Zotaj: Tirana, mbi 1000 pacientë me tumore të avancuara

Bisedoi: Denisa Canameti

Kujdesi paliativ është kujdesi dhe vëmendja ndaj nevojave fizike, emocionale, shpirtërore e shoqërore të pacientëve me sëmundje terminale. Falë këtij shërbimi, pacienti mund të bëjë një jetë domethënëse e me dinjitet, i rrethuar nga njerëzit e dashur sa më gjatë të jetë e mundur, ndërkohë që mbahen nën kontroll dhembjet. Mjeku onkolog dhe një prej hartuesve të ligjit, Henrik Zotaj, shpjegon në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” rëndësinë e këtij shërbimi, të drejtat dhe detyrimet e pacientëve, mbulimin me medikamente, shtrirjen e shërbimit si dhe shumë pika të tjera që lidhen me të.

Doktor, çfarë është shërbimi i onkologjisë paliative?

Shërbimi i onkologjisë paliative është një disipilinë mjekësore e cila i përket shërbimeve të onkologjisë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Ndërkohë është një department i këtij shërbimi të onkologjisë paliative që i ndjek të sëmurët me tumore në fazë të avancuar dhe shumë të avancuar. Sigurisht që stafet mjekësore të këtyre shërbimeve, qëllimin kryesor kanë zgjatjen e jetës së këtyre të sëmurëve aq sa është e mundur, por më kryesore është përmirësimi i cilësisë së jetës, jo vetëm për të sëmurët, por edhe për familjarët. Kjo është pak a shumë qëllimi apo thelbi i shërbimit të onkologjisë paliative në departamentet e onkologjisë.

Cila është diferenca midis dy termave: kujdesit paliativ dhe kujdesit terminal?

Diferenca sipas OBSH-së, me kujdesit paliativ dhe kujdesit terminal qëndron në kohëzgjatjen dhe kohën e trajtimit të këtyre të sëmurëve.

Pacientët që ndiqen në shërbimet e onkologjisë paliativie, janë pacientë, sigurisht me tumore të përparuara, por që ndiqen nga disa muaj në disa vite. Ndërkohë që pacientët, fundi i jetës së të cilëve është më i afërt dhe ndiqen nga disa ditë në disa muaj, quhen pacientë terminalë. Pra, kohëzgjatja e jetës së tyre shkon nga disa ditë, në disa muaj.

Si funksionon lidhja, spital onkologjik-onkologji paliative?

Ky shërbim i përket shërbimit parësor të Tiranës. Është një strukturë që iu përket strukturave publike të sistemit parësor të Tiranës. Ndërsa nga ana profesionale varemi nga spitali onkologjik, pasi i gjithë kontigjenti i të sëmurëve që vijnë në këtë shërbim, vijnë kryesisht nga spitali onkologjik. Vijnë edhe nga spitale të tjera, siç janë Sanatoriumi, spitalet e tjera të QSUT-së, por të gjithë këta pacientë marrin konfirmimin bazë të spitali onkologjik.

Ndarja në qarqe

Shërbimi i onkologjisë paliative të Tiranës ose ndryshe shërbimi onkologjik në banesë ndjek kryesisht të sëmurët e qarkut të Tiranës. Ndërkohë që në një strategji kombëtare që ne kemi bërë për shtrirjen e kujdesit paliativ, përpara dy viteve kemi vendosur që kujdesi paliativ të shtrihet në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Me sa kam informacion, shërbimet e onkologjisë paliative, por edhe shërbimet e tjera të onkologjisë, ndryshe quhen punktet e onkologjisë, janë shtrirë në disa qarqe të Shqipërisë, si në: Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Korçë etj.

Përveç shërbimeve të onkologjisë, si: vizita, kimioterapia, etj. janë atashuar edhe mjekët e shërbimit të onkologjisë paliative. Kështu që situata e shtrirjes së shërbimit të onkologjisë në të gjithë Shqipërinë është në punë e sipër. Që do të thotë se besoj që për një kohë të shkurtër do të përfundojë në të gjithë territorin.

Sa është numri i pacientëve aktualisht në këtë qendër?

Aktualisht për vitin që u mbyll, shërbimi onkologjik në banesë ka ndjekur rreth 800 pacientë. Ne mendojmë se në Tiranë kemi mbi 1000 pacientë me tumore të avancuara dhe shumë të avancuara. Flas për Tiranën si qark. Nuk do të thoja që pjesa tjetër e pacientëve mbeten pa shërbim, ata marrin një shërbim mjekësor nga mjekë të familjes, nga mjekë specialist, nga mjek të klinikave private.  Por do të thoja që nuk marrin një shërbim të specializur, siç janë shërbimet e specializuara të onkologjisë paliative.

Çfarë do të thotë tumor në stade të avancuara?

Tumori në vetvete ndahet në malinje dhe beninje. Këtu flasim për tumore malinje. Tumoret malinje sekretin e tyre e kanë në zbulimin e hershëm. Zbulimi i hershëm bën të mundur edhe shërimin e tyre. Në Shqipëri parandalimi dhe mundësia e zbulimit të hershëm nuk është aq sa në vende të tjera të perëndimit.

Pasi diagnostikohet një pacient me tumor malinj, gjëja e parë bëhet është biopsia dhe shikohet grada dhe avancimi i sëmundjes. Si terapi e parë bëhet ndërhyrja kirurgjikale, më pas kimioterapia dhe radioterapia. Ka të sëmurë në Shqipëri që zbulohen në stadin e parë, janë diku rreth 7-10 %. Në stadin e dytë zbulohen dikur rreth 20-30% e pacientëve dhe në stadin e 3 dhe të 4 zbulohet pjesa më e madhe e pacientëve.

Kjo ka të bëjë me zbulimin e hershëm ose të vonshëm. Në Shqipëri mbi 50% zbulohen vonë. Nëse sëmundja kalon në stadin 3 dhe 4, quhet i sëmurë i avancuar. Ka disa teori lidhur me një tumor të avancuar, një teori referohen lidhur me metastazat që jep sëmundja. Teoritë mjekësore kanë bërë të mundur sot që, edhe pse një tumor mund të avancojë, mund të metastazojë, mund të konsiderohet tumor i shërueshëm ose tumor që ka mbijetesë për disa vite dhe mund të mos konsiderohet shumë i avancuar. Shërbimi i onkologjisë paliative ndjek ata pacientë që janë me tumore të avancuara dhe shumë të avancuara. Kjo sepse qëllimi është trajtimi i dhimbjes dhe simptomat e tjera që shfaq sëmundja. Në vende të tjera të perëndimit, shërbimet e onkologjisë paliative ndjekin paralelisht dhimbjen dhe simptomatologjinë që shfaq i sëmuri paralelisht me kimioterapinë dhe radioterapinë.

A përfiton çdo pacient me tumor të avancuar nga shërbimi i onkologjisë paliative?

Patjetër që përfiton.

Kush e ka për detyrë ta informojë pacientin që ai përfiton nga ky shërbim?

Çdo pacient në Republikën e Shqipërisë përfiton nga shërbimet e onkologjisë paliative. Shërbimi i onkologjisë paliative është department i onkologjisë në Tiranë apo në rrethe të tjera. Po sigurisht që informacionin e japin edhe shërbimet e tjera që bëjnë diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve.  Këto shërbime nga momenti që shikojnë se pacienti ka simptoma për t’u ndjekur nga mjekët e onkologjisë paliative, e drejtojnë pacentin te klinika jonë apo në klinika të tjera që janë hapur në qarqe të Shqipërisë për t’u ndjekur nga mjekët e shërbimit të onkologjisë paliative. Dhe jo vetëm nga ana mjekësore, por këta pacientë dhe familjarët e tyre përfitojnë nga trajtimet psikologjike dhe sociale dhe shpirtërore, nuk duhet të harrojmë me një traumë shumë të madhe. Asistenca sociale dhe psikologjike për pacientët dhe familjarët është shumë e rëndësishme.

A janë të mjaftueshme medikamentet për këtë kontigjent pacientësh?

Kam kënaqësinë të jem mjek pranë këtyre shërbimeve, kam qenë drejtues pranë këtyre shërbimeve për vite të tëra dhe sot mund të them se po këta pacientë në këtë shërbim gjejnë të gjitha medikamentet. E them me kënaqësi, sepse vitet e fundit në shërbimet e onkologjisë paliative janë rimbursuar medikamente shumë të rëndësishme. Si medikamente të terapisë antidhembje, por dhe medikamente të tjera të cilat kanë të bëjnë me simptomat e tjera që shfaq sëmundja.

A janë të shtrenjta këto medikamente ?

Po, janë shumë të shtrenjta. Barnat në përgjithësi për të sëmurët onkologjik janë të shtrenjta. Por fatmirësisht në Shqipëri mbi 95% e medikamenteve janë të rimbursueshme dhe janë falas.

Komunikimi me mjekët e spitalit?

Të gjithë pacientët dalin me një terapi nga spitali onkologjik dhe mund të jetë terapi vazhduese. Do të thoja që në plot raste, kur pacientët nuk do ta bëjnë kimion në spital, por i sigurojnë vetë kimiopreparatet, ne mund t’ua bëjnë në shtëpi. Në plot raste pacientët bëjnë kimioterapi që ne e quajmë kimioterapi paliative dhe e bën në banesën e të sëmurit, por nga ana tjetër nuk ka divergjenca mdis nesh dhe mjekëve të spitalit. Ne konsultohemi për shumë raste dhe arrijmë një konkluzion të përbashkët në lidhje me terapinë.

A është detyrim ligjor ta njoftosh pacientin se përfiton nga ky shërbim?

Është detyrim ligjor dhe human, por varet nga stadi i sëmundjes. Pacienti mund ta ketë të nevojshëm ose jo. Një pacient që kalon në remision, mund të mos e ketë të nevojshëm, pra një pacient që trajtohet dhe kurohet dhe e ka mbijetesën mbi disa vite. Pacientët që e kanë të nevojshme që të përfitojnë nga ky shërbim, sigurisht që njoftohen, përjashto rastet kur stafet mjekësore nuk e dinë që ekziston ky shërbim, nuk e dinë që ky shërbim është në qarkun e tyre, por përgjithësisht nuk heziton askush t’i njoftojë pacientët. Në Tiranë nuk e dinë plot profesionistë që ekzsiton ky shërbim, plot kolegë dhe stafe të tjera mjekësore.

Thatë se një pjesë e mirë e rasteve zbulohen në stade të avancuara. Ju jeni pjesë e programeve trajnuese, ku ngec, pse nuk kapen më parë sëmundjet?

Para 10 viteve në Shqipëri zbuloheshin në stadin e parë diku rreth 3-5% e pacientëve dhe aktualisht zbulohen deri në 10% në stadin e parë, kryesisht kanceri i gjirit. Po marr këtë kancer meqë realisht është bërë punë dhe ka pasur ndërgjegjësim të grave dhe të vajzave dhe ju jeni dëshmitarë të kësaj gjëje.

Janë bërë edhe vizita dhe është tentuar zbulimi i hershëm i tyre nëpërmjet check-up-eve  nëpërmjet mamografive, të lëvizshme ose jo. Mbaj mend që vjet në spitalin onkologjik u bënë rreth 900 vizita gra dhe vajza. Sigurisht që kjo do bërë më shumë se një herë në vit, por që vitet e fundit ka pasur shumë raste të zbuluara ose të dyshuara.

Strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë marrë kryesisht me kancerin e gjirit. Them që ka pasur një lloj rezultati dhe ka pasur ndërgjegjësim të grave dhe vajzave.

Është bërë një fushatë e madhe dhe e suksesshme antiduhan dhe duhet të dimë që rreth 80% e rasteve të kancerit të mushkërive vjen si pasojë e konsumit të duhanit.

Pra, edhe për këtë ka pasur ndërgjegjësim nga njëra anë dhe masa të rrepta lidhur me duhanpirjen dhe konsumin e tij në ambiente publike.

Kjo ka filluar vitet e fundit, sigurisht që si çdo vend në zhvillim, edhe Shqipëria ka pasur problematikat e saj, si për shembull infrastruktura. Stafet mjekësore në shërbimin e onkologjisë nuk janë të mjaftueshme që të përballojnë gjithë popullatën.

Depistimet

Që të organizosh depistime, kërkohen burime të mëdha financiare. Kërkojnë resurse, kërkojnë stafe mjekësore, infrastrukturë. Ashtu siç vjen zhvillimi ekonomik, ashtu vjen edhe zhvillimi i shëndetësisë. Pra, është i rëndësishëm ndërgjegjësimi, sidomos i atyre që kanë një trashëgimi. Besoj se ka filluar, formati i check-up-it jep të dhëna edhe për sëmundje tumorale.

Fjala kancer në Shqipëri barazohet me fatalitet, a duhet të jetë më kështu?

Fjala kancer nuk ka pse të jetë më fatalitet. Janë disa lloje kanceresh, siç janë kanceri i gjirit apo lëkurës, disa lloje limfomash, janë disa sëmundje që shërohen mbi 70% të rasteve. Ka dhe sëmundje të tjera që janë agresive, por nga ana tjetër duhet të themi që një zbulim në stadet e para të kancerit , një masë tumorale më e vogël se 1 cm, bën të mundur që ky kancer të ketë një mbijetesë të konsiderueshme. Prandaj nuk e quajmë fatalitet. Shpesh përdor shprehjen që kanceri shërohet, por sigurisht që varet nga stadi kur kapet. Edhe sëmundjet e tjera nëse kapen në faza të avancuara, vështirë të shërohen.

Po bëhen përpjekje në drejtim të investimit për këto patologji, mos të harrojmë se së fundmi në shërbimin e onkologjisë është instaluar akseleratori linear, një pajisje shumë e rëndësishme për pacientët, është terapia që bëhet sot në të gjitha vendet e perëndimit në lidhje me terapinë e rrezatimit.

Po shtohen preparatet e kimioterpaisë. Shtrirja e punkteve nëpër qarqe të republikës është një gjë pozitive dhe që u vjen në ndihmë pacientëve, ku jo të gjithë kanë mundësi të vijnë në Tiranë për t’u trajtuar. Mos të harrojmë që sëmundshmëria e parë në Shqipëri, janë sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundshmëria e dytë në radhë janë sëmundjet tumorale. Pas disa vitesh në Shqipëri sëmundjet tumorale mund të zënë vendin e parë. Këtu duhet të jenë prioritetet e Ministrisë përkatëse dhe buxhetet tona duhet të përqendrohen aty ku janë prioritetet. Nëse presim që sëmundjet turmorale pas disa vitesh të zënë vendin e parë, ne duhet që të përqendrohemi që buxhetet të shkojnë në këtë drejtim. Strategjitë tona duhet të shkojnë drejt zbulimit të hershëm të sëmundjeve, jo vetëm tumorale./ https://propacientit.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*