohë që pjesa tjetër e aparaturave, përfshirë këtu qendrën imazherike, nuk janë përfshirë fare në investim. Ndërsa pacientët ankohen se po sorollaten, Qendra Shëndetësore e Specialiteteve nr. 3 raporton se edhe pajisjet e saj po fillojnë të kenë probleme për shkak të mbingarkesës. Nga ana tjetër, mjekët e kësaj qendre po punojnë me trefish kapacitetin, duke vënë në pikëpyetje cilësinë e shërbimit shëndetësor. Ndërkohë, një tjetër pikëpyetje është edhe se çfarë nënkupton Kryeministri me “mirëprogramim të investimeve” kur vetëm pak muaj pas përurimit të investimit prej 630 mijë dollarësh, qendra e specialiteteve nr. 1 është kthyer pothuajse në jofunksionale.

(Foto e bërë në nëntor të 2016-s)

Realiteti dhe ankthi i pacientëve

“Eko është me defekt”. Kjo është letra e ngjitur në derën ku banorët e 10 qendrave shëndetësore në Tiranë presin të marrin shërbim. Në fakt, u premtua se pas përurimit të qendrës do të merrte fund makthi i banorëve dhe do të ofrohej për ta një shërbim më cilësor dhe një shkurtim i kohës së shërbimit. Por realiteti është krejt ndryshe.

“Kam datën e planifikimit të ekos. Më thanë që të shkoj te Dispanceria, sepse këtu Eko qenka prishur”, shprehet E.G., një zonjë rreth të 50-ve.

“Ka qenë e prishur edhe dje. Erdha një herë, por më thonë që vazhdon të jetë e prishur”, shprehet pacienti S.D.

(Foto e bërë në 1 shkurt 2017)

Këto janë ankesat e ditëve të fundit të banorëve që marrin shërbimin në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr.1 në Tiranë. Megjithatë, këto ankesa nuk kanë filluar tani.

Në muajin maj, sapo qendra e rikonstruktuar u hap, banorët u ankuan se me gjithë investimin, u duhej të prisnin në këmbë në dyert e mjekëve për shkak të mungesës së madhe të stolave për t’u ulur.

Në muajin gusht, fiks një muaj pas përurimit, u prishën ekoja abdominale dhe laboratori i analizave pati probleme.

Në nëntor, në këtë qendër shëndetësore nuk punonte thuajse asnjë aparaturë, ndërsa në laborator nuk kryhej një sërë analizash.

Sot, në ditët e para të shkurtit, situata me aparaturat vazhdon problematike. Qendra imazherike në Poliklinikën e Specialieteve numër 1 është jashtë funksionit dhe të gjithë pacientët janë kthyer mbrapsht. Shërbime të tilla, si: eko-ja, skopia apo grafia nuk ofrohen.

Për shërbimet që nuk ofron, Qendra e Specialiteteve nr. 1 i përcjell pacientët në qendra të tjera ose në QSUT. Ndërkohë, QSUT-ja nga ana e saj i kthen në Qendrën e Specialiteteve nr.3 (e njohur në Tiranë si Poliklinika Qendrore). E gjithë kjo situatë ka krijuar një gjendje të pakëndshme për pacientët. Ata ndihen të sorollatur pasi për të kryer një ekzaminim duhet të kalojnë nëpër shumë dyer dhe duhet të mbledhin shumë firma që të përfitojnë shërbimin.

Drejtori Kërçani: 630 mijë dollarët ishin për godinën dhe disa pajisje

I kontaktuar në nëntor nga gazeta “Shëndet+”, drejtuesi i Qendrës së Specialiteteve nr.1, Ylli Kërçani, konfirmoi faktin që pacientëve nuk mund t’u ofrohet asnjë shërbim imazherik.

“Është e vërtetë. Qendra jonë është e prishur. Në fakt, dyshojmë për probleme me tensionin e lartë, sepse nuk ka mundësi të prishen të gjitha pajisjet përnjëherë. Kemi bërë një marrëveshje që t’i shpërndajmë pacientët te Dispanceria, Poliklinika e specialiteteve numër 2 dhe 3. Pajisjet i kanë marrë specialistët për t’i rregulluar”.

Nga ana tjetër, drejtori Kërçani deklaroi se në investimin e kryer nga ministria e Shëndetësisë, në fakt nuk bënin pjesë aparaturat e qendrës së imazherisë.

“Investimi që u bë, ishte për godinën dhe për disa aparatura: kabineti i zemrës, janë futur disa aparatura në dermatologji, pra, ca aparatura specifike. U bë investim në laborator. Unë kërkova më shumë fond, por nuk m’u dha.

“Aparaturat që kemi nuk janë të reja, kanë mbi 10 vjet. Gjithashtu, nuk ka asnjë kontratë mirëmbajtjeje. Kur prishen, i çojmë te qendra Biomjekësore. I shohin ata dhe nëse mendojnë që nuk i rregullojnë dot, atëherë unë i prokuroj. Kush të fitojë, vjen dhe i rregullon. Kjo është procedura.

“Aktualisht i kanë marrë për t’i rregulluar. Përsa i përket aparatit radiologjik, ai pothuajse është gati. Gati siç ka qenë, se ka dhe ca defekte të vogla. Do të futet në punë këto dy-tre ditë”, shpjegon drejtori Kërçani.

“I kam kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të kem dikë që kur të prishet aparati t’i them hajde e merre. Aktualisht aparaturat rregullohen me të ardhurat dytësore të Poliklinikës. Deri tani e kemi përballuar, po nuk e di. Në funksion eko-ja nuk e di kur do të vihet. Për faktin se fola sot me Qendrën dhe më thanë që nuk e bëjnë dot”.

Lidhur me pacientët, ai thotë se problemi është zgjidhur përkohësisht: “Për radiologji pacientët i kemi çuar te dipanceria. Për radiografi, i kemi shpërndarë nëpër Poliklinikat e specialiteteve.

Drejtoresha Malaj: Fluks i papërballueshëm, po prishen dhe aparaturat tona

Pacientët e refuzuar nga Qendra e Specialiteteve nr.1, përplasen te Qendra e Specialiteteve nr.3. Fluksi i pacientëve që pret kjo poliklinikë çdo ditë, është i lartë. Infermierët që japin informacion për pacientët, thonë se çdo ditë ka situata të pakëndshme.

Valdete Malaj, drejtoreshë e Poliklinikën së Specialiteteve numër 3, shpjegoi për gazetën “Shëndet+”: “Në kontratën e ministrit është e shkruar që ato shërbime që nuk ofrohen nga një poliklinikë, të mbulohen nga poliklinikat e tjera. Duhet të kuptoni që unë kam fond vetëm për të mbajtur Poliklinikën numër 3. Iranianit i është prishur qendra e Imazherisë dhe i çon pacientët te QSUT, e cila nga ana e vet i kthen këtu. Pacienti me të drejtë ndihet i sorollatur”.

A ka ngarkesë? “Sigurisht që ka ngarkesë, sepse në disa reparte kemi planifikim. Në imazheri dhe laborator ka planifikim. Si reflektohet kjo? E para, pacientët tanë nuk arrijmë t’i mbarojmë brenda ditës. Kjo çon në shtyrje të datës së realizimit të ekzaminimit edhe për ne, edhe për pacientët e Iranianit. Gjithashtu jemi të detyruar që të punojmë mbi kapacitete. Po bëjmë më shumë ekzaminime se zakonisht, më shumë ekzaminime seç duhet”.

Po pajisjet në ç’gjendje janë? “Eko-ja ka filluar të shfaqë defekte të vogla. Edhe pse është planifikimi që vë një numër pacientësh që duhen të ekzaminohen në ditë, prapë, siç e thashë, e tejkalojmë masën”.

A përballohet fluksi? “Aktualisht mjekët e kësaj qendre po kryejnë rreth 50 vizita në ditë, ndërkohë që mesatarja e vizitave për mjek duhet të jetë 15 në ditë. Kjo vë shumë në pikëpyetje cilësinë e shërbimit të mjekëve dhe kjo nuk është aspak për faj të tyre”.

MSH: Përgjegjësia për studimet para investimeve, e ASHR-së

E kontaktuar nga gazeta “Shëndet+” lidhur me investimin e kryer tek iraniani dhe nëse para kryerjes së investimit është bërë një studim për të parë se cilat janë nevojat reale të kësaj qendre, Ministria e Shëndetësisë ia kalon përgjegjësinë Agjencisë Shëndetësore Rajonale (ASHR) teksa shprehet se:

“Para nisjes së një investimi, në rastin në fjalë, ASHR-ja paraqet kërkesën në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nisur nga prioritetet, kjo e fundit me anë të ekipeve të menaxhimit të programit përkatës (shërbimi parësor)  e vlerëson dhe e miraton që në procesin e përgatitjes së PBA-së”.

Gjithashtu, edhe kërkesën për aparatura, Ministria e Shëndetësisë pretendon se e bën ASHR, teksa përgjigjet se “nevojat për ndërhyrje të mëtejshme qoftë në ambiente, qoftë në aparatura, i bën vetë stafi i poliklinikës në bashkëpunim me ASHR. Kjo e fundit paraqet këresën për fonde investimesh në Ministrinë e Shëndetësisë”.

ASHR:

Megjithatë, pretendimet e ministrisë hidhen poshtë qoftë nga ASHR-ja, qoftë nga vetë deklaratat e saj. Kështu, në përgjigjen e ASHR-së, e kontaktuar nga gazeta “Shëndet+” rezulton se investimi i vitit 2012 për qendrën e specialiteteve nr.  1 në Tiranë ka qenë vetëm për “rikonstruksion dhe shtesë kati”. ASHR, në fakt, ka dijeni vetëm për këtë pjesë. Ndërkohë, investimet e tjera në pajisje mjekësore jashtë rikonstruksionit dhe shtesë së katit në këtë poliklinikë rezulton të jenë bërë nga vetë Ministria e Shëndetësisë. Kështu, e pyetur për investimet në aparatura, ASHR përgjigjet: “Në lidhje me investimin në aparatura, theksojmë se Autoritetit Shëndetësor Rajonal Tiranë nuk ka kryer asnjë procedurë në lidhje me këtë objekt. Në dijeninë tonë, kjo procedurë është realizuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Pra, rezulton se blerjet e pajisjeve Ministria i ka bërë vetë, pa ‘bashkëpunimin’ e ASHR-së.

Premtimet

Ministri Beqaj: Kemi hapur kantierin e shëndetësisë

Ishte muaji qershor i vitit 2015 kur ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shpreh se “kemi hapur kantierin e shëndetësisë për të përmirësuar dukshëm shërbimin shëndetësor”, fjalë këto të thëna ndërsa inspektonte punimet në Qendrën e Specialiteteve nr.1. Teksa vijoi se e gjithë kjo punë ishte “demonstrim i faktit se ne jemi në drejtimin e duhur për të përmirësuar ndjeshëm edhe kujdesin shëndetësor Parësor edhe në qytetin e Tiranës”, ministri nuk ngurroi të përmendte se “punimet që po kryhen për rikonstruksionin e Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 1 në Tiranë, janë një investim i Qeverisë shqiptare me vlerë 630 mijë dollarë”.

http://www.shendetesia.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-beqaj-inspekton-punimet-ne-qsh-te-specialiteteve-nr-1-tirane&page=13

Ndërsa gjatë përurimit në muajin korrik të kësaj poliklinike, në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë u shkruan fjalët: “Poliklinika nr.1 është një pikë e rëndësishme në zinxhirin e kujdesit shëndetësor parësor”.

Kryeministri Rama: Kemi programuar shumë më mirë se të tjerët

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, më 18 korrik 2016, teksa përuronte ambientet dhe pajisjet e reja të kësaj qendre, deklaroi: “Jemi krenarë se tek shëndetësia kemi bërë investime si asnjëherë më parë. Mbi të gjitha… ajo që është e rëndësishme, është se ne kemi programuar shumë më mirë, kemi zbatuar shumë më mirë dhe gjithçka e kemi bërë në kuadrin e një vizioni që gjërat ndërtohen hap pas hapi.”

http://www.shendetesia.gov.al/al/newsroom/lajme/vazhdon-pa-pushim-puna-ne-rrugen-e-rilindjes-se-shendetesise&page=5

Teksa u shprehën krenarë për 630 mijë dollarët e investuara, si ministri i Shëndetësisë, edhe Kryeministri, nuk ngurruan të theksojnë se edhe qeveritë e mëparshme kanë investuar, por s’kanë ditur të “programojnë” kaq mirë investimet (!!!)

Zonat që mbulon Qendra e Specialiteteve nr.1 në Tiranë

280 mijë banorë të Tiranës marrin shërbim mjekësor në poliklinikën e specialiteteve numër 1, apo siç njihet “Iraniani”. Në këtë poliklinikë specialitetesh referojnë pacientët nga 10 qendra shëndetësore në Tiranë:

  • Qendra shëndetësore numër 1
  • Qendra shëndetësorë numër 2
  • Qendra shëndetësore Studenti
  • Qendra shëndetësore Bërzhitë
  • Qendra shëndetësore Shkozë
  • Qendra shëndetësore Krrabë
  • Qendra shëndetësore Petrelë
  • Qendra shëndetësore Dajt
  • Qendra shëndetësore Baldushk

Aty (duhet të) ofrohen 18 shërbime nga 36 mjekë specialistë.